Falënderimet i takojnë Allahut, që na udhëzoi ta kuptojmë Islamin dhe na sqaroi dispozitat në librin e Tij. Paqja, mëshira dhe begatitë e Allahut qofshin mbi Muhamedin mësuesin e njerëzisë.
Qysh herët flitet për gruan, për gjendjen e saj, vuajtjet, mjerimet që i ka përjetuar ajo në etapat më të zeza të shoqërive injorante. Mizoria ndaj saj kaloi çdo kufi aq sa u ngrit pyetja se: A është gruaja njeri apo jo?!… Kjo gjendje vazhdoi kështu deri me ardhjen e Islamit. Islami i jep gruas një jetë të re, si vajzë, femër, nënë, grua, gjyshe; çka do të thotë që nga lindja e deri në vdekje.
Allahu e ngriti femrën dhe i dha të drejtat e saj. Në Kuran është surja “Nisa” kaptina e “Gruas” dhe pikërisht në këtë sure janë vendosur ajetet e trashëgimisë dhe i futi të drejtat e saj në të gjitha poret e jetës e ajo që la përshtypje më të madhe dhe vulosi drejtësinë e Islamit është edhe e drejta e trashëgimisë së femrës në Islam. Orientalistë të ndryshëm kur morën hov për ta sulmuar Islamin filluan ta sulmojnë nëpërmes femrës, me pretekstin se Islami nuk i ka dhënë të drejta femrës dhe ka bërë që mashkulli të marrë dy hise e femra një. E gjithë kjo vjen si pasojë e mosnjohjes së dispozitave të trashëgimisë islame. Në këtë kurth shpesh herë kanë rënë viktimë edhe disa pjesëtar të fesë islame. Ne kemi sjellë një version të shkurtuar të disa dispozitave, edhe pse kjo shkencë “shkenca e trashëgimisë në islam” është një fushë e gjerë.
Disa nga ajetet kuranore të trashëgimisë:
Allahu i Madhëruar thotë:
“Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet; nëse është një femër, asaj i takon gjysma Allahu i Madhëruar thotë:
“Juve ju takon gjysma e asaj (pasurie) që lënë gratë e tuaja, nëse ato nuk kanë fëmijë, por nëse ato kanë fëmijë juve ju takon një e katërta nga ajo që lënë ato, pasi të kryhet testamenti i tyre dhe pasi të lahet borxhi. Atyre (grave) ju takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por nëse keni fëmijë, atyre ju takon një e teta nga ajo që leni pas kryerjes së testamentit që keni përcaktuar ose borxhit…”
Allahu i Madhëruar thotë:
“Kërkojnë përgjigjen tënde. Thuaju: “Allahu ju përgjigjet në çështjen e “kelale-s” (ai që nuk ka prindër dhe fëmijë që ta trashëgojnë). Nëse vdes një njeri që nuk ka fëmijë, por ka motër, atëherë asaj (motrës) i takon gjysma e pasurisë së lënë. Ai (vëllai) trashëgon tërë atë (që le motra) nëse ajo nuk ka fëmijë. Në qoftë se ato janë dy (motra që trashëgojnë), atyre të dyjave u takojnë dy të tretat që lë ai. Në qoftë se janë vëllezër dhe të përzier burra dhe gra, atëherë mashkullit i takon hise dy fish më shumë se sa femrës. Allahu ju sqaron, ashtu që të mos humbni. Allahu di për çdo send.”
Hadithet e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem mbi trashëgiminë:
Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Mësoni “el-feraid” (trashëgiminë) dhe mësojani të tjerëve, sepse ajo është gjysma e diturisë, ajo harrohet dhe e para gjë që do të ngrihet nga umeti im.”
