Rrëfimi i të burgosurit

0
2424

Hyrje

Falënderimet i takojnë Allahut që i krijoi njerëzit dhe i ndau ata në të pasur dhe të varfër, që zbriti ujin burim jete për çdo gjë, që caktoi shpërblimin për vepërmirët dhe ndëshkimin për vepërkëqijtë. Allahu ka dijeni për çdo gjë në qiell dhe në tokë. Dijes së Tij nuk mund t’i fshihen as gjurmët e milingonës në errësirën e natës. Atë e lartësojnë qielli dhe çfarë ka në të, deti dhe çfarë ka në të, toka dhe çfarë ka në të.

 “ Lartmadhëri të merituar i shprehin Atij shtatë qiejt e toka dhe çka ka në to, e nuk ka asnjë send që nuk e madhëron (nuk i bën tesbihë), duke i shprehur falënderim Atij, por ju nuk e kuptoni atë madhërim të tyre (pse nuk është në gjuhën tuaj). Ai është i butë dhe fal shumë.”[2]

 

Dëshmojmë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem është rob dhe i Dërguar i Tij, besnik ndaj amanetit hyjnor.


Të nderuar vëllezër!

 “ Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë.”[3]

Qëllimi final i krijimit dhe ardhjes së njeriut në këtë botë është adhurimi i Allahut. Pra njeriu çdo gjymtyrë të trupit të tij duhet ta lë në funksion të adhurimit pa marr parasysh cila është ajo , e madhe a po e vogël .

Këtë e shohim në jetën e shokëve të Pejgamberit sal-lallahua lejhi ue selem se si donin që të gjitha gjymtyrët e tyre të jenë në adhurim ndaj Allahut aze ue xhele . Erdhi një sahab dhe pyeti: “ O i Dërguar i Allahut, çfarë i shpie njerëzit më së shumti në zjarr? ” Ai aludoi për atë që do të flasim më poshtë, që është e vogël për nga madhësia, por e madhe për dëmin që sjell.

Sa mëkate, sa bidate, sa shumë shirk ndodh dhe sa e sa gjëra janë gjykuar pa të drejtë, sa zemra janë lënduar, sa lot kanë rrjedhur, sa njerëz kanë vuajtur, sa familje janë shkatërruar, sa zemra janë përçarë, sa gjak është derdhur, sa të pafajshëm janë vrarë, sa shpifje u janë bërë njerëzve të ndershëm dhe sa e sa divorce kanë ndodhur prej saj!

Nuk do të jesh në gjendje t’i numërosh të këqijat që kanë ardhur si pasojë e kësaj pjese të vogël në trupin e njeriut. Të gjitha këto dhe shumë të tjera bëhen për shkak të saj.

Imam Buhariu shënon hadithin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem:

من يضمن لي ما بين لحييه وما بين رجليه أضمن له الجنة

“Kush më garanton (se do ta ruajë) atë që është mes nofullave (gjuhën) dhe atë që është mes këmbëve të tij (organin gjenital), unë do t’ia garantoj atij xhenetin.”

Transmetohet se Kis ibin Sa’ideh dhe Ekthem ibin Sajfi, dy njerëz të mençur, ishin takuar një ditë. Teksa po bisedonin, njëri e pyeti tjetrin për të metat qenies njerëzore. Njëri tha:  -Janë të shumta, nuk ke mundësi t’i llogaritësh!

-Unë kam numëruar 8000 të meta,- tha tjetri.

-Por cila në sytë e tu është më e shëmtuara?

-Gjuha. Nëse e ndal atë, do t’i ndalësh të gjitha të metat.

Gjuha është shkaktare për shkatërrimin e njeriut.

Abdullah ibn Abasi thotë: “Asgjë nuk e meriton të burgoset më shumë se  gjuha.”

Të tjerët kanë thënë: “Shembulli i gjuhës është si i kafshës së egër. Nëse nuk e lidh, do të të sulmojë.”

Poeti thotë:

Ruaje gjuhën tënde, o njeri

Dhe mos lejo të të kafshojë, se ajo është gjarpër.

Sa shumë njerëz janë në varreza, të vrarë nga gjuhët e tyre?

Kushdo që frikësohet ta takojë Allahun është vërtet trim.

 

Nëse njeriu ndal gjuhën, ka ndalur përgojimin, konfliktet mes njerëzve, mes burrit dhe gruas.

