Shkaqet e ngurtësisë së zemrës

0
1147

 

Ajo zemër çi o ndryshkën me gjynah
S’i vjen n’hatër, kurrnjiherë me thonë Allah.

 

Arsyet pse zemrat tona forcohen janë të shumta dhe rrezikshmëria e tyre shtohet çdo herë kur shtohen edhe këto shkaqe.

Shkaqet më të rëndësishme që duhet të dimë janë këto:

 

  • Kapja e zemrës pas kësaj bote dhe harrimi i ahiretit

 

Kjo është ndër shkaqet kryesore që ngurtësojnë zemrën. Kur dashuria dhe lidhja e fortë me këtë botë e mundin dashurinë për botën tjetër, imani dobësohet dalëngadalë derisa ibadeti bëhet i rëndë dhe i bezdisshëm. Kënaqësinë njeriu e gjen vetëm në gjërat e kësaj bote dhe e harron ahiretin, e harron atë që ia prish kënaqësitë e kësaj bote, vdekjen, dhe fillon ta mashtrojë veten. E nëse kjo bela e kaplon njeriun, veçse e shkatërron atë.

Dynjaja është pjesë-pjesë, kur anon zemra nga njëra prej tyre, largohet nga Allahu. Kur njeriu largohet nga Allahu dhe nuk gjen gatishmëri për t’u kthyer dhe vazhdon të jetë larg Allahut, do të shkatërrohet në njërën prej luginave të kësaj dynjaje.

Ky njeri harroi Krijuesin e vet dhe filloi të madhërojë atë që nuk e meriton- dynjanë.

Të parët tanë kanë treguar se njeriu ka dy sy në ballë që të shikojë dynjanë dhe dy sy në zemër me të cilët të shikojë ahiretin. Kur Allahu ia do të mirën njeriut, ia mundëson që me sytë e zemrës ta shikojë atë që Allahu ka premtuar për besimtarët, që është gajb dhe nuk shikohet me sytë e ballit.

 

Allahu thotë:

 

apo në zemrat e tyre ka dryna?!”

 

 

  • Pakujdesia

 

Kjo sëmundje e rrezikshme po që se arrin ta mbizotërojë zemrën dhe të ndikojë në fizikun njerëzor, i mbyll të gjitha rrugët e udhëzimit dhe më pas i vulos zemrat.  

Allahu thotë:

 

Këta janë ata të cilëve Perëndia ua ka vulosur zemrat e tyre, të dëgjuarit dhe të shikuarit e tyre dhe këta janë njerëz vërtet të shkujdesur.

 

Ibn Kajimi thotë: “Kur njeriu mediton për çështjen e gafletit, shumicën e njerëzve e gjen se kanë dështuar në përmendjen e Allahut, duke pasuar pasionet e tyre dhe kanë harruar se çfarë është në dobi të tyre duke u preokupuar me atë që nuk u sjell dobi dhe u kthehet në dëm të tyre herët apo vonë.”

Pakujdesia e ngurtëson zemrën, e cila nuk frikësohet dhe nuk zbutet, asaj nuk i bën dobi këshilla sepse është më e fortë se guri. Sytë i shohin gjërat nga jashtë, jo nga brenda, nuk janë në gjendje të dallojnë të dobishmen dhe të dëmshmen, kurse veshët e të pakujdesshmit janë mësuar të dëgjojnë çdoherë të kotën, rrenën, përgojimin. I pakujdesshmi nuk është në gjendje të dëgjojë fjalën e Allahut dhe të Resulullahut.

 

Allahu i përshkruan në Kur’an:

Ne kemi krijuar, me të vërtetë, shumë xhindë dhe njerëz për xhehenem: ata kanë zemra (mend) me të cilat nuk kuptojnë, kanë sy me të cilët nuk shohin, kanë veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si shtazë, madje, edhe më të zi. Ata janë të pakujdesshëm.

 

 

  • Shoqërimi me shokë të këqij në ambiente të pista

 

 

Ky është ndër shkaqet që ka më tepër ndikim sepse njeriu ndikohet nga ata që ka përreth. Si të mos jetë i tillë kur njeriu jeton në mesin e atyre që kohën e kalojnë në harame dhe gjëra të urryera, kur e gjithë jeta e tyre kalon në shaka dhe duke qeshur! Ai vazhdon të jetë kështu derisa zemra t’i pranojë këto punë të këqija dhe t’i vuloset zemra.

 

 

  • Mëkatet e shumta bëhen diçka e natyrshme

 

 

Mëkati edhe kur është i vogël ia bën gati rrugën shokut të tij dhe ia lehtëson përderisa njeriu nuk e di rrezikun e mëkatit. Zemra fillon t’i thithë një nga një derisa çdo gjë duket shumë e natyrshme dhe asnjëherë nuk është e gatshme për t’i lënë ato. Kjo bën që në këtë zemër të mos madhërohet Allahu sepse ajo nuk është e gatshme për të ecur në rrugën e Tij.

Allahu thotë:

E, nuk është ashtu! Por, veprat e tyre (të këqija) i kanë ndryshkur zemrat e tyre (i kanë nxirë).

 

 

  • Harresa e vdekjes, momentet e agonisë së saj dhe qëndrimi në varr

 

Të gjitha stacionet pas vdekjes të cilat ka përmendur Allahu në Kur’an dhe na ka paralajmëruar i Dërguari i Allahut janë nga shkaqet që nëse njeriu nuk i kujton, e bëjnë zemrën e fortë.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë “Vdekja na mjafton si këshillë.” Në momentin e fundit që u nda nga kjo dynja tha: “Me të vërtetë vdekja ka agoninë e saj.”

 

 

  • Preokupimi me atë që e bën zemrën të ngurtë

 

 

Pesë gjëra që e prishin zemrën sipas Ibn Kajimit janë:

  1. Lidhja e zemrës me dikë tjetër pos Allahut
  2. Ushqimi dhe pija e tepërt
  3. Shoqëria e tepërt me njerëz
  4. Të folurit e tepërt
  5. Gjumi i tepërt.

Autor: Rashit Zylfiu

Seria: PSE PENDIMI?