Rëndësia e shkencës së “el-feraidit” (trashëgimisë) tek dijetarët muslimanë:
Dijetarët muslimanë në çdo kohë i kanë dhënë rëndësi kësaj shkence duke shpenzuar kohë dhe mund në mësimin dhe interpretimin e kësaj shkence tek gjeneratat e reja. Ata kanë shkruar libra dhe ende shkruhen të tillë nga dijetarët bashkëkohorë. Omeri Allahu qoftë i kënaqur prej tij thotë: “Mësoni feraidin-shkencën e trashëgimisë, se ajo është prej fesë suaj”.
Përkufizimi i Feraidit- trashëgimisë:
Aspekti gjuhësor: “Feraid” është e marrë nga fjala “fard”, që ka disa kuptime: “kat’a” me pre, “tekdijr” përcaktim, “tebjin” sqarim.
Aspekti terminologjik:
Shkenca, e cila mundëson se si të ndahet pasuria atyre që u takon.
Shkenca, e cila mundëson të dihet, se kush ka të drejtë trashëgimie apo jo dhe sasinë se sa i takon çdo trashëgimtari.
Trashëgimia e femrës para Islamit:
Trashëgimia tek çifutët
Ligji i çifutëve për trashëgiminë e femrës dallohet për atë se ata e privojnë femrën nga trashëgimia, pa marrë parasysh nëse është ajo nënë, motër, vajzë apo nga ato që kanë të drejtë trashëgimie përveç nëse nuk ka mashkull trashëgues. Vajza nuk ka të drejtë trashëgimie përveç në mungesë të mashkullit, atëherë ajo e fiton këtë të drejtë. Ndërsa gruaja nuk trashëgon nga burri i saj asgjë.
Trashëgimia e femrës tek romakët e vjetër:
Femra tek romakët e vjetër kishte të drejtë trashëgimie të njëjtë me mashkullin, përveç bashkëshortes, e cila nuk kishte të drejtë të trashëgojë nga burri i saj, sepse lidhja martesore nuk llogaritej nga shkaqet që ua lejojnë femrës të trashëgojë nga burri i saj. Arsyeja ishte që mos të transferohet pasuria tek një familje tjetër. Nëse pasuria e trashëguar bën pjesë nga thesaret që nuk shkartohen, atëherë nëse vdes nëna pasurinë që e ka trashëguar nga babi i saj e trashëgon motra e saj e jo fëmijët e saj, edhe pse ajo mund të ketë lënë fëmijë djem apo vajza.
Trashëgimia e femrës tek popujt e lindjes:
Me popujt e lindjes kemi si qëllim të gjithë ata popuj që kanë jetuar në Lindje pas tufanit dhe para lindjes së Isait alejhi selam. Sistemi i trashëgimisë ka qenë i vendosur në atë se vëllai i madh e zëvendëson babanë e nëse nuk ka, pastaj vëllezërit, xhaxhallarët, e kështu me radhë deri tek nipat dhe të afërmit.
Trashëgimia tek egjiptianët e vjetër:
Tek egjiptianët e vjetër dëshmitë tregojnë se sistemi i trashëgimisë ka qenë i vendosur se të gjithë të afërmit e të vdekurit kanë të drejtë trashëgimie njësoj, pa marrë parasysh nëse është mashkull apo femër, i madh apo i vogël .
Trashëgimia e femrës tek arabët para Islamit:
Mund të themi se tek arabët para-islamit nuk ka pasur ndonjë sistem të veçantë trashëgimie, por ata në këtë fushë kanë ndjekur popujt e lindjes. Trashëgimia ka qenë e veçantë për meshkujt, të cilët kanë qenë të gatshëm për mbajtjen e armëve që të përballen me armikun, ndërsa të vegjlit dhe gratë nuk bëjnë pjesë këtu.
