Si të pendohem dhe të kthehem tek Allahu?

0
2496

Një ndër obligimet e besimtarit gjatë jetës së tij është edhe pendimi. Allahu në më shumë se tetëdhjetë vende në Kur’anin Famëlartë e ka ftuar njerëzimin në përgjithësi e besimtarët në veçanti që të pendohen, që të kthehen tek Ai në rrugën e paqes dhe lumturisë, në Islam.

Allahu thotë:  “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i fal të gjitha mëkatet, Ai është që shumë fal dhe është mëshirues!”[2]

Edhe pse në këtë ajet thirren mëkatarët, Allahu nuk i përjashton nga mëshira e Tij të gjithë robërit e Tij sepse nuk tha “o ju mëkatarë”, por “o robërit e Mi”.

Prej emrave të bukur të Allahut është emri “Falës”. Këtë na e dëshmon ajeti kur’anor ku Allahu thotë:

“Me të vërtetë, Unë jam falës për atë që pendohet dhe beson e punon vepra të mira, e qëndron në rrugë të drejtë.”[3]

Vështirësia e kuptimit të pendimit ndodh për dy shkaqe. Jo të gjithë njerëzit janë në gjendje ta kuptojnë rëndësinë dhe pozitën e pendimit, për disa arsye:

  1. për shkak të injorancës
  2. për shkak të thatësisë së zemrave me Allahun.

Për ta kuptuar realitetin e pendimit duhet thënë se pendimi është ndalje nga mëkatet.

 

  • Pse të pendohem?

Shumë njerëz i shtrojnë vetes pyetjen: Pse të pendohem? Kategoritë e njerëzve përballë pendimit janë këto:

  1. Disa nuk pendohen sepse nuk e dinë çfarë kanë bërë.
  2. Disa nuk binden se janë në gabim.
  3. Disa mendojnë se janë në të vërtetën.

 

Qëllimi i pendimit

Nuk ka dyshim se besimtari në jetën e tij çdo hap që bën ka synime dhe duhet ta dijë qëllimin e vet pse po e bën një gjë të tillë. Pendimi na mundëson të kthehemi në rrugën e drejtë. Por le të kthehemi tek qëllimi i ardhjes sonë në këtë botë, për t’iu përgjigj urdhrit hyjnor.

Allahu i Lartmadhërishëm thotë:

 “O ju që keni besuar! Pendohuni sinqerisht te Perëndia.”[4]

Dhe:

 “Të gjithë ju, o besimtarë, pendohuni te Perëndia, që të arrini shpëtimin![5]

 

Pendimi është ikje nga zullumi në shpëtim

Allahu thotë:

“E, ata që nuk pendohen, ata, me të vërtetë, janë zullumqarë.”

Zullum më i madh që njeriu i bën vetvetes është kur e ngarkon nefsin e vet me mëkate. Pra, padrejtësi është ta kundërshtosh urdhrin e Zotit dhe të vazhdosh në rrugën e mëkateve.

Gjetja e lumturisë

Shumica e njerëzve që jetojnë në botën e mëkateve jetojnë në një lumturi të imagjinuar, të rrejshme e të përkohshme. Nëse sheh një njeri i cili është duke u kënaqur me gjynahet e veta, mos u mashtro se gjynahet kanë kënaqësi, se kanë shije që të dhurojnë lumturi, por dije se zemra e tij është prishur dhe nuk ndien më asgjë reale.

Ai është sikurse kasapi, i cili derisa është brenda dyqanit nuk e ndien erën e vet, por kur del nga aty e ndien. Pendimi të mundëson të heqësh erën e gjynaheve të tua.

 

Ikja nga dënimi

Allahu thotë:

 “Prandaj, shpejtoni tek Allahu.” [6]

 

  • Pendimi i Fudajl ibn Ajadit

Ibn Asakiri dhe Imam Dhehebiu në “Sijer enubela” thonë: “Fudajl bin Ajadi ka qenë në fillim të jetës së tij njeri rebel i cili i pengonte njerëzit në rrugë dhe ua merrte pasurinë. Arsyeja e pendimit të tij ishte se ishte dashuruar me një femër dhe gjersa një ditë donte të kalonte murin e shtëpisë së saj, dëgjoi një zë duke lexuar fjalën e Allahut:

A nuk është koha që besimtarëve t’u zbutet zemra kur përmendet Allahu dhe çka ka zbritur nga e vërteta (Kur’ani)…?” [7]

Kur dëgjoi këtë ajet tha: “Gjithsesi o Zoti im, ka ardhur koha!” Atë natë gjersa po qëndronte natën i zgjuar dëgjoi disa njerëz duke thënë se sonte nuk po udhëtojmë se Fudejli na del në rrugë, prandaj presim derisa të çelë sabahu. Mendoi dhe tha me veten: “Unë natën po e kaloj në gjynahe, kurse njerëzit më kanë frikë. Allahu sonte më ka sjellë në këtë vend vetëm që të pendohem. O Zoti im, sot jam penduar!”

Për këtë burrë të madh Ibn Mubareku ka thënë: “Nuk ka mbet mbi sipërfaqe të tokës njeri që njoh unë më i mirë se Fudjl ibn Ajadi ”

Dhehebiu ka thënë: “Imam, shëmbëlltyrë dhe dijetar islam”, kurse Ibn Haxheri ka thënë: “Adhurues dhe imam i madh.”

[1] Ligjëratë e datës 06/03/2015.

[2] Kur’an, Zumer: 53.

[3] Kur’an, Taha: 82.

[4] Kur’an, Tehrim: 8.

[5] Kur’an, Nur: 31.

[6] Kur’an, Dharrijat: 50.

[7] Kur’an, Hadid: 16.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Seria: Pse pendimi