PENDIMI NGA PËRFITIMI I PASURISË NË MËNYRË TË PALIGJSHME

0
1025

Nga pesë objektivat madhore të Islamit (mekasid sherije) është edhe ruajtja e pasurisë. Duke u nisur nga ky parim muslimani duhet të ketë në konsideratë se si po e fiton pasurinë, për shkak se përfitimi i pasurisë haram është shkaktar për pengimin e shumë mirësive që nuk mund t’i arrijnë njeriut.

Muslimi ka shënuar hadithin e Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “O ju njerëz! Me të vërtetë Allahu është i Bukur dhe pranon vetëm të bukurën. Me të vërtetë Allahu i ka urdhëruar besimtarët me atë që i ka urdhëruar Pejgamberët dhe ka Thënë:

“O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.”[1]….

Nga shenjat e kësaj kohe përfitimet e paligjshme është ajo që na ka paralajmëruar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, se do të ndodhin. Shënon Buhariu hadithin e Seid Makberiut nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi sal-lallahu alejhu ue selem ka thënë: “Do të vijë një kohë kur njerëzit nuk do të shikojnë se nga e përfitojnë pasurinë nga hallalli apo harami.”

Realiteti i përfitimeve të paligjshme:

Përfitimi i paligjshëm është: “Pasuri e cila është arritur apo mbledhur nëpërmjet rrugëve jo të ligjshme në sheriatin islam.”

Arritja tek përfitimet e ndaluara ndodh përmes shumë rrugëve, por ne do të cekim dy rrugë kryesore nëpërmjet të cilave arrihet pasuria e ndaluar.

Rruga e parë: Pasuria të jetë arritur pa pëlqim. Përfitimet të cilat janë mbledhur janë bartur nga pronari tek personi në fjalë pa pëlqimin e pronarit si: Vjedhja, uzurpimi, mashtrimet.

Rruga e dytë:  Pasuria të jetë arritur me pëlqimin e dy palëve. Përfitimet të cilat i ka marrë janë bartur nga pronari tek personi në fjalë me pëlqim, si rezultat i kontratave të paligjshme, si: kamata, bixhozi, shitblerja e alkoolit, substancave narkotike apo përfitimet nga imoraliteti, magjia, korrupsioni etj.

Tani do të sjellim sqarimin e dy rrugëve të lartpërmendura.

1)    Përfitimet e paligjshme të arritura pa pëlqimin e palëve:

Pronësia e pasurisë në këto lloje të përfitimeve kujt i takon?

Në esencë këto përfitime mbesin në pronësi të pronarëve të tyre. Por kjo mund të ndryshojë në rast se (pasurisë së arritur pa pëlqimin e palëve) mund t’i ndodhë shtimi apo mangësimi. Ky ndryshim mund të jetë tre llojesh

  1. a) Përfitimet e ndaluara që kanë mbetur pa ndryshuar:

Nuk ka mospajtim mes dijetarëve se prona e këtyre përfitimeve të paligjshme  i takon pronarëve të tyre dhe ai i cili ua ka marrë e ka për detyrë që t’ia kthejë këtë pasuri, nëse dihet pronari i tyre dhe nuk janë përjetuar shtim apo mangësim.

Ibën Ubejre thotë: “Dijetarët kanë rënë në pëlqim, se uzurpuesi është i detyruar ta kthejë pasurinë e uzurpuar nëse pasuria ekziston dhe nuk frikësohet se ky kthim mund të shkaktojë mbytjen e ndonjë personi.

  1. b) Përfitimet e ndaluara që kanë mbetur, por janë dëmtuar

Nëse këto përfitime të ndaluara janë shkatërruar në tërësi dhe nuk ka mundësi t’i kthehet pronarit të saj, dispozita e saj ndryshon në bazë të gjendjes. Në këtë rast nuk mund të dalë nga dy gjendje:

Gjendja e parë: Që këto përfitime të ndaluara të jenë të llojit të ngjashëm. Në këtë rast obligohet t’ia kthejë me po të njëjtin lloj të ngjashëm.

Gjendja e dytë: Që këto përfitime të ndaluara të jenë në sasi. Në këtë rast obligohet që përfituesi  ta kthejë (pasurinë) sasinë. Në këtë rast katër imamët janë pajtuar.

  1. c) Përfitimet e paligjshme që kanë ndryshuar:

Prona në këtë rast ndikohet varësisht nga lloji i ndryshimit. Këto ndryshime mund të jenë, ose në përgjithësi që kanë ndryshuar, ose pjesërisht në shtim, ose pakësim.

