PËRMENDJA E ALLAHUT (DHIKRI)

0
6853

Hyrja

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe mëshira e Tij qofshin mbi Pejgamberin Muhamed sal-lAllahu alejhi ue selem.

Nëse mund ta përshkruajmë njeriun për nga krijimi i tij, ai i ngjan një trekëndëshi, një piramide: trup, psikikë, shpirt. Shpirti është maja e kësaj piramide. Nëse trupi ka nevojë për ushqim dhe psikika ka nevojë për njohuri, edhe shpirti i njeriut ka nevojë për ushqimin e tij, që është adhurimi. Ndër adhurimet më të mira dhe më të preferuara për shpirtin është dhikri, përmendja e Allahut të Madhëruar.

Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar besimtarët që ta përmendin atë edhe në luftë kur përballen me armikun. Përse?

Ibn Kajimi rahimehullah thotë: “Në këtë rast, Allahu ka dashur që besimtarët të përmendin atë që duan më tepër.”

A nuk e sheh njeriu se kur ndodhet në ndonjë moment të vështirë, si për shembull është në aeroplan dhe në momentin që aeroplani bën ndonjë lëvizje të jashtëzakonshme, njeriut menjëherë fillon t’i shkojë mendja tek ata që do.

Paramendoje veten të vetmuar, të pikëlluar, të lodhur nga brengat dhe hallet e kësaj bote. Ti ke nevojë t’i drejtohesh Atij që t’i largon këto.

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu i Madhëruar ka thënë: “Unë jam afër robit Tim kur mendon për Mua dhe Unë jam me të kur më përkujton. Nëse më përkujton Mua në vetvete, do ta përkujtoj atë në Vetveten Time. Nëse më përkujton Mua në grup, do ta përkujtoj atë në një grup më të mirë sesa ata.”[2]

Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë ka thënë: “Sikur të mos kish pasur asnjë hadith që flet për vlerën e dhikrit përveç këtij hadithi, do të kishte mjaftuar.”

Ebu Hurejra thotë se “zemra është mbretëresha e gjymtyrëve”. Shpeshherë këto gjymtyrë u ekspozohen mëkateve dhe dalëngadalë zemra fillon të lodhet, të dobësohet, ngase gjymtyrët (ushtria e saj) janë lodhur, prandaj ka nevojë t’i ringjallë. Ajo që i jep fuqi zemrës për të mbetur mbretëreshë me plot kuptimin e fjalës është dhikri.

Ibn Tejmija, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Dhikri për zemrën është si uji për peshkun. A ka mundësi të jetojë peshku pa ujë? Edhe zemra nuk ka mundësi të jetojë pa dhikër.[3]

TEMA

  1. Vlera e dhikrit

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, kumton se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “A dëshironi t’ju tregoj për një vepër që është më e dashur dhe më e lavdëruar tek Krijuesi juaj dhe do ta ngrejë më shumë shkallën tuaj? Është më e mirë për ju sesa të jepni lëmoshë ar dhe argjend, është më e mirë për ju sesa të takoheni me armikun dhe t’ua hiqni kokat atyre apo t’jua heqin kokat juve?” Të pranishmit thanë: “Gjithsesi, o i Dërguar i Allahut.” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem tha: “Dhikri (përmendja) e Allahut azze ue xhel.”

  1. Dhikri është siguri nga dyfaqësia, ngase hipokritët e përmendin shumë pak Allahun.

 Allahu i Madhëruar thotë:

 “… dhe fare pak e përmendin Allahun.”[4]

  1. Është fidani i xhenetit.

Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem shkoi në miraxh, u takua me Ibrahimin alejhi selam. Ibrahimi alejhi selam i tha: “O Muhamed! Jepi umetit tënd selam dhe tregoji se xheneti është i mirë, toka e tij është tokë pjellore. E nëse duan të kenë fidanë të mbjellë në këtë tokë, atëherë le ta përmendin Allahun me fjalët subhanallah, elhamdulilah, Allahu ekber sepse çdo dhikër është një fidan.”

