Haxhi, rrugëtimi i lumturisë

0
1133

Falënderimi i takon Allahut që e bëri haxhin farz për umetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në shtëpinë e shenjtë, Qabenë e bekuar. Atë e madhërojmë dhe e falënderojmë për dhuntitë e shumta që na dhuroi.

Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin e tij Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, mbi familjen dhe mbi shokët e tij .

Nga mirësitë e Allahut për këtë umet është se bëri që çdo adhurim të ekzistojë për shkak të bindjes në Allahun, sinqeritetit për Të dhe sipas pasimit të Sunetit të Pejgamberit alejhi selam. Nga këto adhurime madhore është edhe kryerja e haxhit në shtëpinë e shenjtë, një adhurim i veçantë për nga mënyra e kryerjes, vendit dhe  kohës.

Sikur të shkruhen libra të shumtë nga shkrimtarë dhe autorë të ndryshëm për këtë ibadet, nuk do të kenë mundësi ta përshkruajnë këtë adhurim të madh ngase këtu shihet madhështia e kësaj feje.

Të nderuar haxhilerë, vëllezër!

Si të mos jetë kështu kur atje është shtëpia e parë që u vendos mbi rruzullin tokësor, ajo për ku udhëtuan Pejgamberët e Allahut, ku lindi mëshira e njerëzimit, Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Kjo është arsyeja që zemra e besimtarit dhe besimtares mallëngjehet për ta vizituar këtë shtëpi, për ta ndier me zemër dhe trup atë vend ku lindi i dashuri ynë, ku shkeli këmba e tij dhe e sahabëve të tij dhe e shumë burrave dhe grave të mëdha të këtij umeti.

Haxhilerë të respektuar!

Sot jemi mbledhur këtu, në këtë shtëpi të Allahut, për t’u takuar me haxhilerët dhe për t’u përshëndetur me ju, sepse është një ditë e veçantë. Besimtari duhet t’u bashkëngjitet gëzimeve të vëllezërve dhe motrave të tij.

Të flasësh për haxhin është një oqean i madh, por koha dhe arsyeja e takimit nuk na jep hapësirë të thellohemi shumë. Ne do të mundohemi të shpalosim disa kujtime së bashku me ju për “udhëtimin e lumturisë” ose haxhin, që të jetë motivues për ata që ende nuk kanë shkuar, ta vendosim që sot për të shkuar dhe t’i lutemi Allahut të na dhurojë shëndet dhe të na mundësojë ta marrim  këtë rrugë për t’iu përgjigjur thirrjes hyjnore.  Për haxhilerët e pranishëm le të jenë si një udhërrëfyes këto fjalë dhe t’ju shërbejnë gjatë udhëtimit tuaj për në vendet e shenjta.

  • Qëllimi apo nijeti

Haxhi është farz i Allahut, të cilin besimtari dhe besimtarja e kanë për obligim një herë në jetën e tyre, sipas mundësive. Njeriu shkon nga vendi i tij në një vend që nuk e njeh, një ambient e klimë ku nuk është mësuar të jetojë, shfrytëzon pasurinë e tij, lë pas familjen, vuan nga lodhjet e udhëtimit, shkon nga një vend në tjetrin nëpër vende që grumbullohen njerëzit në një kohë dhe në një vend.

Dhe kur haxhiu i kujton të gjitha këto, duhet të ketë në konsideratë dhe ta rregullojë qëllimin kryesor, i cili është për  hir të Allahut. Ai duhet t’i largojë të gjithë faktorët që njollosin apo prishin nijetin e besimtarit duke qenë i bindur se asnjë vepër nuk pranohet tek Allahu pa i plotësuar dy kushte:

  1. Sinqeriteti

Allahu xhele xhelalu thotë në Kuranin Fisnik:

E duke qenë se ata nuk ishin të urdhëruar me tjetër, pos që ta adhuronin Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, që të largohen prej çdo besimi të kotë, ta falin namazin, të japin zekatin, se ajo është feja e drejtë.”[1]

  1. Pasimi i Sunetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

Allahu xhele xhelalu thotë:

Çka t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çka t’ju ndalojë, përmbajuni.”[2]

  • Destinacioni

Pasi besimtari ta pastrojë nijetin e tij, se në haxh shkohet për Allah e jo për hir të dikujt apo për të të thirrur dikush haxhi ose për të mos mbetur pas shokëve, vjen hapi tjetër të nderuar haxhilerë. Tani shtrohet pyetja se ku po shkojmë?