Hasedi që lind në zemrat e njerëzve është shpeshherë për shkak të gjuhës .

Nënçmimi, përqeshja janë të gjitha si pasojë e gjuhës.

Zgjidhja? Mbaje gjuhën tënde të mbyllur në burg!

 

Tema

  • Ruajtja e gjuhës

 

 “ Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar.”[4]

“(Robërit e Zotit janë) Edhe ata që nuk dëshmojnë rrejshëm dhe kur (rastësisht) kalojnë pranë të keqes, kalojnë duke e ruajtur karakterin e vet.”[5]

 

 “ Që ai nuk hedh ndonjë fjalë e të mos jetë pranë tij përcjellësi i gatshëm. “[6]

“  Mjerë për secilin që ofendon e përqesh (njerëzit),”[7]

  • – ai që përgojon dikë para fytyrës së tij
  • -ai që përgojon dikë prapa shpinës.


Ibn Kethiri, Allahu e mëshiroftë, e ka komentuar ruajtjen e gjuhës me privimin e vetes nga të shqiptuarit e asaj që nuk justifikohet nga sheriati, ajo që nuk i sjell dobi folësit.[8]

Imam Neueuiu thotë: “Ai që dëshiron të flasë ndonjë fjalë apo fjali, duhet të meditojë se a ka dobi ajo që do të flasë apo më mirë i duhet të heshtë.”[9]

 

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem thotë:

 “Kushdo që beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit, atëherë le të flasë mirë ose le të heshtë.”[10]

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka këshilluar që ajo të mos nxirret nga burgu, madje të mos i hiqen prangat, me përjashtim të rastit kur përdoret për të mirë.

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem na mëson se kush nuk dëshiron të thotë të vërtetën, duhet të heshtë. Pra, lëre gjuhën në burg edhe më tej.

Ukbe bin Amri erdhi te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem dhe e pyeti për rrugën e shpëtimit në këtë jetë plot sprova. Gjëja e parë që i tha Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ishte: “Kape gjuhën tënde!”

Abdullah bin Mubareku ka thënë: “ E gjeta të lehtë devotshmërinë në çdo gjë, përveç në gjuhë.”

Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: “Kjo më ka futur në bela.”

 

Pse njerëzit e ditur dhe të urtë e preferonin heshtjen çdo herë?

 

Muhamed ibn Uasi, Allahu e mëshiroftë, rrinte gjithmonë i heshtur, përveç kur jepte mësim. Njëri prej atyre që rrinte me të thoshte: “Nëse doni, ia numëroj fjalët prej xhumasë në xhuma.”

Abdullah ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, e kapte gjuhën e tij dhe thoshte: “Mjerë për ty, thuaj të vërtetën që të fitosh ose hesht që të shpëtosh!”

Transmetohet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “ Është pyetur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem se çfarë i shtyn njerëzit të hynë më shumë në xhenet dhe ka thënë: “Devotshmëria, morali i lartë.” Është pyetur se çfarë i shtyn më shumë në zjarr dhe ka thënë: “Elxhaufan, goja dhe organi gjenital.”

Përcillet nga Abdullah ibn Amër, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “ Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush hesht është i shpëtuar.”[11]

Sahabi i nderuar Ebu Musa Esharij shkon dhe kërkon këshillë nga Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem. “O i Dërguari i Allahut, cili musliman është më i mirë?”

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem nuk i thotë ata që falen natën, që agjërojnë, që luftojnë, por “ Më i miri i muslimanëve është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit muslimanët janë të sigurt.”[12]

 

 

  • Rreziku i gjuhës

Imam Buhariu në koleksionin e haditheve të tij shënon hadithin e Ebu Hurejrës, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë:

 

“Me të vërtetë një rob i Allahut do të flasë një fjalë duke mos qenë i vetëdijshëm për pasojën e saj dhe për shkak të saj do të hidhet në zjarr më thellë sesa distanca mes lindjes dhe perëndimit.”[13]

Allahu i Madhëruar thotë:

“ Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjësi. “[14]

 

Shikimi, fjalët, ajo që ke në zemër, për të gjitha në Ditën e Kiametit do të jesh përgjegjës.