 

  1. Dhikri shlyen mëkatet ngase është nga veprat më të mira, kurse të mirat dihet që shlyejnë të këqijat.

Thotë i dashuri ynë salAllahu alejhi ue selem: “Kush thotë subhanallah ue bihamdihi 100 herë në ditë, i fshihen mëkatet edhe në qoftë se janë sa shkuma e detit.”

  1. Dhikri është shpëtues, nga dënimi i Allahut. Allahu i Madhëruar thotë: “përmendeni shpeshherë Allahun, ashtu që të gjeni shpëtim.[5]
  1. Dhikri bën pjesë në ibadetet më të lehta, por më madhështore dhe nga më të mirat.

كلمتان خفيفتان على اللسان ثقيلتان في الميزان ، حبيبتان إلى الرحمن : سبحان الله و بحمده سبحان الله العظيم ))

“Dy fjalë janë të lehta për gjuhën, të rënda në peshore, të dashura për të Gjithëmëshirshmin, subhanallah ue bihamdihi, subhanallahi –ladhim.”

  1. Katet e xhenetit ndërtohen me dhikër. Kur njeriu e ndërpret dhikrin, melaiket e ndërpresin ndërtimin.
  1. Lloje e dhikrit

 

Dhikri ndahet në tre lloje:

 

  1. Me gjuhë: leximi i Kur’anit, tespihet, të përmendurit e Allahut me emrat dhe cilësitë e Tij.
  2. Me zemër: frika, përkushtimi, respekti, dashuria, sinqeriteti, mbështetja.
  3. Me gjymtyrë: të përmendurit përmes dispozitave (hallalli dhe harami), i cili është dhikri i dijetarëve.

 

  1. Nevoja e besimtarit për dhikër

 

Fatimja, e bija e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem, një ditë shkoi te shtëpia e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem për ta takuar atë, se ishte e lodhur nga punët e përditshme dhe kishte nevojë për një shërbëtor. Kur dëgjoi për këtë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem, shkoi te shtëpia e saj dhe aty ishte edhe Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, dhe i tha: “A doni t’ju tregoj diçka që nëse e thoni çdo natë kur të shkoni për të fjetur, është më mirë për ju sesa shërbëtori që po kërkoni?” I thanë: “Po, o i Dërguari i Allahut.” Tha: “Thoni 33 herë subhanallah, 33 herë elhamdulilah, 34 herë Allahu ekber.”

Aliu radiallahu anhu thotë: “Asnjëherë nuk e kam lënë pa e thënë këtë dhikër.” E kur e pyetën: “As në luftën e Safinit?” Tha: “As atëherë.”

Kur Junusi a.s. u fut në barkun e peshkut, tregohet se Allahu azze ue xhel i mundësoi të dëgjojë madhërimin e peshqve për Allahun. Kur i dëgjoi, tha:

لااله الا انت سبحانك اني كنت من الظالمين

 “I lartësuar qofsh, Ti je i vetëm, nuk meriton të adhurohet me të drejtë pos Teje askush. Unë i bëra mizori vetes.”

Më pas erdhi ndihma e Allahut, kur ai u lidh me Krijuesin e gjithësisë. Cila ishte kjo lidhje? Dhikri.

 

  1. Dhikri dallon mes atyre që e duan Allahun dhe të tjerëve

Allahu i Madhëruar thotë:

“E mos u bëni si ata që e harruan Allahun, e Allahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit.”[6]

Imam Ibën Kajjimi rahimehullah, duke komentuar këto ajete, mes të tjerash thotë:

“Kur ata harruan Zotin e tyre subhanehu ue teala, Allahu i harroi ata dhe bëri që ata të harrojnë vetveten. Pra, u dha dy dënime:

– Allahu i harroi ata – فَنَسِيَهُمْ ;

– Allahu bëri që ata të harrojnë vetveten – فَأَنْسَاهُمْ أَنْفُسَهُمْ.

