Virusi corona këshilla dhe mësime: Këshilla #8: ADRESA HYJNORE

0
766

Këshilla 8: ADRESA HYJNORE

Allahu ﷻ thotë në Kur’an: 

﴿إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّـهِ

“Ai (Jakubi) tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim ia parashtroj Allahut.” [Jusuf: 86]

Prej shenjave të besimit të dobët janë ankesat e shumta drejtuar njerëzve, inatosja dhe indinjata që na kaplon, a thua se shkaqet materiale janë mekanizmi që i lëviz ato. Kush i ankohet Zotit, ka gjetur rrugën e duhur, kurse ai që ankohet nga Zoti, e ka humbur atë rrugë. Le të kujtojmë se çfarë i ndodhi Profetit Jakub , për shkak të humbjes së birit të tij, Jusufit, dhe vëllait të tij të vogël, e më pas edhe vëllait të madh të tyre. Ai humbi shikimin, e kaploi pleqëria dhe u godit nga sëmundje dhe sprova të njëpasnjëshme, por qe stabil dhe duroi. Allahu na e përshkruan këtë gjendje në Kur’anin Famëlartë:

﴿قَالَ إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّـهِ وَأَعْلَمُ مِنَ اللَّـهِ مَا لَا تَعْلَمُونَ

“Ai (Jakubi) tha: “Unë hidhërimin tim dhe pikëllimin tim, ia parashtroj Allahut, e unë di për Allahun atë që ju nuk e dini.” [Jusuf: 86]

Ibën Kajimi ka thënë: “Ankesa drejtuar Zotit nuk do të thotë se mohon durimin e bukur, por distancimi total i njeriut nga ankesa drejtuar njerëzve për t’iu drejtuar vetëm Allahut nënkupton durim. Allahu e sprovon robin e Vet që të dëgjojë nga ai ankesën, përuljen dhe lutjet e tij. Zoti i ka qortuar ata që nuk i përulen Atij në kohë fatkeqësish e sprovash.”

Gjithashtu ai ka thënë: “Allahu e urren atë që ankesën fillimisht ua drejton njerëzve dhe e do atë që ankesën ia drejton Atij. I është thënë dikujt: “Si i ankohesh Atij (Allahut) që nuk i fshihet asgjë?” U përgjigj: “Zoti e do nënshtrimin e robit të Tij.”

 

Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU

Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime