Pse të mërzitem?

0
1206

Pse të mërzitem?

I dashuri ynë, Muhamedi paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, lutej: “O Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe mërzia!”[1]

Mërzia është errësirë e fshehur në brendësinë e njeriut, ngadalëson frymëmarrjen, shtrëngon gjoksin, copëton zemrën. Ajo shkaktohet kur dashuron diçka çmendurisht dhe në moment zbulon se gjithçka ka qenë një iluzion, kur përzgjedh gjëra dhe kupton se ke përzgjedhur gabim.

Mërzia na godet më tepër kur ndiejmë se errësira na ka kapluar nga çdo anë, kur syve tanë u fshihen gjërat e bukura, kur humbim një shok pa të cilin mendojmë se nuk mund të jetojmë. Për një çast humbim gjërat që zotëronim.

Nganjëherë mërzia zë vend tek ne derisa bëhemi vetë ne mërzia, duke mos e shikuar botën me ngjyrat e saj sepse ajo na ka verbuar. Dije se ngjyra e zezë është e mirë, por e bardha është edhe më e mirë, e nëse shikon nga qielli, të jep edhe më shumë shpresë.

Mërzia shpeshherë na ngulfat duke harruar se në jetë ka shumë gjëra të bukura dhe njerëz që na ndriçojnë errësirën që na sjell mërzia.

Nëse nuk gjen kënd të ndezë kandilin, mos mendo për atë që e fiku, nëse nuk gjen kënd të mbjellë një lule, mos u merr me atë që ta këputi lulen e shpresës sepse këto të sjellin vetëm mërzi.

Mos u mërzit nëse në jetë çalon diku, e as mos e rëndo veten me netët që kanë kaluar sepse fletët e jetës nuk kthehen kurrë, por shiko ato që kanë mbetur pa rënë ende.

Mos u mërzit për të djeshmen se ajo nuk kthehet, e as mos u brengos për të sotmen sepse edhe kjo do të shkojë.

Mos u mërzit nëse të godasin shtizat e njerëzve më të afërt të zemrës tënde sepse një ditë do të vijë dikush që do t’i largojë ato dhe të jep shpresë për jetë dhe buzëqeshje.

Mos i vë ëndrrat e tua në një drejtim e as mos mendo se fundi i punëve të tua është fundi i botës. Mos u mundo me një ëndërr që të ka tradhtuar e nënçmuar në jetë, por fillo diçka të re. Mos i shiko fletët që kanë ndryshuar ngjyrën, as shkronjat që kanë ndryshuar formën, as rreshtat e çrregullt, por lexo kuptimin e tyre.

Pse të mërzitem?

Unë i them vetes besimtar. Çdo moment jetoj me begatitë e Allahut. Rrizku im është i shkruar, jeta ime është e caktuar, vdekjen nuk e di se kur vjen.

Pse të mërzitem?

Zoti im është më i mëshirshëm ndaj meje se prindërit e mi.

Pse të mërzitem?

Zoti im nëse i kërkoj falje, më fal.

Pse të mërzitem?

Zoti im nëse do që një gjë të ndodhë, mjafton t’i thotë “bëhu!” dhe ajo bëhet.

Pse të mërzitem?

Kur mërzitem, më mjaftojnë dy rekate për të qenë më afër Krijuesit tim.

Pse të mërzitem?

[1] Transmeton Buhariu, 7/158: “Pejgamberi a.s. e përsëriste shpesh këtë lutje.”

Rashit Zylfiu