Dije i nderuar se udhëtimi për të cilën jeni nisur është i veçantë, është udhëtimi i lumturisë, i vetmi në jetë që dallon nga udhëtimet e tjera që ke bërë për interesa të kësaj bote, ndërsa tani po udhëton për hir të Allahut, që ta ka dhënë mundësinë dhe ta ka bërë farz një gjë të tillë. Je duke u drejtuar drejt vendit më të shenjtë mbi sipërfaqen e Tokës, vendit të Allahut, të cilën Allahu e ka bërë të shenjtë dhe i ka dhënë fadilet. Për vlerën që ka Allahu e quajti me shumë emra në Kuran:

  • Mekë:

 “Dhe Ai është që pengoi duart e tyre prej jush dhe duart tuaja prej tyre brenda në Mekë, pasi që u dha fitoren kundër tyre, e Allahu mbikëqyr atë që ju punoni.”[3]

  • Bekë:

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.”[4]

  • Umul Kura:

“Prandaj, Ne të shpallëm ty Kuranin arabisht, që ta këshillosh kryefshatin (Mekën) dhe ata përreth saj dhe t’u tërheqësh vërejtjen për Ditën e Tubimit (kiametit), për të cilën nuk ka dyshim. Një grup për në xhenet, kurse një grup për në zjarr.”[5]

  • Beledel-emin :

 “ Dhe këtë qytet të sigurisë!”[6]

Dije se je duke udhëtuar drejt shtëpisë së parë mbi rruzullin tokësor. Ibn Kethiri, Allahu e  mëshiroftë, thotë: “Ajo që shihet qartë në Kuran është se Ibrahimi alejhi selam është i pari që ndërtoi Qabenë dhe i pari që vendosi themelet e tij.” Edhe pse argumentet e tjera nuk mohojnë që ajo të ketë qenë edhe para Ibrahimit alejhi selam.

Allahu i Madhëruar thotë:

 

“Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabesë – luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!”[7]

 

Në suren Al’imran:

 “Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme, udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.”[8]

Shënon Imam Buhariu nga Ebij Dherri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se ka thënë: “E pyeta Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: – Cila është xhamia e parë në Tokë? Më tha: -Mesxhidul Haram. E pastaj e pyeta: -Pas saj cila ? Më tha: -Mesxhidul Aksa. I thashë: -Sa kohë kishte mes tyre? Më tha: Dyzetë vite.”

Mos harro se atje ke ujin e Zemzemit, të cilin Allahu subhanehu ue teala e bëri argument të gjallë për njerëzimin deri në Ditën e Kiametit. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Uji i Zemzemit është për çfarë ta pish.”

  • Telbija

“Lebbejkell-llahumme Lebbejke
Lebbejke la-sherijke leke Lebbejke
In-nel hamde uan-ni’mete leke uel mulk
La sherijke leke”

(Iu përgjigja thirrjes Tënde o Allah! Ti nuk ke asnjë ortak. Ja ku jam në shërbimin Tënd, o Allah! Me të vërtetë gjithë lavdërimi, mirësia dhe pushteti të përket vetëm Ty. Ti je i Vetëm dhe nuk ke shok!)

– Vlera e telbijes

Xhabiri transmeton se Profeti alejhi selam ka thënë: “Kushdo që bën nijetin për të kryer haxhin dhe thotë telbijen gjithë ditën deri në perëndimin e diellit, Allahu i Plotfuqishëm do t’i falë gjynahet dhe ai do të jetë i lirë prej tyre (mëkateve), ashtu siç ka qenë ditën që e ka lindur nëna.”[9]

– Preferohet që shqiptimi i telbijes të bëhet me zë të lartë

Zejd ibën Halidi transmeton se Profeti (a.s.) ka thënë: “Xhibrili (a.s.) erdhi tek unë dhe më tha: “Urdhëroji shokët e tu që ta ngrenë zërin kur thonë telbijen sepse ajo është një nga ritet e haxhit.[10]

Ebu Bekri (r.a.) ka treguar se Profeti (a.s.) u pyet njëherë: “Cili haxh është më i miri?” Ai u përgjigj: “Ai në të cilin ngrihet zëri kur thuhet telbija dhe bëhet kurban.”[11]
Ebu Hazim tregon: “Kur sahabët vishnin ihramin, e ngrinin zërin përpara se të arrinin në Mekë, aq sa ngjireshin.” Duke u mbështetur në këto hadithe, shumica e dijetarëve parapëlqejnë që haxhilerët ta ngrenë zërin kur thonë telbijen.

Maliku mendon se nuk duhet të ngrihet zëri në thënien e telbijes brenda një xhamie plot me besimtarë. Megjithatë, ajo mund të thuhet me aq zë sa ta dëgjosh vetë ose ata që janë afër, përveçse në Xhaminë e Shenjtë dhe në Xhaminë e Minasë. Në këto të dyja duhet të ngrihet zëri kur thuhet telbija. Kjo vlen vetëm për haxhilerët meshkuj.

