Edukata me Ramazanin

0
917

 Ibn Kajimi thotë: “Edukata është feja”.

  • Edukata me Allahun
  • Edukata me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem
  • Edukata me krijesat.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, le të respektojë mysafirin.”

Nëse ky respekt kërkohet për mysafirët njerëz, si është çështja kur bëhet fjalë për mysafirin që dërgon Allahu çdo vit në shtëpitë e myslimanëve?

Me hënën e re të Ramazanit jepet sinjali se Ramazani ka ardhur, por le të shohim se si po e respektojmë ne këtë mysafir.

Gëzimi në Ramazan

Transmetohet se të parët tanë gjashtë muaj e kanë lutur Allahun t’ua pranojë Ramazanin dhe gjashtë muaj të tjerë që t’ua mundësojë ta përjetojnë prapë atë.

Ebu Hurjera transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen portat e xhenetit, mbyllen portat e xhehenemit dhe shejtanët prangosen.”[1]

Respekti i mysafirit

Me mysafirin e Allahut kërkohet ruajtja e gjuhës dhe sjellja e mirë, nuk duhen përdorur shprehje të këqija me mysafirin.

Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Kush nuk i lë fjalët e rrejshme dhe punën me të, Allahu nuk ka nevojë që ai ta lërë ushqimin dhe pijen.”[2]

Dhe në hadithin tjetër: “Shumë agjërues nuk kanë dobi nga agjërimi i tyre pos urisë.[3]

 

Mos e shqetëso agjërimin tënd

Mysafiri nuk duhet të shohë se ti po sillesh keq me të tjerët. Ai nuk ka dëshirë që ti të jesh nervoz, por ka dëshirë që të jesh fytyrëçelur, i buzëqeshur.

“E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj![4]

Kujdesu për mysafirin që të mos digjet

Hafsa bint Sirijn, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur shokët e Pejgamberit agjëronin, qëndronin në xhami dhe thoshin se agjërimi është mburojë derisa të mos digjet. E djegia e saj është përgojimi.”

Shfrytëzimi i kohës me mysafirin

Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “Ka thënë i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: ”Allahu shpëton nga dënimi i zjarrit në çdo ditë dhe natë të Ramazanit. Me të vërtetë për çdo musliman në çdo ditë dhe natë ka lutje të pranueshme.”

Agjërimi është mysafir që nuk rri shumë

Allahu thotë :

أَيَّامًا مَّعْدُودَاتٍ

“ Në ditë të caktuara me numër,” [5]

 

Çfarë kërkon mysafiri nga ne:

  • Shtimin e adhurimeve
  • Leximin e Kur’anit
  • Duatë
  • Namazet ditore, teravitë
  • Sadakanë.

Është pyetur Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij: “Si e pritnit ju Ramazanin në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem?” Ai u përgjigj: “Vinte Ramazani dhe në zemrat tona nuk gjente urrejtje ndaj askujt.”

[1]  Transmetojnë Imam Buhariu dhe Imam Muslimi.

[2] “Xhami ulum ue hikem”, Ibn Rexhep el Hanbelij, fq. 4001.

[3]Sahihut-targibi vet-tarhibi”, Shejh Albani.

[4]Sahihut-targibi vet-tarhibi”, Shejh Albani.

[5] Bekare,184

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com