Trashëgimia e femrës në Islam
Pasi shpalosëm këtu periudhën e errët, se si ishte gjendja e femrës përballë trashëgimisë dhe pamë se çfarë mizorish i bëheshin asaj në ato ligje dhe sisteme të gabuara, ku epshi dhe nefsi luanin një rol të madh do të shohim tashmë periudhën islame. Islami erdhi me dritën dhe drejtësinë e tij për ta ngritur femrën nga padrejtësia dhe ulja, që i kishin bërë asaj dhe për të konfirmuar, se edhe ajo është njeri sikurse mashkulli. Ajo ka të drejtat e saj, që askush nuk ka të drejtë për t’ia mangësuar ato, sikurse ajo ka edhe detyrime, që nuk u lejohet t’i anashkalojë apo t’i neglizhojë ato.
Një pasqyrë e krahasimit mes Islamit dhe ligjeve, sistemeve të trashëgimisë mbi femrën:
Ai që ka marrë përsipër ndarjen e trashëgimisë në Islam është Krijuesi e jo krijesa, për këtë arsye gjen saktësi dhe drejtësi në këtë ndarje në dobi të gjithë njerëzimit. Allahu i Madhëruar thotë:
“ … ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj apo fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i Dijshmi, më i Urti.”
Islami niset nga pikëpamja e nevojës, për atë i ka dhënë atij që ka nevojë më shumë, se sa atij që nuk ka, p.sh., i ka dhënë djalit më shumë se babës, ngaqë nevoja e djalit është më e madhe, sepse ai e ka jetën përpara, ndërsa babai e lenë jetën mbrapa. Edhe në rastin kur djali merr hise sa dy vajza, ngaqë nevoja e tij është më e madhe. Ai pritet të martohet, të japë mehrin, shpenzimet që ka ndaj gruas dhe familjes së tij, ndërsa vajza është ajo që do të marrë dhe jo ajo që do të shpenzojë.
Islami e ka vlerësuar lidhjen martesore, ku ka bërë që kjo lidhje gjatë gjithë jetës të jetë shkak i trashëgimisë pas vdekjes. Ai nuk e ka anashkaluar, ashtu siç ka ndodhur tek disa ligje apo sisteme të lartpërmendura.
Islami nuk e ka anashkaluar çështjen e afërsisë familjare, si shkak të së drejtës së trashëgimisë e siç ka vepruar sistemi romak dhe ai i grekëve. Por lidhja e afërsisë familjare është ajo që njeriu forcohet me të në këtë jetë, mundohet të japë kontributin më të madh për ta, t’i dalë në ndihmë dhe përkujdesje.
Barazia mes të afërmve në trashëgimi, ashtu siç vepronin egjiptianët e vjetër. Islami nuk vepron kështu, por ka bërë dallimin e saktë, ku edhe mes të afërmve ka dallime, dikush bën pjesë më afër e dikush më larg.
Nuk ka ndonjë veçori që Islami t’i japë përparësi djalit beqar ndaj atyre të martuar, siç veprojnë çifutët, se djali beqar merr hise sa dy djem të martuar, por djemtë janë njësoj pa marrë parasysh nëse janë beqarë apo të martuar.
Islami i ka dhënë të drejtë femrës të trashëgojë nga baba i vet, ashtu sikurse djemve dhe nuk i ka dhënë mundësi pranisë së djemve që t’i largojnë femrat nga trashëgimia, ashtu siç është në ligjin e çifutëve.
Allahu i Madhëruar thotë: “Meshkujve ju takon pjesë nga pasuria që lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave ju takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, ju takon një pjesë e caktuar (nga Zoti).”
Nga kjo pasqyrë krahasuese mes sheriatit islam dhe ligjeve e sistemeve të tjera shohim qartë një saktësi dhe drejtësi në fushën e trashëgimisë e veçanërisht të drejtën e trashëgimisë së gruas në Islam.
Urtësia e legjitimimit të trashëgimisë së femrës:
Nëse meditojmë shkurtimisht rreth trashëgimisë së femrës në Islam do të gjejmë shumë urtësi:
Konfirmimi se femra është qenie njerëzore, ashtu sikurse mashkulli dhe ka të drejtë të ketë nën pronësinë e saj pasuri dhe ta shpenzojë ashtu sikurse mashkulli pa dallim.
