Serioziteti në fenë e Allahut

0
2909

Serioziteti në fenë e Allahut

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Vëllezër muslimanë !

Qëndrimi stabil në fenë e Allahut është domosdoshmëri themelore për çdo musliman të sinqertë që dëshiron të ecë rrugës së drejtë me vendosmëri dhe udhëzim. Rëndësia e kësaj teme vërehet në disa gjëra, si p.sh.:

Gjendja e shoqërive në të cilat jetojnë muslimanët sot, llojet e ngasjeve dhe sprovave nga zjarri i të cilave digjen ata si dhe epshet dhe dilemat e shumta për shkak të të cilave feja është bërë gjë e rrallë. Për shkak të këtyre gjërave ata të cilët i përmbahen fesë bëjnë pjesë në grupin për të cilin Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që i përmbahet fesë është i njëjtë me atë që mban zjarrin në dorë.” S’do mend se sot muslimanët kanë nevojë të dinë se si duhet të qëndrojnë stabilë dhe seriozë në fenë e tyre.

Ndodhitë e shpeshta të braktisjes së fesë dhe kthimit të shpinës asaj, madje edhe nga radhët e  aktivistëve islamë, e bën muslimanin të ketë frikë nga përfundimet e tilla dhe të kërkojë rrugët për të arritur në vend të sigurt.

Jetojmë në një kohë kur po shohim se sikur po ecim mbrapa e jo para, se kemi ankesa e jo punë, punë e jo fryte, pesimizëm e jo optimizëm, përçarje e jo bashkim. Të gjithë këta faktorë dhe shumë të tjerë vijnë si rezultat i faktit që e kemi marrë fenë pjesërisht dhe me një petk të jashtëm, ndërsa zemrat dhe mendjet tona janë të zbrazura. Për këtë arsye, kapja pas fesë kërkon seriozitet më të madh.

Allahu thotë kështu kur përshkruan fjalën e Tij:

إِنَّهُ لَقَوْلٌ فَصْلٌ. وَمَا هُوَ بِالْهَزْلِ

“…që kjo është një fjalë ndarëse dhe nuk është aspak shaka!”Kuran, Tarik: 13-14.

 

Serioziteti është prezent, por në çfarë? Dihet, për kërkimin e dynjasë. Pse kjo gjendje pyesin shumë, pse muslimanët kanë mbetur mbrapa, pse duatë tona nuk pranohen, pse sot gjen musliman sezonal, gjen musliman që e praktikon fenë pjesërisht, ftohet shpejt në rrugën drejt adhurimit dhe ka mungesë vullneti për të vepruar për fenë e Allahut?

Tema në fjalë, pra serioziteti në fenë e Allahut, ka lidhje të fortë me zemrën dhe forcimin e saj, e cila ka prirje për t’u ndikuar nga stuhitë e epsheve dhe dyshimeve. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka treguar për gjendjen e saj me fjalët: “Zemra është quajtur ashtu (arabisht kalb) sepse ndryshon shumë. Shembulli i saj është si shembulli i gjethes në degë të pemës, të cilën era që fryn e rrotullon andej e këtej.” Shënuar nga Ahmedi (4/408).

Shkaqet e dobësisë së seriozitetit në fenë e Allahut

  • Mungesa e seriozitetit në kapjen pas fesë

A jemi ne ata që punojmë për Allah dhe i lëmë gjërat e ndaluara për shkak se feja na thotë ashtu dhe punojmë për shkak se feja në mëson kështu apo jo?

Allahu i Madhëruar thotë:

 

وَقَدِمْنَا إِلَى مَا عَمِلُوا مِنْ عَمَلٍ فَجَعَلْنَاهُ هَبَاءً مَّنثُورًا

“Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi.”  Kurani, Furkan: 23.

 

Kjo vjen si rezultat i mungesës së seriozitetit në të punuarit me sinqeritet dhe sipas rrugës së të Dërguarit të Allahut, ngase vetë feja jonë është fe stabile dhe serioze, andaj kërkon që edhe anëtarët e saj të jenë seriozë.

