9. SFIDA E SËMUNDJES

0
3009

“Dhe kur të sëmurem, Ai më shëron.” (Shuara: 80)

Të gjithë gjendemi në sallën e madhe të provimit që quhet jetë. Çdo gjë që gjendet në të është provim dhe sfidë për njeriun. Pasuria, varfëria, familja, rinia, pleqëria, shoqëria, fqinjësia, puna, shëndeti, sëmundja të gjitha janë provime dhe sfida në të njëjtën kohë.

I pasuri është në provim dhe nuk e kupton se është në sallën e provimit derisa të humbë pasurinë.

Ai që ka shëndet nuk e ndien që është në sallën e provimit derisa të sëmuret.

Bukura e kësaj salle është se i gjithë njerëzimi qëndron brenda saj. Nuk ka refuzim e as që mundet dikush t’i ikë derisa ka jetë sepse salla e provimit është vetë jeta jonë.

Momenti i sëmundjes

Lexo fjalët e të madhit Allah, i Cili na ka treguar realitetin e jetës dhe krijimit tonë:

Ju me siguri do të viheni në provë me pasurinë tuaj dhe me jetën tuaj.”(Al’imran: 186)

“Ai i cili ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush vepron më mirë.” (Mulk: 2)

Dhe gjithashtu thotë:

Ne ju vëmë në sprovë ju me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni.” (Enbija:35)

Nuk ka njeri që nuk ankohet nga sëmundja gjatë ditës apo natës. Sprova është ligj i Allahut në këtë lëmsh që quhet dynja. Sëmundja është pjesë e trupit tonë, e këtij trupi të dobët. Njeriu nga vetë natyrshmëria e tij është i dobët, por mëshira e Allahut ka bërë që ne ta harrojmë sëmundjen shpejt. Ajo që e ndihmon njeriun t’i shuajë dhembjet e sëmundjes është kur sheh se tjetri është edhe më keq se ai.

A nuk na këshilloi i Dërguari i Allahut duke na porositur:

“Është e çuditshme puna e besimtarit. E gjithë jeta e tij është dobi. Nëse atij i vjen një e mirë, ai falënderon Zotin dhe merr shpërblim për këtë gjë. Nëse atij i bie një fatkeqësi, ai duron për hir të Zotit dhe përsëri shpërblehet për këtë gjë. E kjo gjë ndodh vetëm me besimtarin.”[1]

Nuk ka dyshim se shëndeti është një ndër dhuntitë e mëdha të Allahut, pas së cilës janë mashtruar shumica e njerëzve dhe nuk e shfrytëzojnë ashtu si duhet. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Shfrytëzoni pesë gjëra para se t’ju vijnë pesë të tjera…” [2]dhe ndër to ka përmendur: shëndetin para se të sëmuremi.

Çdonjërit nga ne që Allahu i ka dhuruar shëndet fillimisht duhet ta falënderojë Zotin për këtë mirësi që tjetri nuk e posedon. Le t’ia kemi frikën Allahut dhe mos ta humbim shëndetin tonë duke prekur në harame dhe në ato gjëra që Allahu nuk është i kënaqur me ne.

Allahu thotë:
“E njeriu është krijuar si qenie e pafuqishme.”(Nisa: 4 )

Pafuqia e njeriut, dobësia e tij bën që ai në jetë të goditet për një moment me sfidën e sëmundjes. Një ndër momentet më të vështira që kalon njeriu është kur merr lajmin apo ndien vetë se është i sëmurë. Ky moment aq sa është i mërzitshëm në brendësinë e tij mban shumë domethënie, urti dhe dobi.
Vështirësia e tij qëndron se njeriu shpeshherë nuk do të ballafaqohet me realitetin. Për një moment atij i kujtohet familja, fëmijët, shoqëria, pasuria dhe shumë ëndrra të parealizuara, të cilat pastaj e bëjnë të mërzitet. Por nëse njeriu arrin ta bëjë këtë moment shumë domethënës dhe historik në jetën e tij, mund t’ia dalë mbanë. Kur ai kujton se i thotë vetes besimtar, beson në caktimin e Zotit në të mirë apo keq, ky moment i kujton se nëse duron, Allahu e do. Kujton se edhe Pejgamberët e Allahut sëmureshin edhe pse ishin njerëzit më të dashur të Zotit. Allahu na ka treguar për Ejubin a.s., i cili ishte përballur me sfidën e sëmundjes dhe Allahu tha për të:

“Vërtet, Ne e gjetëm atë të durueshëm. Sa rob shumë i mirë ishte ai dhe i kthyer te Zoti.” (Sadd: 44)

Pejgamberi ynë u sëmur disa herë gjatë jetës së tij dhe në fund, kur u nda nga kjo jetë, u nda duke u përballur me sfidën e sëmundjes.