–          Ndryshimi i përgjithshëm:  Shembull: Nëse dikush ka vjedhur hekur apo dru dhe këtë material e ka futur në ndërtim. Në këtë rast prona e këtyre përfitimeve të ndaluara i takon pronarit të saj dhe pronari është i lirë të përzgjedhë në mes marrjes dhe plotësimin e mangësisë, ose në mes kërkimit me zëvendësim të atij ndryshimi që ka ndodhur  pa marrë parasysh se ky ndryshim ka ndodhur me teprim apo mangësim, ose me diçka tjetër. Problemi qëndron se përfituesi nuk ka dorë të sigurt dhe ai në të gjitha gjendjet duhet të kompensojë.

–          Ndryshimi me pakësim: Ky lloj ndryshimi nuk ndikon në pronën e pronarit të saj, kjo i takon atij dhe pjesa e pakësuar i kompensohet.

–          Ndryshimet me shtim: Ky ndryshim nuk ndikon në heqjen e pronës nga dora e pronarit të saj.

Fitimet nga këto lloje përfitimesh të paligjshme

Dijetarët kanë rënë në mospajtim se fitimet e këtyre përfitimeve të paligjshme të arritura pa pëlqimin e palëve në pronën e kujt hyjnë.

Nga mendimet e tyre shihet se më i saktë është mendimi, se këto fitime që kanë ardhur nga puna e përfituesit ky është ortak me pronarin në këto fitime. Ky është një transmetim nga imam Ahmedi dhe këtë mendim e mbështet Ibën Tejmije dhe Ibën Kajimi dhe kjo është përzgjedhja me të cilën ka punuar kalifi Omer bin Hatab Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe janë pajtuar shokët e Pejgamberit sal-lallahua lejhi ue selem. Në këtë ka drejtësi sepse shtimi apo fitimi ka ndodhur nga puna e këtij (uzurpuesit) dhe pasuria e pronarit nuk i takon vetëm pronarit në këtë rast që njëri të dallohet me fitim nga tjetri dhe nuk ka nevojë të jepet sadaka fitimi, siç është edhe njëri ndër mendimet e dijetarëve.

Fitimi i takon në këtë rast të dy palëve sikur të ishin në një biznes ortak.

Pendimi nga ky lloj i përfitimeve të ndaluara

  1. a) Pendimi me mundësinë e kthimit tek pronari

Nëse ka mundësi që këto përfitime të ndaluara pa pëlqimin e palëve të kthehen tek pronarët e tyre nuk ka mospajtim, se pendimi nuk realizohet e as që largohet nga mëkati në fjalë përveç me kthimin e pasurisë tek pronari i saj.

Argument është hadithi, të cilin e shënon imam Ahmedi dhe Ebu Davudi nga hadithi i Saib bin Jezidit, nga babai i tij, nga gjyshi i tij, nga Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Mos ta marrë askush nga ju mallin e shokut të tij, duke luajtur apo seriozisht, e nese dikush nga ju e ka marrë shkopin e vëllait të tij le t’ia kthejë”.

  1. b) Pendimi me pamundësinë e kthimit tek pronari

Përfituesi nga përfitimet e ndaluara është i detyruar që të pendohet dhe ai sipas xhumhurit të dijetarëve është i detyruar, që nga përfitimet e ndaluara të japë lëmoshë në interes të muslimanëve. Ai duhet që të bëjë përpjekjet maksimale, që këto shpenzime t’i bëjë në projekte sa më të dobishme dhe nuk plotësohet pendimi pos në këtë mënyrë.

  1. c) Kthimi i përfitimeve të paligjshme tek trashëgimtarët e pronarit të saj

Tek dijetarët ekzistojnë dy mendime për ta larguar barrën nga vetja në kthimin e përfitimeve të paligjshme tek trashëgimtarët e pronarit.

1)    Mendimi i parë: Përfituesi e largon barrën në këtë botë dhe botën tjetër, nëse ua kthen qoftë edhe trashëgimtarëve të pronarit përfitimet e paligjshme. Ky është medhhebi i Ebu Hanifes, Shafive dhe Hanbelive.

2)    Mendimi i dytë: Përfituesi e largon barrën e tij në këtë botë e jo në botën tjetër. Ky është mendim i disa shokëve të imam Malikut dhe imam Ahmedit, Allahu qoftë i kënaqur me ta.