Begatitë e Allahut

0
2551

Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ اتَّقُواْ اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلاَ تَمُوتُنَّ إِلاَّ وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ

“O ju që keni besuar, keni frikë Allahun me një frikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!”

يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُواْ رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالاً كَثِيرًا وَنِسَاء وَاتَّقُواْ اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالأَرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا

” O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë Allahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se Allahu është Mbikëqyrës mbi ju.”

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلا سَدِيدًا. يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَن يُطِعْ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا

“O ju besimtarë, keni frikë Allahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (Allahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.”        

Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lallahu ‘alejhi ve selem. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…

I Dërguari Muhamed sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë:

“اللهم ما أصبح بي من نعمة أو بأحد من خلقك، فمنك وحدك لا شريك لك ، فلك الحمد والشكر “

“O Zoti im, ajo që më është dhënë mua ose ndonjërit prej krijesave të Tua nga begatitë e tëra është vetëm nga Ti, që je i Pashoq, Ty të qofshin lavdërimi dhe falënderimi.”  

Të nderuar vëllezër besimtarë!

Çdo gjë që na rrethon në jetën tonë është nga begatitë e Allahut, ato që i ndiejmë, i përfitojmë, i shohim, kënaqemi me to. Por sa janë ato begati e mirësi që Allahu na ka dhuruar? Një, dy, dhjetë apo njëqind?

Vëlla i dashur musliman!

Dhuntitë e Allahut ndaj nesh janë të panumërta, dhuratat e Tij janë të mëdha, të mirat e Tij pa kufi. Sa të mira na ka dhënë, sa bela dhe fatkeqësi prej nesh ka larguar!

Do ta kishim të pamundur për t’i numëruar. Sikur tërë njerëzit e rruzullit tokësor të angazhoheshin për t’i numëruar begatitë, dhuntitë e Allahut të Madhërishëm, nuk do të kishin mundësi. Pse? Sepse Allahu na tregon në Kuranin Fisnik duke na thënë:

وَآتَاكُم مِّن كُلِّ مَا سَأَلْتُمُوهُ وَإِن تَعُدُّواْ نِعْمَتَ اللَّهِ لاَ تُحْصُوهَا

“Edhe nëse përpiqeni t’i numëroni dhuntitë e Allahut, nuk do të mund t’i numëroni dot.”

 

 

  • Njohja e begative dhe dhuntive  

 

Vëlla i nderuar musliman!

Njohja e nimeteve është shtylla kryesore e falënderimit, sepse është e pamundur të falënderohet nëse nuk njihen dhuntitë. Njohja e dhuntive është rruga që të shpie në njohjen e dhuntidhënësit (Allahut). E, kur e njeh dhuntidhënësin, e do atë. E, kur e do, e falënderon.

Ebu Derda ka thënë: “Kush mendon se begatitë e Allahut janë të kufizuara në ushqim dhe pije, i është pakësuar dituria dhe i është afruar dënimi.”

 

 

  • Llojet e begative

Imam Ibn Kajimi ka thënë: “Begatitë janë tre llojesh: begati prezente, që e di njeriu; begati që e pret dhe shpreson ta ketë; begati që e shfrytëzon, mirëpo nuk e heton.

Nëse Allahu do që ta plotësojë begatinë e Tij ndaj njeriut, ia bën të mundur ta njohë begatinë që është prezentë dhe ia dhuron falënderimin si lidhje, që e lidh begatinë të mos ikë, ngase begatia ikën me mëkate dhe lidhet me falënderimin. I dhuron sukses në vepra për të arritur begatinë që e pret dhe shpreson ta ketë dhe ia ndriçon rrugët që e shpien drejt njohjes së begatisë me të cilën jeton, por nuk i heton.”

 

 

  • Ajka e begative

Begatia më e madhe në këtë botë është që njeriu duhet ta falënderojë Allahun për begatinë më të madhe, që e ka bërë nga robërit e Tij dhe prej umetit të Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue selem. O ju të bekuar, pas saj nuk mbetet asgjë pos që njeriu ta lusë Zotin që mos t’ia marrë këtë mirësi derisa të vdesë.

Besimtari i drejtohet Allahut që mos t’ia marrë këtë mirësi të imanit dhe Islamit derisa ta takojë Atë.

IbnUjejneja rahimehull-llah thotë: “Allahu nuk u ka dhënë dhunti më të mirë njerëzve sesa shehadeti , fjala “La ilahe il-lallah ”.”

Ndërsa begatia më e madhe në botën tjetër është takimi me Allahun, të cilin e përshkruan Ibn Kajjimi në bazë të argumenteve nga Kurani dhe Suneti.

Allahu i Madhëruar thotë:

وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَّاضِرَةٌ. إِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ

“Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë.”

  • Faktorët që ndihmojnë në jetësimin e begative dhe shtimin e tyre

 

Nëse Allahu të dhuron ndonjë begati, mos e shkatërro duke menduar se ajo është prej vetes tënde, ngase jetësimi i begatisë është peng i dy çështjeve:

  1. ta dish se ajo është nga Allahu dhe ta falënderosh,
  2. të mos e shkatërrosh duke menduar se është si shkak i kontributit tënd.

Ekzistojnë edhe disa faktorë të tjerë që ndihmojnë në jetësimin e begative të Allahut.

 

1- Lënia e mëkateve. Muhaled ibn Husejni thotë: “Shukër është lënia e mëkateve”, kurse në disa transmetime qëndron: “Biri i Ademit, të mirat e Mia zbresin te ti, kurse prej teje ngrihet sherri yt. Unë të bëhem i dashur me dhunti, kurse ti bëhesh i urryer duke më bërë mëkate.”

2- Shikimi i të varfërve dhe të sprovuarve. Kjo shkakton nderimin e dhuntive dhe mosnënçmimin e tyre. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem thotë: “Nëse ndokush shikon atë që i është dhënë më shumë dhunti dhe familje, le të shikojë atë që është më poshtë se ai.” Në transmetimin tjetër qëndron: “Shikoni ata që janë më poshtë se ju dhe mos shikoni ata që janë më lart se ju, kjo ju ndihmon që të mos nënçmoni dhuntitë e Allahut.”

4- Njohja se njeriu është rob, pronë e Pronarit të vet, dhe se ajo që posedon është dhuratë prej Zotërisë së vet.

Transmetohet në “Sahihul-Buhari” dhe “Sahihul-Muslim” se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka falur namaz nate derisa i janë ënjtur këmbët. Kur e kanë pyetur për këtë gjë, ai është përgjigjur: “A nuk duhet të jem rob falënderues?!”

5- Sadakaja. Dhënia e sadakasë është shenjë e falënderimit për këto dhunti. Transmetohet se kur Davudi alejhis-selam lutej, thoshte: “I lartësuar qofsh o Zot, që e nxjerr falënderimin duke dhënë dhunti!”

6- Përmendja e Allahut. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem thotë: “Allahu kënaqet nga robi i Tij që kur ha diçka, e falënderon dhe kur pi ndonjë gjë, e falënderon.”

7- Modestia dhe largimi prej mendjemadhësisë.

8- Duaja. Lutja drejtuar Allahut që të të bëjë prej falënderuesve.