Tirmidhiu shënon nga hadithi i Bilal bin Harith el Muzenij, i cili e ka dëgjuar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue selem duke thënë:

 “Ndodh që dikush prej jush të flasë një fjalë që e kënaq Allahun dhe ai nuk është i vetëdijshëm për ndikimin e saj. Allahu do të jetë i kënaqur ndaj tij deri në ditën që do ta takojë Atë. Dhe ndodh që dikush prej jush të flasë një fjalë që e hidhëron Allahun dhe ai nuk është i vetëdijshëm për dëmin e saj. Allahu do të jetë i zemëruar ndaj tij deri në ditën që do ta takojë Atë.”

Subhanallah! Njeriu me një fjalë të mirë që thotë apo me një këshillë që jep mund të jetojë në këtë botë duke qenë Allahu i kënaqur me të.

Por vetëm një fjalë që mund t’ia thotë dikujt, një fyerje, një nënçmim etj., bën që ai të ecë në këtë botë duke qenë Allahu i zemëruar me të.

Alkame, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Shumë fjalë kisha dëshirë t’i thosha, por më ndaloi hadithi i Bilal bin Harithit.” Pra, ky hadith.

Ebu Seid el Huderi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, ka transmetuar se i Dërguari sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur biri i Ademit zgjohet nga gjumi, të gjitha pjesët e trupit të tij kërkojnë strehim (shpëtim) nga gjuha e tij duke thënë: Ki frikë Allahun në lidhje me ne, se me të vërtetë ne jemi pjesë e jotja. Kështu, nëse ti je e drejtë, atëherë edhe ne do të jemi të drejtë dhe nëse ti je e prishur (degjeneruar), atëherë edhe ne do të jemi të prishur.”[15]

Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem është pyetur se çfarë i shtyn njerëzit më së shumti në zjarr, nuk ka thënë kamata, pasuria haram apo vjedhja, edhe pse këto janë gjëra të ndaluara në Islam. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka treguar se ajo që më së shumti i fut njerëzit në zjarr është gjuha dhe organi gjenital.

Imam Muslimi shënon hadithin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem: “A e dini kush është njeriu i falimentuar në Ditën e Kiametit?” Të pranishmit ia kthyen: “Ai që nuk ka dinarë e as dërhemë, o i Dërguari i Allahut.”

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem iu përgjigj: “I falimentuar nga umeti im është ai që vjen në Ditën e Kiametit me namaz, agjërim, zekat, por  ka fyer, ka shpifur, ka ngrënë pasurinë e huaj, ka derdhur gjak dhe ka rrahur pa të drejtë. Dhe të gjithë do t’ia marrin të mirat e nëse mbetet pa to, atëherë hidhet në zjarr.”

Allahu na ruajttë nga dënimi i tij!

Pra, burgose gjuhën tënde dhe ki kujdes nga shpifjet në nder, fyerjet, nënçmimet, përqeshjet!

Një ditë është informuar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem për një grua që bënte punë të mira, por u bënte keq fqinjëve me gjuhën e saj. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem nuk i tha se të mirat i shlyejnë të këqijat, por gjykoi për të se ajo e kishte vendin në zjarr.

Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem bëri udhëtimin e Miraxhit, pa disa njerëz që kishin thonj prej bakri dhe me to gërvishtnin fytyrat dhe gjokset e tyre. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem pyeti: “Kush janë këta njerëz?!”

Xhibrili i tha: “Këta janë ata që hanë mishin e njerëzve (përgojojnë) dhe prekin në nderin e të tjerëve.”

(Shënon Ebu Daudi. E ka saktësuar ibn Kethiri në komentimin e sures Huxhurat nga hadhithi i Ebu Hurejrës.)

Kur u gurëzua Ma’iz bin Maliku, dy persona po flisnin njëri me tjetrin: “Sa çudi me këtë njeri! Allahu ia mbuloi turpin e ky shkoi e zbuloi atë, e sot po gurëzohet si qeni.” Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem kur po kalonte afër një gomari të ngordhur, tha: “Ejani ju të dy dhe hani nga ky gomar i ngordhur.” Thanë: “Allahu të faltë, o i Dërguari i Allahut! Si hahet ky gomar i ngordhur?” Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem tha: “Ajo që hëngrët nga vëllai juaj pak më parë është më e keqe se ky gomar i ngordhur.”

Dhe shtoi për Ma’zin: “Ai tani është duke u larë në lumenjtë e xhenetit.”

 

 

  • Si ishte gjuha e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem?