Sa për gratë, ato mund ta ngrenë zërin kur thonë telbijen aq sa ato vetë dhe ata që janë afër tyre të mund ta dëgjojnë. Nuk është e pëlqyeshme që ato ta ngrenë zërin më lart se kaq. Atau ka thënë: “Burrat duhet ta ngrenë zërin (kur thonë telbijen), por gruaja duhet ta ngrejë zërin aq sa ta dëgjojë ajo vetë e jo më shumë se aq.”

–  Vendet ku preferohet të thuhet telbija

Telbija është e pëlqyeshme të thuhet në vendet dhe kohët në vijim: kur hip në kafshën e ngarkesës (ose çfarëdo mjeti transporti), kur zbret (mbërrin në një vend), kur ngjitesh në një kodër dhe zbret në një luginë, kur takon një grup njerëzish, në fund të çdo faljeje dhe herët në mëngjes. Shafiu ka thënë: “Ne pëlqenim ta thoshim gjithë kohën.”

  • Vlera e vendit të shenjtë, Mekës së bekuar

Të nderuar haxhilerë, ne do të përmendim në pika të shkurtra disa nga vlerat e këtij vendi sepse njeriu kur ka njohuri për diçka, çmon edhe më shumë atë.

  • Shenjtëria ( Hurmeti ) i Mekës së bekuar:

Allahu xhele xhelale e veçoi këtë tokë dhe e bëri të shenjtë prej asaj dite që krijoi qiejt dhe tokën.

Allahu subhanehu ue teala thotë:

“Unë jam urdhëruar ta adhuroj vetëm Zotin e këtij qyteti, të cilin Ai e bëri të shenjtë, se Atij i takon çdo send dhe jam urdhëruar të jem prej besimtarëve të sinqertë.”[12]

  • Allahu është betuar për Mekën në Kuran

Allahut i takon të betohet në krijesat e Tij, ndërsa njeriut nuk i takon të betohet pos në Allahun subhanehu ue teala.

“Dhe këtë qytet të sigurisë!”[13]

  • Lutja e Ibrahimit alejhi selam për Mekën dhe banorët e saj

“(Përkujto) Kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh).”[14]

 

  • Vendi më i dashur për Allahun subhanehu ue teala

Imam Tirmidhiu e ka bërë hadithin e mirë nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë: “Ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për Mekën e bekuar: “Nuk ka vend më të bukur se ti, e as më të dashur për mua . Sikur populli yt të mos më nxirrte jashtë teje, nuk do të banoja diku tjetër.”

  • Nuk do të hyjë Dexhali

Shënon Imam Buhariu në “Sahihun” e tij nga Ibn Abasi, se ka thënë: “Ka thënë Pejgamberi sa-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Nuk ka vend ku nuk do të shkelë Dexhali, përveç Mekës dhe Medinës…

  • Shumëfishimi i sevapeve për faljen e namazit në Qabe

Allahu subhanehu ue teala pasi caktoi që Qabeja e bekuar të jetë shtëpia e parë e Zotit mbi sipërfaqen e Tokës, i dha vlera dhe pozitë të lartë. Njëra ndër këto vlera është edhe shumëfishimi i sevapeve për atë që fal namazin në Xhaminë e Haremit.

 I nderuar haxhi, mos lejo që të të ikin këto sevape dhe mundohu që të gjitha kohët e namazit t’i falësh në Xhaminë e Haremit, pra në Qabenë e bekuar.

E shënojnë Imam Ahmedi dhe Ibn Maxhe dhe këtë hadith e ka saktësuar imam Albani në “Sahihun e ibn Maxhes” nga Xhabiri radijallahu anhu, se ka thënë: “Ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Namazi në xhaminë time (në Medinë) është më shumë se një mijë namaze diku tjetër përveç në Xhaminë e Haremit (Qabe), ku namazi është më shumë se njëqind mijë namaze se diku tjetër.” 

 

  • Ndalimi i të vepruarit të gjërave të ndaluara, si t’i bësh Allahut ortak, t’i bësh padrejtësi dikujt etj.

Allahu i Madhëruar thotë:

“S’ka dyshim se ata të cilët nuk besuan dhe pengojnë prej rrugës së Allahut dhe prej xhamisë së shenjtë (Qabesë), të cilën Ne e bëmë të barabartë për njerëz, qofshin vendas ose të ardhur, dhe kushdo që të përpiqet të bëjë ndonjë të keqe a ndonjë mëkat, Ne kemi për t’ua shijuar një dënim të hidhët.”