 

Përfundim

  • Kush jeton me dhikër, ashtu do të vdesë

 

  • Llukmani alejhi selam i tha birit të tij: “Ushtroje gjuhën tënde me fjalën رب اغقرلي.” Allahu ka një çast, një moment kur nuk i kthen duatë. Paramendo, për atë çast të hapen dyert e qiellit dhe Allahu të fal, prandaj ushtroje gjuhën tënde me dhikër, se ndoshta pas dhikrit vdes dhe kjo llogaritet si përfundim i mirë. Njeriu me atë që vdes do të ringjallet.

 

  • Dhikri, vepra e vetme që e përcjell besimtarin edhe në xhenet

Besimtarët në xhenet nuk do të kenë obligime ashtu si në dynja. I vetmi adhurim që bëjnë është dhikri, por shumë lehtë, ashtu siç marrin frymë.

 

  • Shembuj të ndryshëm të atyre që e përmendin Allahun e Madhëruar

 

Ibn Rexhebi ka përmendur në librin e tij “Lataif fil meraif”, se Ebu Hurejra e ka përmendur Allahun më shumë se 12.000 herë në ditë. Kur i kanë thënë “pse po e lodh veten me këtë, o Ebu Hurejre?”, është përgjigjur: “Këtë e bëj që të jetë mburojë mes meje dhe zjarrit të xhehenemit.”

Ibn Xhevzij ka përmendur se imam Ahmedi në njërin prej udhëtimeve të tij, pasi kishte falur namazin e jacisë, nuk kishte ku të flinte, prandaj zgjodhi xhaminë. Pasi njerëzit u shpërndanë, ai vendosi të flejë aty. Papritmas i erdhi roja e xhamisë, i cili kur e pa të shtrirë, iu drejtua dhe i tha: “Nuk mund të qëndrosh këtu, xhamia nuk është vend për gjumë.” Imam Ahmedi, nga modestia që kishte, i tha se nuk kishte ku të flinte dhe se deri në namazin e sabahut do të qëndronte, pastaj do të vazhdonte rrugën. Roja nuk e dinte se ai ishte imam Ahmedi, prandaj ishte këmbëngulës në kërkesën e tij dhe e nxori jashtë. Teksa imam Ahmedi po qëndronte në rrugë, e pa një bukëpjekës dhe i tha: “Eja qëndro tek unë derisa të thirret ezani i sabahut.” Duke qëndruar aty, imami pa se bukëpjekësi tërë kohën bënte dhikër dhe për asnjë moment nuk ndalej. Ai iu drejtua bukëpjekësit dhe mes tyre nisi një bisedë. Imami i tha:

-Çdo herë bën dhikër kështu?

-Po, ia ktheu bukëpjekësi.

-Sa vite ke që vepron kështu?

-E kam ushtruar gjuhën që të bëjë dhikër dhe ashtu si marr frymë lehtë, ashtu e përmend Allahun- tha bukëpjekësi.

-Po çfarë mirësie ke gjetur në të? – pyeti imami.

-Nuk i kam bërë ndonjë dua Allahut që të mos më jetë përgjigjur.

-Të gjitha duatë? – pyeti imami.

-Po, të gjitha, përveç njërës. E kam lutur Allahun që të shoh imam Ahmedin, po ende nuk e kam parë- tha bukëpjekësi.

-Edhe këtë ta plotësoi Allahu. Ja ku jam, unë jam imam Ahmedi. Betohem në Allahun se Allahu më ka nxjerrë prej asaj xhamie vetëm për të ta plotësuar ty duanë!

Dobitë e dhikrit, përmendjes së Allahut të Madhëruar

Gjëja më madhështore që e mbron zemrën e njeriut është dhikri, përmendja e Allahut të Madhëruar. Kush e ushtron gjuhën e tij me dhikër, e ruan atë nga e pavërteta dhe e kota. E, kush e lag gjuhën e tij me të pavërtetën, të kotën dhe të turpshmen, i thahet gjuha nga dhikri.