Allahu i Madhëruar e ka bërë njeriun mëkëmbës të vetin në tokë për ta ndërtuar, për të përfituar nga pasuritë e saj dhe e ka pajisur që të ketë mundësi ta përcjelli mesazhin e tij në këtë botë. Shprehja “insan” është e përgjithshme dhe i përmbledh burrat e gratë.
Për t’iu përgjigjur natyrshmërisë së krijesës njerëzore, qoftë mashkull apo femër për të zotëruar pasuri.
I krijon femrës mundësinë që ta adhurojë Allahun me pasurinë e saj, duke e shpenzuar atë në bamirësi dhe vepra të mira shoqërore.
Përqendrimi i trashëgimisë vetëm te meshkujt do t’i jepte atyre shumë hapësirë që shumica e meshkujve të ndiheshin të mëdhenj e të fuqishëm, dhe nga ana tjetër ta nënçmonin femrën si krijesë, dhe të ushtronin mizori ndaj saj.
Trashëgimia e femrës e ruan unitetin familjar, ngaqë nuk bëhet dallim ndaj gjinive përveçse sipas së drejtës të afërsisë me të vdekurin.
Referencat e konsultuara :
Tahkijkat el-merdijeh fij mebahith el-faradije, Salih Fevzan.
Fikhul islami ue ediletuhu, Vehbeh Zuhejli.
Ahkam mirath fij fikul islamij, Vurud Adil Ibrahim Uratanij
Një nga akuzat që i atribuohet Islamit është edhe çështja e pabarazisë së femrës me mashkullin në çështjen e trashëgimisë, duke thënë se Islami i ka dhënë mashkullit hise sa për dy femra.
Ata deklarojnë duke thënë, se edhe pse kjo mund të justifikohet me të kaluarën, ngase puna e femrës kryesisht ka qenë brenda shtëpisë, sot ajo konsiderohet partner i mashkullit në të gjitha veprimtaritë dhe është e barabartë me të në të gjitha shpenzimet. Përse Islami e ka bërë një ndarje të tillë ndërmjet tyre?!… Në bazë të argumenteve për sa i përket trashëgimisë së femrës në Islam e drejta e saj përballë asaj se çfarë i takon ndryshon varësisht nga gjendja e saj. Në këtë pjesë do të paraqesim gjendjet e trashëgimisë së femrës.
Rastet kur femra dhe mashkulli janë të barabartë në të drejtën e trashëgimisë:
Le të sjellim vetëm tre shembuj kur femra është e barabartë me mashkullin, ndërkaq ka shembuj edhe më shumë se sa këto që do të përmendim:
- a) Nëse i vdekuri ka lënë fëmijët, babanë dhe nënën. Prindërit, respektivisht babai dhe nëna, marrin 1/6 e pasurisë pa dallim ndërmjet burrërisë së babait dhe feminitetit të nënës, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “…për prindërit, për secilin nga ata, ju takon e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri), nëse ka fëmijë.”[1]
- b) Nëse i vdekuri ka lënë vëllanë dhe motrën nga nëna dhe këta të dy nuk ka kush i pengon nga trashëgimia, atëherë secili prej tyre merr 1/6, duke u bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: “…po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta.”[2]
- c) Nëse i vdekuri ka lënë dy e më tepër vëllezër nga nëna dhe dy e më tepër motra nga nëna, atëherë vëllezërit bashkërisht trashëgojnë 1/3, ndërsa motrat trashëgojnë 1/3.
