Vlera e netëve të fundit

0
1067

Të nderuar besimtarë!

Të mirat e Ramazanit nuk kanë fund, nuk mund të numërohen. Ramazani është ndryshe nga gjërat e tjera në jetën e kësaj bote sepse kur gjërat fillojnë të përfundojnë, u përfundojnë edhe të mirat edhe dobitë e tyre, ndërsa ky rregull nuk vlen për këtë muaj të shenjtë. Ramazanit sa herë që i afrohen ditët e fundit, i shtohet madhështia dhe vlera. Për këtë arsye, besimtari kur vjen fundi i Ramazanit duhet të jetë i vetëdijshëm që ta shtojë aktivitetin e vet dhe të japë maksimumin në garimin për vepra të mira.

Të respektuar agjërues!

Gjendemi në atë që quhet dhjetëshja e fundit në këto ditë të bekuara të këtij muaji, ditë faljeje nga i madhi Allah. Në këto ditë ku gjendet një natë që ka vlerë më shumë se 1000 muaj, në këto net kur Allahu liron robërit e Tij nga zjarri i xhehenemit.                                  Por shtrohet pyetja, sa jemi të informuar për këto ditë të bekuara?

Të ndalemi sonte pak që të rikujtojmë së bashku ajetet kur’anore dhe hadithet profetike që flasin për vlerën dhe rëndësinë e këtyre netëve të bekuara.

  • Në këto net gjendet Nata e Kadrit, një natë shumë e veçantë që sjell mëshirën, kënaqësinë dhe faljen e Allahut. Allahu thotë:
  1. Ne e kemi zbritur (Kur’anin) në Natën e Kadrit.
  2. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit?
  3. Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj.
  4. Engjëjt dhe Shpirti (Xhebraili), me lejen e Zotit të tyre, zbresin

në këtë natë, me të gjitha vendimet.[1]

  1. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit.

Në këtë natë zbriti Kur’ani,  melekët zbresin në tokë dhe sjellin paqe për besimtarët. A nuk ia vlen që ne të jemi më të zgjuar, që kjo natë të na takojë më të përkushtuar ndaj Zotit tonë? Të falesh në këtë natë do të thotë sikur je falur më shumë se një mijë muaj, që janë të barabartë me 83 vite e 4 muaj.

Këto net edhe për Pejgamberin e Allahut ishin më të veçanta se netët e tjera të Ramazanit.

Në të dy sahihët transmetohet se Aishja radijAllahu anha ka thënë: “Me të nisur dhjetë ditët e fundit të Ramazanit, i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shtrëngonte rripin (largohej prej grave dhe i përvishej adhurimit), gjallëronte natën (me adhurime; namaz, Kur’an, dhikr) dhe zgjonte familjen e tij (për adhurim)[2].”

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i veçonte dhjetë netët e fundit me disa vepra të cilat nuk i bënte në pjesën tjetër të muajit, si:

 

 

  • Gjallërimi i natës me adhurim.
  • I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e zgjonte familjen e tij për namaz në dhjetë netët e fundit, çka nuk e bënte në netët e tjera.
  • I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këto dhjetë ditë e shtrëngonte rripin. E vërteta e kësaj është se kjo nënkupton largimin prej grave (për t’iu përkushtuar adhurimit). Kështu e kanë interpretuar dijetarët e hershëm.
  • Në të dy sahihët përcillet se Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: “I Dërguari i Allahut bënte gjithnjë itikaf në dhjetë netët e fundit, derisa vdiq.” Itikaf është izolim që nënkupton ndërprerjen e lidhjeve me krijesat për t’iu përkushtuar Krijuesit.
  • Nata e Kadrit. Përcillet nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ai që fal namazin e natës në Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblim (nga Allahu), i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”[3]

Të nxitojmë sa më parë për të shfrytëzuar kohën e mbetur të këtij muaji për punë të mira, duke shpresuar te kompensimi i kohës së humbur gjatë jetës sonë.