Ose do të jesh i durueshëm, i kthyer te Zoti yt, ose do të jesh kundërshtar i caktimit të Tij dhe do të vuash përgjithmonë.

Enesi (radijAllahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (alejhi selam)ka thënë: “Mos bëni lutje për të vdekur dhe as mos e dëshironi vdekjen. E nëse patjetër doni të luteni me diçka, atëherë lutuni kështu: “O Zot, më lër të jetoj derisa jeta të jetë më e mirë për mua dhe më vdis nëse vdekja është më e mirë për mua!”[3]

  • Sëmundja, urtësia dhe dobitë e saj

Nganjëherë sëmundja zë vend te ne derisa bëhemi vetë sëmundja, duke mos e shikuar botën me ngjyrat e saj sepse ajo na ka verbuar. Dije se ngjyra e zezë është e mirë, por e bardha është edhe më e mirë, e nëse shikon nga qielli, të jep edhe më shumë shpresë.

Të adhuruarit e Allahut me durim:

Allahu thotë për durimtarët:
“Allahu i do durimtarët.” (Al’imran: 146)

 

Shkak për hyrjen në xhenet

Xheneti është mall i shtrenjtë, që nuk blihet lehtë. Pejgamberi alejhi selam ka transmetuar se Allahu ka thënë: “Kur robi Im sprovohet me dy të dashurit e tij (verbohet) dhe duron, do t’ia kompensoj me xhenet.”[4]

 

Kthimi në rrugën e Allahut

Kur njeriu ka humbur rrugën e Zotit, sëmundja bëhet shkak që ai të kthehet në rrugën e drejtë. Largohet nga gjynahet sepse shëndeti e mashtron shpesh herë njeriun të shkojë në rrugën të gabuara dhe ta harrojë Krijuesin e tij.

Ibn Tejmije thotë: “Sprova që të kthen tek Allahu është më e mirë sesa dhuntia (shëndeti), që të bën ta harrosh Allahun.”

Ibn Kajimi thotë: “Sikur të mos ishin sprovat e kësaj bote, njeriun do ta preknin sëmundje si mendjemadhësia, vetëpëlqimi, forcimi i zemrës, të cilat janë shkaktare të shkatërrimit të tij. Nga mëshira e të Gjithëmëshirshmit është që nganjëherë ta godasë njeriun me këto sprova, që ta mbrojë nga këto sëmundje.”

 

Hapja e derës së lutjes

Nga urtësia dhe dobitë e sëmundjes është se njeriu hap derën e lutjes mes tij dhe Allahut duke u munduar që të shprehë dobësinë, fajin, kërkimin e faljes. Me lutje ai do të ndihet më afër Krijuesit të tij.

 

Planifikimi i jetës

Njeriun kur e godet sëmundja, do të jetë i afërt me familjarët, farefisin, do të mundohet ta plotësojë zbrazëtirën që ka lënë. Ai do të mundohet t’u kërkojë falje atyre që i ka lënduar në jetë, t’u paguajë borxhet njerëzve. Tani e tutje jeta e tij do të ketë tjetër planifikim.

 

Mendimi i mirë për Allahun

Kur trupin e njeriut e godet sëmundja, ai duhet të kuptojë se afërsia apo largimi prej njerëzve nuk i bën dobi, por duhet të ketë mendim të mirë për Allahun dhe nga praktika e këtij mendimi të mirë kërkon që të veprojë shkaqet për mjekimin e sëmundjes.

Pejgamberi alejhi selam thotë: “Allahu nuk ka zbritur sëmundje veçse me të ka zbritur edhe ilaçin.”[5]

Dhe: “Mjekohuni o robër të Allahut, por mos u mjekoni me haram. Allahu nuk ka bërë ilaç në ato gjëra që i ka ndaluar.”[6]

 

  • Si t’i kalojmë momentet e sëmundjes?

Kur ti merr lajmin se je i sëmurë, praktiko këta hapa:

  • Ji i qetë dhe hesht.
  • Bëhu i kënaqur me atë që të ka caktuar Zoti.
  • Mjekohu, kërko ilaçin.
  • Bëhu i edukuar e jo i hidhëruar.
  • Duro pa ankesa.
  • Shpeshto lutjet, se “lutja është arma e besimtarit”.

 

Lutja përmbyllëse

“O Zoti im, më lër të jetoj derisa jeta të jetë më e mirë për mua dhe më vdis nëse vdekja është më e mirë për mua!”[7]

 

 

[1] Shënon Muslimi.

[2] E ka nxjerrë Hakimi në Mustedrek, nr. 7846/4/341. E saktësoi Albani në Sahu Xhami, nr. 1077.

[3] Sahih el Xhami, 7265.

[4] Shënon Buhariu, hadith kudsij.

[5]Shënon Buhariu.

[6] Shënon Ebu Davudi.

[7]Sahih el Xhami, 7265.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”