Si të ndryshojmë në Ramazan

0
973

Ebu Hurjera transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: Kur vjen muaji i Ramazanit, hapen portat e xhenetit, mbyllen portat e xhehenemit dhe shejtanët prangosen.”[2]

Sikur të ndalemi dhe të meditojmë rreth kësaj, do të gjejmë një energji e cila do të na shpjerë përpara që t’u shmangemi mëkateve dhe të garojmë në vepra të mira.

Ramazani është rast i mirë që të ndryshojmë ngase pikërisht në këtë muaj u bë ndryshimi i historisë, u kalua nga errësira në dritë.
A nuk është muaji Ramazan ai në të cilën u shpall Kurani?
A nuk është muaji Ramazan ai kur ndryshohen ligjet e Allahut, hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit dhe prangosen djajtë?
A nuk ndodhi në Ramazan lufta e madhe e Bedrit, ku triumfoi ushtria e Muhamedit alejhi selam dhe pas asaj dite ylli i Islamit mori hov?
A nuk ishte çlirimi i Mekës po në këtë muaj, ku njëherë e përgjithmonë Qabeja e bekuar pastrohet nga njollat e shirkut dhe të kufrit?

Të gjitha këto shkaqe na japin të kuptojmë se Ramazani është rasti më i favorshëm për atë që dëshiron të ndryshojë në jetën e tij ngase dyert janë të hapura dhe nuk kërkohet asgjë përveç vullnetit të sinqertë.

Ramazani është rasti më i mirë për të ndryshuar ngase besimtari bëhet i devotshëm. Allahu i Madhëruar thotë:

لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

“…që të bëheni nga të devotshmit.” [3]

Dobia madhore e Ramazanit është që të bëhemi të devotshëm.

Shiko se si Aliu radijAllahu anhu e përshkruan devotshmërinë: “Devotshmëria është frika nga Allahu, të punuarit me ligjin e Tij, ngopje me të paktën dhe përgatitje për ditën e fundit.

Ramazani është rasti për të ndryshuar nëse nuk ke qenë prej atyre që falnin namaz apo e ke vonuar nga koha e tij. Njëherë e përgjithmonë nëse dëshiron të ndryshosh në jetë, e para gjë që duhet të kërkosh nga ky Ramazan është t’i falësh të pesta kohët dhe ta kuptosh se nga një besimtar që ka falur vetëm xhumanë tash e tutje do të falësh pesë kohë dhe do ta kuptosh se kjo do të sjellë ndryshim pozitiv në jetë, pasi namazi është lidhja më e fortë me Zotin.

 

Ramazani është rast i mirë për atë që ka rënë në bela me drogën, alkoolin, duhanin sepse i jep energjinë për t’i braktisur këto dukuri të shëmtuara, të cilat ia shkatërrojnë jetën, familjen dhe shoqërinë.

Njeriu e pyet Ramazanin: -Si të ndryshoj?

Ramazani i përgjigjet: -Ashtu si ke mundësi, pra gjërat që në esencë i ke hallall, lëri tërë ditën dhe do të kesh mundësinë që njëherë e përgjithmonë t’i braktisësh këto bela në të cilat ke rënë, sa nuk është bërë vonë.

Vëlla i dashur!

Unë të përgëzoj se t’i mundesh dhe argument për këtë është imani yt në Krijuesin e gjithësisë. Kush të pengon që këto gjëra mos t’i bësh gjatë Ramazanit, kush nga njerëzit e di se ti je duke agjëruar apo jo? Vetëm frika dhe bindja se Allahu e di dhe të shikon të bën të agjërosh.

Ti pate vullnet që të agjërosh 17 orë në ditë, a nuk është momenti që ky vullnet të të ndihmojë të ndryshosh njëherë e përgjithmonë dhe të mos i përdorësh më drogat?

Kërko ndihmën e Allahut që t’i braktisësh këto bela.

Ramazani është rast i mirë për të ndryshuar edhe ai që është zhytur në kamatë dhe borxhe si dhe mundësia më e mirë për të dalë prej kësaj belaje nga e keqja në të mirë.

Ti ke mundësinë që t’i ngresh duart me besimtarët në Ramazan për t’iu lutur Allahut, por nëse rrobat dhe ushqimi yt janë nga harami, atëherë si të të përgjigjet ty Allahu?

Allahu do që ti të ndryshosh e të pendohesh te Zoti. Pendimi është ndryshim ngase ti po braktis gjynahet, po kalon nga një njeri që ishe larg Zotit në një besimtar që po i afrohesh Zotit tënd. A nuk është ky ndryshimi më i lumtur në jetën tënde?

Allahu thotë:  

إِنَّ اللَّـهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ وَيُحِبُّ الْمُتَطَهِّرِينَ

“Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” [4]

 

Mesazhi

Ibn Xhevzij thotë: “Shpirti është si zogu: nëse e tremb me zë, shpeshherë nuk ikën, por nëse sheh se ke gur në dorë, atëherë menjëherë ikën. Edhe shpirti, nëse sheh nga ti vendosmëri, ndalet nga gjërat e këqija që kërkohen nga t’i ti ndryshosh në të mira.

Allahu i madhëruar Thotë:

إِنَّ اللَّـهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوْمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُوا مَا بِأَنفُسِهِمْ

“ Me të vërtetë, Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë në vetvete. “[5]

 

 

 

[1] Data:27/07/2012

[2]  Transmetojnë Imam Buhariu dhe Imam Muslimi.

[3] Bekare: 183.

[4] Bekare: 222.

[5] Rad,11

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com