  • Lutja e veçantë në këto net. Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, i tha të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Çfarë duhet të them nëse e arrij Natën e Kadrit?” Ai i tha: “ O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj më fal!”[4]

El-Afuë-Falës është prej emrave të bukur të Allahut dhe quhet Ai që i fal mëkatet e robërve të Tij dhe i shlyen gjurmët e tyre. Allahu e do faljen dhe dëshiron t’i falë robërit e Vet.  Po ashtu, Ai dëshiron që robërit e Tij ta falin njëri-tjetrin dhe kur ata e falin njëri-tjetrin, Ai i fal ata. Për Të falja është më e dashur se ndëshkimi.

 

Të nderuar agjërues, ju vëllezër dhe motra!

 

A nuk është bukur që së paku në këto dhjetë netët e fundit ta marrim këtë mesazh që na jep Ramazani? Përpjekjet tona në këtë muaj i bëjmë që të arrijmë faljen e Allahut dhe dëshira e çdo besimtarit është që ta arrijë atë. A nuk do të ishte mirë që kjo dua të lërë gjurmë në zemrat tona dhe të lërë tek ne mesazhin e saj, që ne të mësojmë t’i falim të tjerët dhe të njëjtën kohë të kërkojmë falje për atë që u bëjmë njerëzve pa vetëdije dhe me vetëdije?

A nuk ishte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili bënte këtë lutje:

“ O Allahu im, cilitdo besimtari që e kam ofenduar, ktheja atë në pastrim për mëkatet e tij!” Omeri radijAllahu anhu kërkoi falje për shkarkimin e Halid bin Velidit nga drejtimi i ushtrisë. A nuk ishin vëllezërit e Jusufit alejhi selam të cilët kërkuan nga babai i  tyre, Jakubi alejhi selam, falje për gabimet e tyre? Historia dëshmon se njerëzit e mëdhenj kanë kërkuar falje para popullit të tyre për shkak të dështimeve.

Kjo etikë hyjnore dhe kulturë botërore ishte edhe në fjalorin e dijetarëve, të cilët kanë kërkuar falje dhe ndjesë për gabimet dhe lëshimet që kishin bërë.

Të nderuar vëllezër!

A nuk është bukur që në këto net të bekuara edhe ne të mësomi të kërkojmë falje e të themi:

-Zot, më fal për mëkatet e mia!

– Prindër, më falni që nuk po ju respektoj ashtu si duhet!

-Grua, më fal sepse t’i meriton më shumë për kontributin tënd!

– Fëmijë, faleni babin sepse shpesh vonohem me angazhime e nuk po ju dhuroj atë që kërkoni nga unë!

– O ti fukara dhe o ti jetim, më fal se unë kisha mundësi, por nuk e shtriva dorën!

Fjalë e rëndë për t’u shqiptuar, me përjashtim të atyre që Zoti i mëshiron.

Sa bukur do të ishte ta mësonin udhëheqësit tanë shprehjen “më fal” dhe kur dështojnë dhe nuk i realizojnë premtimet e tyre, së paku t’i thonë popullit “më fal o populli im”.

O Allah, o Zoti ynë, na fal e na mëshiro në këto net të bekuara, zbrit mbi ne faljen  Tënde dhe paqen për gjithë njerëzimin! O Zot, ndihmoji muslimanët kudo që janë!


Të nderuar vëllezër dhe motra!

Më falni nëse kam gabuar diçka, Allahu jua pranoftë agjërimin!

Ue selamu alejkum ue rahmetullahi ue berkatuhu!

[1] “Nata e Kadrit” do të thotë “Nata e Caktimit”. Në këtë natë, Allahu i Madhëruar ka filluar t’i shpallë Kur’anin Muhamedit (a.s.). Ajo është një nga netët teke të 10-ditëshit të fundit të muajit Ramazan. Gjatë saj engjëjt zbresin me të gjitha vendimet hyjnore për çfarë do të ndodhë në Tokë brenda një viti.

[2] Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[3] Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[4] Shënon Termidhiu.

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com