Prej dobive të dhikrit të Allahut të Madhëruar janë:

Allahu i Madhëruar thotë: “Me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”[7]

  1. Mexhliset e dhikrit janë mexhlise melaikesh, ndërsa mexhliset e kota dhe të pakujdesisë janë mexhlise të Iblisit.
  2. Dhikri i jep fytyrës shkëlqim në këtë botë dhe dritë në botën tjetër.
  3. Është siguri nga dyfaqësia, ngase hipokritët e përmendin shumë pak Allahun.
  4. Është ushqim për zemrën dhe shpirtin.
  5. Dhikri i shpeshtë largon nga përgojimi, mbartja e fjalëve, gënjeshtra, gjërat e fëlliqura dhe ato të kota.
  6. E bën njeriun të lumtur.
  7. Është fidani i xhenetit.
  8. Bën pjesë në ibadetet më të lehta, por më madhështore dhe nga më të mirat.
  9. Ka një kënaqësi të veçantë në mesin e të gjitha veprave të tjera, që nuk i përngjan asgjë.
  10.  Largon Iblisin dhe e shpërfill atë.

Thotë i dashuri ynë sal-lallahu alejhi ue selem: “Kush thotë ‘subhanallah ue bihamdihi’ 100 herë në ditë, i fshihen gabimet (mëkatet), edhe në qoftë se janë sa shkuma e detit.”

  1.  Dhikri shlyen gabimet (mëkatet) ngase është nga veprat më të mira e të mirat i shlyejnë të këqijat.
  2.  Sjell riskun (furnizimin).
  3.  Ndriçon fytyrën dhe zemrën.
  4.  Forcon zemrën dhe trupin.
  5.  Kënaq Mëshiruesin, Allahun.
  6.  Mbjell afërsinë me Allahun e Madhëruar.
  7.  Hap derën madhështore prej dyerve të njohjes së Allahut. Kur njeriu e shton dhikrin, i shtohet kjo njohje.
  8.  Mundëson kthimin tek Allahu i Madhëruar.
  9.  I jep jetë zemrës.
  10.  Po që se Allahu i Madhëruar përmendet nga robi i Tij kur është në gjendje të rehatshme, Allahu do ta përmendë atë kur është në gjendje të vështirë.
  11.  Dhikri është shpëtues nga dënimi i Allahut.
  12.  Është shkaktar për sjelljen e qetësisë, të mëshirës dhe afron melaiket.
  13.  Është dritë për njeriun në këtë botë, në varr, në botën tjetër, me të e kalon rrugën e Siratit. Nuk ka diçka që i ndriçon zemrat dhe varret më mirë sesa dhikri.
  14.  E zgjon zemrën nga gjumi.
  15.  Është i barabartë me lirimin e robit, shpenzimin e parave për hir të Allahut dhe xhihadin.
  16.  Është maja e falënderimit.
  17.  Është shërim i zemrës dhe ilaç i saj.
  18.  Melaiket kërkojnë falje për atë që bën dhikër ashtu si bëjnë për të penduarin.
  19.  Dhikri është më i mirë sesa duaja.
  20.  Zemra forcohet dhe vetëm dhikri mund ta zbusë.

Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem thotë: “Kur të falni namazin, filloni me falënderim të Allahut e pastaj lartësojeni Atë, dërgoni salavate mbi Pejgamberin e më pas bëni dua çfarë të doni.”[8]

  1.  Dhikri e lehtëson të vështirën dhe realizon të mundimshmen.
  2.  I sjell robit besnikëri në raport me Krijuesin e tij.
  3.  Katet e xhenetit ndërtohen me dhikër, kur robi e ndërpret dhikrin, melaiket e ndërpresin ndërtimin.
  4.  Dhikri është mur (pengesë) mes njeriut dhe xhehenemit.

Nga libri “Elvabilu esajb”

 

 

[1] Ky punim është përgatitur më 05/11/2010 për filmin dokumentar të realizuar nga Peace TV në gjuhën shqipe.

[2] Buhariu 4/7405 dhe Muslimi 4/2061.

[3] “Elvabil es-sajib minel kelam et-tajib”, fq. 71.

[4] Nisa, 142.

[5] Xhum’a, 10.

[6] Hashër, 19.

[7] Err’R’ad, 28

[8] Shënon Ahmedi, Termidhiu. Hadithi është i mirë.