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, ka thënë: “Nuk kam prekur mëndafsh më të butë sesa dora e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, as nuk kam nuhatur erë më të mirë sesa era e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem. I kam shërbyer Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem për dhjetë vite dhe nuk më ka thënë kurrë uf, as për ndonjë gjë që e kam bërë, pse e kam bërë, e as për ndonjë gjë që nuk e kam bërë pse nuk e ke bërë kështu.”[16]

Transmetohet se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem heshte shumë dhe qeshte pak.[17]

Nëse dëshiron, eja me mua. Eja të kthehemi në jetën e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem dhe të shokëve të tij në Medinë, të shohim se si ishin të matur në atë që flisnin, në bisedat, pranë Pejgamberit apo edhe kur ishin vetëm, kur ishin të hidhëruar apo edhe të kënaqur me familjen, fëmijët, shokët dhe me njerëzit e tjerë.

Ata e ruanin gjuhën dhe i zgjidhnin shprehjet gjatë bisedës së tyre dhe këtë ua mësonte Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem.

Shënojnë Ebu  Daudi dhe Tirmidhiu, se një ditë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ishte ulur me Aishen dhe përmendi gruan e tij, Safijen. Aishja ia ktheu: “Mjafton për të që ajo është kështu dhe kështu” dhe bëri me shenjë se ajo është e vogël. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem u kthye shpejt dhe i tha: “Oj Aishe, ke thënë diçka që sikur të përzihet me ujin e detit, do ta ndryshonte atë.”

Sikur kjo të përzihej me ujin e detit, do t’ia ndryshonte erën, shijen dhe ngjyrën, edhe pse ne mendojmë që është e vogël, por tek Allahu është e madhe.

Për shkak të rrezikut dhe pasojave që sjell gjuha, Allahu i Madhëruar e ka bërë mes dy mbështjellësve, dhëmbëve dhe buzëve, që të mos dalë dhe t’i pengojë njerëzit.

Një ditë, nëna e besimtarëve Aishja ishte agjërueshëm. Kur erdhi koha e iftarit, shërbëtorja i tha: “A ta sjell ushqimin?” Aishja ia ktheu: “Nuk jam e uritur, por sille të luajmë e të kalojmë kohën me të.”

Pastaj tha: “Estagfirullah, të luaj me dhuntinë e Allahut?!” Vetëm për këtë fjalë mblodhi të hollat që kishte dhe bleu dy robër dhe i liroi për hir të Allahut, që t’i falet ky mëkat. As kishte përgojuar, as kishte fyer, vetëm kishte thënë disa fjalë që i kishin ardhur për momentin në gojë, por i llogariste si gjë të madhe.

 

 

  • Si duhet të jetë gjuha e muslimanit

Transmetohet nga Ebu Zejdi se ka thënë: “Ka thënë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem: Shembulli i besimtarit është sikurse shembulli i bletës, nuk ha pos të mira dhe nuk sjell veç mirësi.”[18]

 

Kështu kishin kujdes të parët tanë për çdo fjalë që flisnin.

Imam Ahmedi një ditë po vizitonte një të sëmurë dhe po bisedonte për gjendjen e tij, prandaj e pyeti: “A të ka vizituar ndonjë mjek?” I sëmuri ia ktheu po, isha te filan mjek.” Imam Ahmedi i tha: “Shko te filani, se ai është më specialist.” Dhe u ndal pak dhe tha: “Estafgirullah! I kërkoj falje Allahut pse e përgojova të parin.”

Tregohet në historinë e Muafa bin Sulejmanit se ai ishte njeri që fliste vetëm për gjërat e dobishme dhe gjersa po ecte, takoi një njeri i cili iu ankua se atë ditë ishte shumë ftohtë. Muafa, Allahu e mëshiroftë, ia ktheu: “Subhanallah! Shiko vëlla, më mirë është për ty që kur të flasësh, të thuash diçka që të bën dobi.”

Imam Shafiu një ditë ishte duke studiuar zinxhirin e disa haditheve me Ibrahim el Muzenij dhe kur arritën te një person, el Muzenij i tha “ky është gënjeshtar”.

Shiko edukatën e këtij dijetari të madh, imam Shafiut, Allahu e mëshiroftë: “O Ibrahim, vishi fjalët e tua, mos i nxirr lakuriq nga goja.”

