Pozita e namazit në Islam

0
1164

Pozita e namazit në Islam

Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.

“ Vërtet që namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar…”

 

Një djalosh po jetonte ditët më të lumtura të jetës kur mori lajmin se ishte pranuar në njërën nga kompanitë më të mëdha në qytetin ku jetonte. Kaluan disa ditë dhe ky djalosh kërkoi të takohej me drejtorin e kësaj kompanie dhe i tha: “ Nga sot nuk do ta respektoj orarin e punës, nuk do të përgatis raporte dhe mos prit ndonjë punë prej meje!”

Nëse e imagjinojmë këtë gjendje, të gjithëve do të na dukej çmenduri ajo që veproi ky djalosh.

Të dashur vëllezër besimtarë!

Si është halli i shumicës sonë, që çdo ditë bëjmë sjellje të tilla në raport me Krijuesin tonë, Allahun dhul xhelal? Si ka mundësi t’ia lejojmë vetes që të kënaqemi me gjithë këto të mira që Allahu na ka dhuruar dhe në të njëjtën kohë të mos ndiejmë se kemi obligim ndaj Tij apo nuk mund të sakrifikojmë që ta kryejmë një obligim shumë të lehtë ndaj Allahut?

Është fjala për namazin, këtë adhurim që njeriu e kryen me tërë qenien e tij, i cili nuk i përngjan asnjë ibadeti, i cili është dritë për besimtarin në këtë botë dhe botën tjetër, ushqim i shpirtit, ndalon nga gjërat e këqija dhe të irrituarat. Allahu ua bëri farz besimtarëve takimin pesë herë në ditë me Krijuesin e tyre, jo pse Allahu ka nevojë për namazin tonë. Ai bëri që njeriu t’ia dedikojë adhurimin e tij vetëm madhërisë së Allahut e jo dikujt tjetër dhe këtë më së miri e bëjmë përmes namazit. Për shkak të këtij adhurimi, Pejgamberi i Allahut udhëtoi në Miraxh, ku Zoti e bëri farz për ne. Pyetja e parë që do të të bëhet Ditën e Gjykimit është a e ke falur namazin? Shtylla e fesë, porosia e fundit e Pejgamberit kur u nda nga kjo jetë ishte namazi, namazi!

Vëllezër të nderuar!

Muslimanët e hershëm kur flisnin për namazin, për pozitën, për vlerën e tij në Islam, flisnin vetëm atëherë kur ua promovonin të tjerëve Islamin dhe shumica e jomuslimanëve hyjnë në Islam kur shohin madhështinë e këtij adhurimi. A e di pse flisnin vetëm në këtë rast? Sepse tek muslimanët e parë ishte e qartë pozita, vlera dhe rreziku i lënies së tij. Në kohën tonë, kur po neglizhohet namazi, nuk falet me rregull apo kur te dikush është paraqitur ideja se mjafton vetëm falja e xhumasë, është më së e nevojshme që të flasim për ta kuptuar pozitën e namazit në fenë e Allahut.

 

Pozita e namazit në Kuran

Allahu i Madhëruar thotë:

Ky është libri që nuk ka dyshim në të (sepse është prej Allahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm. Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zekat, sadaka etj.).”

Kuptimi i ajetit aludon se këto janë kategoritë që përfitojnë nga Kur’ani. Pra, përfitues janë edhe ata që falin namaz. E si është halli i atyre që nuk falen?

 

Allahu i Madhërishëm thotë:

“Pra shkatërrim është për ata që falen, të cilët ndaj namazit të tyre janë të pakujdesshëm.”

 

Komentatorët thonë se qëllimi i këtij ajeti është vonimi i namazit nga koha e caktuar. Fjala “Vejl”, në shqip “Mjerë”, është një luginë në xhehenem, e thellë dhe e errët. Nga Ibni Abasi rrëfehet se ata janë hipokritët, të cilët nuk falin namaz në vetmi, por vetëm në prezencë të njerëzve.

