A ka mundësi që mëkati i vogël të bëhet mëkat i madh?

0
891

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Çfarëdo e keqe që mund t’ju godasë, ajo është pasojë e veprave tuaja (të këqija), e për shumë të tjera Ai ju fal.”[2]

 

Le të sjellim disa hapa kur mëkati i vogël mund të bëhet i madh.

 

Këmbëngulja dhe vazhdimësia në mëkat

Gabimi më i madh është kur mëkati shndërrohet në zakon dhe bëhet pjesë e jetës. Për shembull, nëse njeriu vazhdon të shohë haram, kjo shndërrohet në mëkat të madh.

 

Përbuzja e mëkatit

Në syrin tënd një mëkat mund të jetë i vogël, por tek Allahu i madh. Gabimi i fëmijës për prindin mund të jetë i madh, edhe pse fëmijës i duket i vogël.

 

Të gëzohesh me mëkatin

Dikush bie në mëkat dhe pastaj gëzohet për një gjë të tillë. Ky gëzim është mëkat më i madh se vetë mëkati që bën njeriu. Për shembull dikush gëzohet me veprime të ulëta si fyerja e tjetrit, mashtrimi, vjedhja e pasurisë dhe prekja e nderit të tjetrit.

 

Anashkalimi kur Allahu ia mbulon njeriut mëkatin

Mbulesa e gjynaheve tona nga Allahu është mëshirë. Bijtë e Israelit kur mëkatonin natën, ditën e nesërme e gjenin të shkruar në derë mëkatin e tyre dhe ky ishte dënim për ta. Nëse njerëzit i sheh se po habiten me ty, dije se ata po habiten me mbulimin që Allahu të ka bërë e jo për shkak të aftësive të tua.

 

Të mëkatosh haptazi

Njeriu natën mëkaton, Allahu ia mbulon turpet e tij, kurse ditën e nesërme ai shkon dhe u tregon njerëzve se çfarë ka bërë. Me dorën e vet ai heq perden e Zotit.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “I gjithë umeti im është i falur, përveç atyre që mëkatojnë haptazi.”

 

Kur njeriu bëhet model për së keqi

Mëkati i figurave publike është edhe më i madh sepse shihet nga të gjithë. Mëkati i këtij njeriu nga i vogël shndërrohet në mëkat të madh.

[1] Data 20/03/2015.

[2] Kur’an, Shura: 30.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Seria: Pse pendimi?