Rashit Zylfiu – Të Dua

0
1006

Dashuria është e kundërta e urrejtjes. Ajo është ndjenja e admirimit kur tërhiqemi nga dikush a diçka. Ajo është pjesë e natyrshmërisë së botës së gjallë, është energjia më e shtrenjtë që posedon njeriu, e cila i jep mundësi të rregullojë atë që ka prishur në shpirtëroren dhe fizikun e tij.

Kur ne e duam krijuesin tonë, veten, familjen, njerëzit në përgjithësi, trupi ynë sekreton hormonin Oxytocin, i cili i mundëson njeriut të ndiejë dashuri, t’i afrohet njeriut dhe të mishërohet me të. Kur ne i afrohemi një trupi dhe e duam atë, truri ynë jep sinjale ndriçuese, i cili rezulton me aktivitet, përqendrim, gjallëri, forcë e seriozitet.

Jetojmë në kohën kur dashurisë i ka humbur koncepti i saj. Ajo është drejtuar drejt humnerave dhe greminave, e zhveshur nga çdo kuptim pozitiv dhe bukuri e saj për t’u përkufizuar në diçka vetëm epsharake.

Dashuria jeton, por edhe vdes. Ti je ai që e bën të vdesë atë duke mos e ujitur e kultivuar dhe mund ta ngjallësh atë duke u kujdesur për të. Ajo është një parametër që ngrihet dhe bie shpejt.

Mos u mashtro e ta shndërrosh dashurinë në një leckë, as mos mendo se ti mund ta blesh atë me pak para sepse ajo nuk shitet, por dhurohet falas.

Zoti i ka dhënë mundësinë njeriut që ta mbledhë këtë energji të brendshme dhe ta mjekojë e shërojë vetveten me dashuri.

Feja e Zotit, Islami, na dha një Profet që e shenjtëronte dashurinë dhe zemra  e tij ishte e mbushur me dashuri ndaj të gjithë atyre që qëndronin afër apo larg tij. Islami erdhi për të promovuar dashurinë për hir të Zotit. Aty ku ka dashuri, ka edhe iman. I dashuri ynë, paqja dhe begatitë e Allahut qofshin mbi të, na mësoi se nuk do të hyjmë në xhenet nëse nuk duhemi. Ai gjithashtu na përgëzoi se dashuria mes nesh sjell dashurinë e Zotit për ne.

Ti je ai që përfiton më së shumti nëse u dhuron dashuri njerëzve para se të përfitojnë ata. Nëse vërtet e do veten, mësoje që t’i duash edhe të tjerët për hir të Zotit.

Thuaju atyre: Të dua për hir të Zotit!

Rashit Zylfiu