Pra, pa pasur dallim mashkull ose femër duke u mbështetur në fjalën e Allahut të Lartësuar: “e në qoftë se janë më shumë (se një vëlla ose se një motër) ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë).”[3]
Rastet kur femra merr shumëfish në të drejtën e trashëgimisë:
Le të sjellim dy shembuj kur femra merr shumëfish më tepër se mashkulli, kurse shembuj kemi edhe më shumë se këto:
1) Nëse gruaja e vdekur ka lënë bashkëshortin dhe një vajzë. Në këtë rast vajza e së vdekurës trashëgon gjysmën e pasurisë kurse babai i saj, respektivisht bashkëshorti i së vdekurës, trashëgon një të katërtën. Prandaj në këtë rast femra trashëgon dyfishin e asaj që trashëgon mashkulli.
2) Nëse i vdekuri ka lënë bashkëshorten, dy vajza dhe një vëlla të tij. Në këtë rast bashkëshortja merr të tetën e pasurisë, vajzat dy të tretat, ndërsa ajo që mbetet i takon xhaxhait të vajzave, respektivisht vëllait të të vdekurit. Kësisoj, secilës prej tyre u takon më shumë sesa i takon xhaxhait. D.m.th. secilës i takon kuota 8/24, ndërsa xhaxhait 5/24.
- Dyshimet rreth trashëgimisë së femrës në Islam dhe përgjigjet rreth tyre:
Një grup orientalist morën guximin për ta sulmuar islamin, sikur Islami nuk ia jep të drejtën gruas ashtu sikurse burrit dhe bën diskriminim gjinor. Me këtë mashtruan veten, kur menduan se me këtë ata gjetën një padrejtësi në Islam, ku për shkak të kësaj njerëzit do të largohen apo do të mbjellin dyshime tek vetë myslimanët. Por harruan se me këtë ata shpalosën injorancën dhe paaftësinë e tyre për t’i konceptuar gjërat drejt dhe nxorën në pah pretendimet e rrejshme të drejtësisë dhe profesionalizmit të tyre.
Islami thotë për trashëgiminë: “Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra;…”[4]
Pyetje: Pse kjo ndarje? Çfarë drejtësi ka në te? A çdo herë mashkulli merr hise sa dy femra?
Përgjigje:
- Ligji mbi trashëgiminë në Islam është ligj që në të ka urtësi dhe drejtësi. Çdo kujt ia ka dhënë të drejtën aq sa i takon sipas afërsisë me të vdekurin (nga i cili trashëgohet).
- Këto akuza që i bënë orientalistët perëndimorë Islamit, se Islami është fe e prapambetur dhe nuk ka mundësi që njeriu (myslimani) t’i përshtatet botës moderne nëse merr Islamin si model të jetës së tij. Kjo është një akuzë e pabazë, mizore nga shumë aspekte:
- Barazia gjinore mes mashkullit dhe femrës është vetëm një formulë me të cilën bëhen eksperimente, por a ka mundësi në realitet apo ende nuk ka rezultate dhe po shohim sinjalet e dështimit, ngaqë femrën e kanë nxjerrë nga natyrshmëria e saj dhe duan ta ngarkojnë me diçka që ajo nuk ka mundësi për ta mbajtur. Kur vendosën për barazinë në trashëgimi ata e ngarkuan femrën edhe me punë dhe shpenzimin e pasurisë për vete dhe fëmijët e saj, e ngarkuan me atë që nuk mund ta mbajë. Këtu ka padrejtësi mbi femrën, ngase vetë dalja e saj nga shtëpia për punë e ve përballë me shumë sfida dhe për këtë ka shumë dëshmi.
- Ndarja e trashëgimisë në ligjin islam nuk bëhet për shkak të burrërisë apo feminitetit, por për shkak të detyrave që ka secili. Gjithashtu merret në konsideratë edhe nevoja e trashëgimtarit, lloji i lidhjes ndërmjet tij dhe pasardhësve. Pra, çështja është absolutisht ekonomike.