 

  • Luksi

Luksi pas të cilit po vrapojmë sot është një nga shkaktarët që na largon nga besimi dhe nuk na lë të jemi seriozë në fenë e Allahut sepse:

-luksi nuk njeh balancim;
-luksi ngjall zili në zemrat tona;
-luksi është shkaktar i mendjemadhësisë dhe
-luksi shkatërron fenë.

 

Lëvozhgat e periudhës së injorancës

Allahu i Madhëruar thotë:

فَمَا آمَنَ لِمُوسَى إِلاَّ ذُرِّيَّةٌ مِّن قَوْمِهِ عَلَى خَوْفٍ مِّن فِرْعَوْنَ وَمَلَئِهِمْ أَن يَفْتِنَهُمْ

“Por Musait nuk i besoi askush, përveç një pakice nga populli i tij, nga frika se do t’i keqtrajtonte faraoni dhe paria e tij.”  Kurani, Junus: 83.

 

Ata që i kanë besuar Musait alejhi selam, Allahu na tregon se janë edukuar nën kthetrat e faraonit. Edhe pse kanë besuar, tek ta kanë mbetur lëvozhgat e periudhës së injorancës, kur kanë jetuar nën sundimin e faraonit dhe menjëherë këto kanë filluar të shpalosen.

Ata i thanë Musait alejhi selam:

وَإِذْ قُلْتُمْ يَا مُوسَى لَن نُّؤْمِنَ لَكَ حَتَّى نَرَى اللَّهَ جَهْرَةً

“Kujtoni kur i thatë Musait: “O Musa! Ne nuk do të të besojmë ty, derisa të shohim Allahun haptazi!” Kuran, Bekare: 55.

وَإِذْ قُلْتُمْ يَا مُوسَى لَن نَّصْبِرَ عَلَىَ طَعَامٍ وَاحِدٍ

“Kujtoni kur i thatë: “O Musa! Ne nuk mund të kënaqemi vetëm me një lloj ushqimi…” Kuran, Bekare: 61.

قَالُواْ يَا مُوسَى اجْعَل لَّنَا إِلَهًا كَمَا لَهُمْ آلِهَةٌ

“Ata i thanë Musait: “Na bëj edhe neve një zot, ashtu si kanë ata zota.”Kuran, A’raf: 138.

 

Mungesa e seriozitetit te shumë muslimanë sot rezulton nga fakti se ata marrin me vete në Islam petkun e injorancës në të cilën jetuar më herët. Kur fillojnë të njihen me fenë, i japin vetes komoditetin të bëjnë selektime në rregullat dhe dispozitat e fesë: marrin nga feja atë që u përshtatet dhe lënë atë që nuk u duhet apo nuk përshtatet me kohën, sipas tyre.

Rezultatet e dobësisë së seriozitetit në fenë e Allahut

 

Të nderuar vëllezër!

 

Do të ishte mirë që t’i dimë edhe rezultatet apo rreziqet që sjell mungesa e seriozitetit në fenë e Allahut. Kur ndalemi dhe shikojmë madhështinë e fesë dhe bukuritë e saj, çdo musliman duhet ta kuptojë se kjo fe nuk është ideologji apo doktrinë e qenies njerëzore, por është shpallje nga i madhi Allah, është mesazh për njerëzimin, andaj nuk ka nevojë as të heqim dhe as të shtojmë ngase është e plotësuar. Nëse ne muslimanët nuk vetëdijesohemi që të jemi më seriozë në praktikimin e saj, si rezultat nga radhët tona do të dalin:.

-muslimanë që gënjejnë

-inxhinierë që nuk e kryejnë punën me përpikëri

– mjek të korruptuar

– tregtarë mashtrues

– njerëz dyfytyrësh e gënjeshtarë

-hoxhallarë mashtrues.

 

Të jesh serioz në fenë e Allahut do të thotë ta dish se cili është emri yt tek Allahu; cila është pozita jote tek Allahu dhe kush je ti tek Zoti yt.

O Zoti ynë, na bëj prej të tillëve!

O Allah, na dhuro qëndrueshmëri në Islam dhe këmbëngulje në gjërat e qëlluara!

Lutja jonë e fundit është: lavdërimet i takojnë Allahut, Zotit të botëve!