Jahja ibin Meini në një mësim ku po shpjegonte zinxhirin e haditheve përmend personat që ishin gënjeshtarë, të dobët, shpifës. Këto janë diçka e patjetërsueshme sepse nëse kjo shkencë nuk do të ekzistonte, atëherë njerëzit do t’i kishin marrë hadithet e dobëta për bazë. Teksa ky po fliste për këta njerëz, erdhi një beduin dhe u ul në mexhlisin e Jahja ibin Meinit.

Dhe kur dëgjoi se Jahja bin Meini po fliste kështu, i tha: O imam, këta njerëz që po përmend janë gjallë apo kanë vdekur?”

I tha: “Të vdekur.”

Beduini i tha: “Ju po flisni për njerëz, që ndoshta shputat e tyre kanë shkelur në xhenet.”

Jahja bin Meini filloj të qajë. Edhe pse po fliste për një gjë të lejuar, këshilla e beduinit ishte prekëse dhe u ngrit nga mexhlisi i tij.

Sufjan et Theurij një ditë kaloi pranë disa personave që po bisedonin, u ndal dhe i pyeti: “Sikur në mesin tuaj dikush t’i bartte fjalët te sulltani, a do t’i zgjidhnit fjalët tuaja?” Thanë: “Po, natyrisht, që të mos hidhërohet më pas me ne.”

Sufjan et Theurij u tha: “I lartësuar qoftë Allahu, në mesin tuaj ka të tillë që ju flisni dhe ata bartin tek Allahu. Kini kujdes se çfarë po flisni!”

Çdo gjë që ti bën për të nënvlerësuar vëllanë tënd e ke të ndaluar.

Imam Muslimi shënon hadithin e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem, ku thuhet: “A e dini ç’është përgojimi?” Të pranishmit i thanë se Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri. Tha: “ T’ia përmendësh vëllait tënd atë që e urren.”

Tregohet se një njeri kishte shkuar te Hasen el Basriu dhe i tha: “Më ka ardhur lajmi se më ke përgojuar.” Hasen el Basriu ia ktheu: “Vallahi! Ti nuk je i afërt i imi që të t’i dhuroj sevapet e  mia. Nëse do të përgojoja dikë, do të përgojoja babanë dhe nënën time, se ata kanë më shumë të drejtë për t’ua dhuruar sevapet e mia.”

Një ditë, teksa Hasen el Basriu po qëndronte në shtëpinë e tij, papritmas dikush trokiti në derë.  Hasen i tha: “Urdhëro!” Trokitësi ia ktheu: “O Eba Seid, sikur të ishe sot në mexhlisin e filanit…” Hasen el Basriu ia ktheu: “Hajr! Çfarë ka ndodhur?” I tha: “Filani të ka përgojuar.”

Shikoni se si ia ktheu Hasen el Basriu. “Eudhu bilah! Shejtani nuk ka gjetur kë ta dërgojë pos teje?!” Dhe e përzuri nga shtëpia. Pasi u kthye në shtëpi, mori një pjatë me hurma dhe ia dërgoi atij që e kishte përgojuar dhe i tha: “Këtë e ke dhuratë nga unë.”

Allahu ju shpërbeftë, por përse kjo dhuratë?”

Haseni i tha: “Sot më erdhi lajmi se më ke dhuruar sevape e desha të ta kompensoj me këtë dhuratë modeste.”

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush e mbron vëllanë e tij, Allahu do ta mbrojë fytyrën e tij nga zjarri i xhehenemit.”[19]

Sufjan bin Husejni po qëndronte tek Ijas bin Muavije kur erdhi një njeri dhe posa u largua, Sufjani nuk foli fjalë të mira. Ijas bin Muavije i tha: “Hesht, o Sufjan! A ke luftuar kundër romakëve?” Sufjani i tha jo. Ijasi i tha:” A ke luftuar kundër mexhusëve? I tha jo.

Ijasi i tha: “Subhanallah! Kanë shpëtuar nga ti romakët e mexhusët e si ka mundësi të mos shpëtojnë vëllezërit e tu muslimanë?!”

 

Të nderuar vëllezër!

Ai që e ruan gjuhën e tij është i suksesshëm dhe fitues në të dy botët.

Edhe pse fatkeqësitë që rrjedhin nga gjuha janë të shumta, si përgojimi, gënjeshtra, fyerja e mallkimi, kjo ishte një këshillë rreth gjuhës për atë që dëshiron të marrë mësim.