- Situatat në të cilat ligji islam i ka dhënë më tepër mashkullit sesa femrës nuk janë thjesht pa dobi, por për shkak të pozitës së tij për sa i përket shpenzimit familjar. I zoti i shtëpisë merr përsipër mbikëqyrjen dhe shpenzimin për familjen e tij. Sistemi bashkëkohor, më saktësisht ai amerikan bën ndarjen e trashëgimisë sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet bashkëshortëve para vdekjes. S’ka dyshim se në këtë sistem ka padrejtësi, ngaqë ai nuk i merr parasysh detyrat individuale për të dy gjinitë.
Trashëgimia është çështje llogarie e jo çështje ndjenjash e pretendimesh. Femra merr një të tretën që të shpenzojë vetëm për veten e saj, kurse mashkulli dy të tretat që të shpenzojë fillimisht për bashkëshorten (grua), pastaj për familjen dhe fëmijët e tij. Pra, kush merr më tepër me logjikën e llogaritjes dhe logjikën e numrave? Ekzistojnë edhe raste të pazakonshme për mashkullin, i cili tërë pasurinë e shpenzon për veten, nëse nuk martohet dhe nuk krijon familje, mirëpo ato janë raste të rralla. Kjo për sa i përket çështjes së pasurisë së trashëguar pa u lodhur.
Ndarje e drejtë nga ana e Allahut të Lartësuar, i Cili u jep “secilit sipas nevojës”, kurse peshorja e nevojës këtu nënkupton detyrimet e obliguara të secilit prej tyre. Ndërsa për sa i përket pasurisë së fituar me të gjitha format e saj, si shpërblimi për punën, fitimin në tregti, nuk ka dallim ndërmjet mashkullit dhe femrës, ngase këtu peshohet me peshore tjetër e ajo është barazia ndërmjet angazhimit dhe shpërblimit. Gjysma e asaj që merr mashkulli më tepër se femra në disa raste është thelbi i drejtësisë, ngase pasuria e mashkullit do të pakësohet përmes mehrit dhe shpenzimeve familjare, ndërsa pasuria e saj do të rritet me mehr dhe investim, nëse ajo investon. Shumica e vendeve skandinave akoma vazhdojnë të bëjnë dallim në trashëgimi ndërmjet mashkullit dhe femrës. Mashkullit i japin më tepër sesa femrës, përkundër barazisë së tyre në detyrime dhe përgjegjësi materiale.
Femra në Islam të drejtën trashëgimore e meritoi pa kryengritje dhe pa konferenca kurse femrat në botë e arritën këtë si rezultat i grevave dhe konferencave të shumta. Prandaj nuk është çështja e burrërisë dhe e feminitetit, mirëpo varësisht nga pozita dhe përgjegjësitë që ka secili prej tyre.
Islami e refuzon dhe e lufton parimin e privimit të femrës nga trashëgimia thjesht për shkak të feminitetit të saj, ose për shkaqe të cilat i përmendëm më sipër. Islami i ka caktuar asaj kuotën në të gjitha rastet e trashëgimisë. Islami e kundërshton edhe parimin e barazisë absolute ndërmjet asaj dhe mashkullit në trashëgimi. Ai në këtë drejtim ka vënë rregulla prej të cilave nuk duhet të dalim. Ky ishte një punim në version të shkurtuar mbi trashëgiminë e femrës në Islam, edhe pse jemi të kufizuar për të shkruar mbi këtë shkencë, që është një kapitull i gjerë në Sheriatin Islam. Allahu e di më së miri.
Referencat e konsultuara:
Referencat e konsultuara :
Tahkijkat el-merdijeh fij mebahith el-faradije, Salih Fevzan.
Fikhul islami ue ediletuhu, Vehbeh Zuhejli.
Ahkam mirath fij fikul islamij, Vurud Adil Ibrahim Uratanij
– Tahkikat el-merdije , Salih Feuzan.
– Fikul Islami , Uehb Zuhjeli.
– Ahkam mirath fi fikul islamij.
– www.klubikulturor.com “Trashigimia e femrës në Islam” Elmedin Ejupi.
[1] Nisa, 11
[2] Nisa, 12
[3] Nisa, 12.
[4] Nisa, 11.