  • Ndalimi i mbytjes, derdhjes së gjakut në Mekën e bekuar.
  • Ndalimi i hyrjes së jobesimtarëve dhe mushrikëve në Mekë.
  • Ndalimi i gjuetisë, këputjes së degëve apo marrjes së sendeve të humbura në harem.
  • Madhërimi i vendeve të shenjta brenda Xhamisë së Haremit.

Të nderuar haxhilerë!

Ju do të shkoni me lejen e Allahut drejt vendit të shenjtë, Mekës së bekuar. Përveç këtyre vlerave që dëgjuat ka dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur. Vendi i shenjtë, Meka, ka edhe xhaminë e shenjtë, Qabenë, brenda së cilës janë edhe disa vende të shenjta që duhet t’i dini për t’i madhëruar sa më shumë ashtu si do Allahu dhe si na ka mësuar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

  • Qabeja gjendet në mes të Xhamisë së Haremit në formë katrore, e mbështjellë me një mbulesë të zezë e qëndisur me penj ngjyrë ari.

Allahu thotë:

 

“Allahu e bëri Qabenë shtëpinë e shenjtë…”[15]

Kur të bëni tavafin rreth saj do të rrotulloheni shtatë herë duke mbajtur krahun e majtë nga ajo, ndërsa sa herë që arrini në drejtim të Gurit të Zi, do ta përshëndetni me dorën e djathtë çdo herë duke u munduar që mos t’ia ktheni shpinën Qabesë gjersa jeni duke bërë tavaf. Pas tavafit do të shkoni tek mekami i Ibrahimit alejhi selam, vendi nga ku ai i thirri njerëzit për haxh. Do të falni dy rekate pas tij apo në drejtim të tij, nëse ka mundësi.

E di që shpirti i besimtarit përmallohet për ujin e Zemzemit, ndaj mos harro se aty afër ke burimin e Zemzemit. Pi prej tij dhe lute Allahun kur je duke pirë, pasi Pejgamberi salAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Uji i Zemzemit është për çfarë e pi,”  Më pas do të shkosh drejt kodrës Safa, ku do të përkujtosh se atje qëndroi nëna e Ismailit, Haxherja, e cila vrapoi mes Safasë dhe Mervasë duke kërkuar ujë; edhe ti do të vraposh ashtu shtatë herë.

Pastaj vjen dita e madhe e Arafatit, ku të gjithë haxhilerët, gra e burra, do të dalin atë ditë ne fushën e Arafatit për ta lutur Allahun së bashku. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë për këtë ditë: “Nuk e kam parë shejtanin më të nënçmuar se ditën e Arafatit, kur sheh se si Allahu xhele xhelale i fal haxhilerët në këtë ditë.”

Me perëndimin e diellit do të drejtoheni për në fushën e Muzdelifesë, ku do të qëndroni atë natë deri në agimin e ditës së Bajramit. Këtë ditë theren kurbanet, shkurtohen flokët dhe ju mbetet edhe një tavaf për të bërë. Pastaj vijnë edhe netët e qëndrimit në Mine.

Vëllezër të nderuar!

Këto janë disa përkujtimeve të atyre ditëve që ju haxhilerë të nderuar do të kaloni. Dhe në fund do ta përmbyllim edhe me disa këshilla për ju duke lutur Allahun që të jenë të dobishme për ne dhe ju dhe të shërbejnë si udhërrëfyes gjatë rrugëtimit tuaj për në vendet e shenjta .

  • Shfrytëzimi i kohës
  • Largimi nga përgojimi dhe mëkatet e tjera që e zbehin imazhin e haxhiut
  • Largimi nga fyerja, tentimi për t’u kacafytur me dikë
  • Durimi
  • Pajisja me njohuritë e haxhit çdo ditë
  • Konsultimi me hoxhallarë para se të fillohet çdo ibadet
  • Kryerja e haxhit sipas Sunetit të Pejgamberit alejhi selam
  • Madhërimi i vendeve të shenjta
  • Mbajta e pastërtisë në nivel
  • Largimi nga çdo gjë që e hidhëron Allahun në këtë tokë të shenjtë
  • Dije se ashtu si sevapi shumëfishohet, edhe gjynahet shumëfishohen.

 

 

[1] Bejineh, 5.

[2] Hashër, 7.

[3] Fatih, 24.

[4] Al’imran, 96.

[5] Shura , 7.

[6] Tijne, 3.

[7] Bekare, 127.

[8] Al’imran, 96.

[9] Transmeton Ibën Maxhe.

[10] Transmeton Ibën Maxhe, Ahmedi, Ibën Huzejme dhe Hakimi, i cili e konsideron hadithin të vërtetë.

[11] Transmeton Tirmidhiu dhe Ibën Maxhe.

[12] Neml, 91.

[13] Tin, 3.

[14] Ibrahim, 35.

[15] Maide, 97.