 

  • Rrëfimi i të burgosurit

Këtë ngjarje e rrëfen Dr. Muhamed Arifi. Ai thotë: -Isha duke mbajtur një ligjëratë në një burg, përpara një grupi të madh të burgosurish.

Pasi e mbarova ligjëratën, më erdhi një toger dhe më tha: -Hoxhë i nderuar, a keni mundësi t’i këshilloni disa të burgosur që gjenden në këtë anë? E pyeta: -Po, por pse nuk ishin edhe ata këtu? Më tha se janë të dënuar për krime të mëdha dhe nuk mund të vinin aty.

Pastaj shkuam dhe po shikoja që secili ishte në dhomën e vet. Kështu fillova t’i këshilloja një nga një. Mes të gjithëve më la përshtypje një djalë, për shkak të qëndrimit dhe pamjes së tij, prandaj e pyeta togerin: -Pse është ky djalë këtu?

Më tha: -Historia e tij është shumë interesante. Ky nuk kishte më shumë se tre muaj që ishte martuar dhe jetonte vetëm me bashkëshorten e tij. Punonte dhe bënin një jetë shumë të mirë në fillim, por si duket disa njerëz të sëmurë dhe qëllimkëqij ishin xhelozë dhe i bënë një kurth.

Një ditë, pasi kishte ardhur nga puna, kishin shkuar dhe e kishin pyetur. -A e ke shitur veturën?

-Jo, pse?, i tha ky.

-Sot po kalonim këndej, pranë banesës tënde, dhe pamë një veturë të bardhë.

Kështu filluan paragjykimet e djaloshit ndaj gruas së tij. Në këtë familje filloi zjarri i fjalëve dhe i moskuptimeve, kështu që djaloshi vendosi ta dërgojë nusen e tij tek familja e saj për një afat të pacaktuar derisa të qetësohej gjendja. Po zemërkëqijtë nuk u ndalën. Ata prapë filluan t’i hidhnin dyshime këtij djaloshi duke i thënë se ata personat që vinin te banesa e tij, po shkojnë edhe te shtëpia e saj.

-Çfarë burri je ti që nuk kontrollon dot një grua? Pse u martove?

Atëherë shejtani gjeti vend dhe një natë ky djalosh shkoi te shtëpia e saj, hyri brenda nga ballkoni i shtëpisë dhe u fut në dhomën e saj. Vajza e gjorë pa asnjë faj ishte në gjumë. Djali e vrau atë me thikë në shtratin e saj. Pastaj, pa hezituar, iu drejtua policisë dhe tregoi çfarë i kishte ndodhur.

 

“ O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtojeni mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë.”[20]

 

 

  • Kërkimi i mbrojtjes nga dëmi i gjuhës

Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem na ka mësuar se si të kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e gjuhës. Shekel bin Humejdi, Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, ka thënë: “Shkova te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem dhe i thashë: “O i Dërguari i Allahut! Mësomë diçka që të mbrohem nga gjuha.” Më kapi për supesh dhe më tha: “Thuaj: Të lutem, o Zot, më ruaj nga e keqja e të dëgjuarit tim, nga e keqja e të parit tim, nga e keqja e gjuhës sime, nga e keqja e zemrës sime dhe përgjithësisht nga e keqja që rrjedh nga unë!”

 

Lus Allahun e Madhëruar të na ruajë gjuhët tona nga gënjeshtra, fjalët e kota, të pista dhe mallkimi! Të na bëjë prej atyre që i përdorim gjuhët tona në ibadet dhe dhikër ndaj Allahut të Madhëruar!

 

Paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamed ibën Abdullah.

Allahu e di më së miri!

 

 

 

[1] Ligjëratë e mbajtur nga Dr. Muhamed Arifi, përktheu Rashit Zylfiu

[2] Isra, 44

[3] Dharijat,56

[4] Nur,24

[5] Furkan,72

[6] Kaf,18

[7] Humezeh,1

[8] Fethu el barij (11/308).

[9] Sherh Muslim (18/328).

[10] Buhariu, Muslimi.

[11] Shënon Termidhiu, e ka saktësuar imam Albani.

[12] Shënon Muslimi.

[13] Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[14] Israh,36

[15] Shënon Termidhiu, hadithi është hasen.

[16] Shënojnë Buhariu, Muslimi.

[17] Shënon Ahmdi, hadithin e ka saktësuar Albani.

[18] Shënon Ibn Hibani, e saktëson Albani.

[19]Shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

[20] Huxhurat, 6