A po i besojmë librit të Allahut? Shumica e muslimanëve sot nuk e falin namazin, sikur nuk ekziston në jetën e tyre. A nuk jemi ne ata që pretendojmë se e duam Allahun? Gjithsesi, njeriu nëse e do dikë, shpreson edhe takimin me të, e si ka mundësi të shpresojmë se një ditë do të dalim para Allahut, do ta takojmë atë, kurse ne nuk po e falim namazin apo nuk po e falim në kohën e vet?

Allahu dhul xhelal përshkruan një dialog që do të bëhet mes banorëve të xhenetit dhe xhehenemit. Banorët e xhenetit do të pyesin ata në xhehenem, se çfarë i ka sjellë në xhehenem? Ata do të përgjigjen:

“Çka ju solli ju në Sekar?” Ata thonë: “Nuk kemi qenë prej atyre që faleshin (që bënin namaz).”

Pozita e namazit në Sunet

Ebu Hurejra rrëfen se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Namazi më i rëndë për munafikët është namazi i jacisë dhe sabahut, por po ta dinin se çfarë (vlere) ka në to, do të vinin madje edhe duke ecur zvarrë…”

Nga Tamim ed-Dari radijAllahu anhu transmetohet se Profeti sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë për të cilën njeriu do të japë llogari në Ditën e Kiametit është namazi…”

I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Besëlidhja që na dallonnga jobesimtarët është namazi. Kush e lë atë,vetëm se ka mohuar.”

Po ashtu ka thënë:

“Kush e lë namazin duke qenë i vetëdijshëmpër këtë, garancia, mbrojtja e Allahut është hequr nga ai.”

Shërimi, hapat praktikë për të filluar faljen e namazit

-Prishi kurthet e shejtanit me pendim, se ti që nga kjo ditë do t’i japësh besën Allahut se do të fillosh t’i falësh pesë kohët e namazit.

-Vëlla i nderuar! Allahu të ka dhënë këtë mundësi që të takohesh me Të pesë herë në ditë, t’i kërkosh falje, mëshirë, t’i lutesh që të të dhurojë nga të mirat e Tij në këtë botë dhe botën tjetër. Pse e refuzon një takim të tillë? Allahu ka bë që ezani të thirret pesë herë në ditë që të të kujtojë ty për këtë takim nëse t’i harron apo të ka mashtruar kjo botë, por mos harro se ti çdo ditë i afrohesh ditës kur nuk të thërret më ezani kurrë.

-Allahu çdo natë e shtrin Dorën e Tij për të falur atë që mëkaton ditën. Pse po ikën prej Krijuesit tënd?

  • Ebu Bekër Siddiku radijAllahu anhu thotë se kur vijnë pesë kohët e namazit, melaiket thonë: “O ju njerëz, faluni! Fikeni zjarrin që është përgatitur për të djegur njerëzit. Fikeni duke falur namaz.”
  • Fillo të falësh namazin, edhe nëse nuk e di mirë formën e faljes.
  • Në fillim fal vetëm farzet.
  • Largohu nga ajo shoqëri që nuk fal namaz, shoqërohu me njerëz që falin namaz, e duan atë dhe të ndihmojnë edhe ty ta mësosh.
  • Lexo më shumë për namazin, dëgjo ligjërata rreth namazit që ta kuptosh pozitën, vlerën dhe rrezikun e lënies së namazit.
  • Të ndjesh se je mëkatar çdo herë kur të ikën namazi dhe të kërkosh falje tek Allahu se nuk do ta përsëritësh një gjë të tillë.

 

Zoti ynë, mundësona që ta falim namazin, që Ti të jesh i kënaqur dhe që fundi i jetës sonë me këtë botë të jetë namazi!


1. Ankebut: 45.

2. Bekare: 2-3.

3.  Ma’un: 4-5.

4. Shih: Tefsiri I ibn Kethirit, komentimi i sures Maun.

5.  Mudethir: 42-43.

6. Shënon Buhariu3/46/617 dhe Mulimi 3/380-1041)

7. Hadithi është sahih, e transmeton edhe Ebu Daudi (866). Hakimi e ka bërë sahih sipas kushteve të Muslimit dhe ka dëshmi tek Ahmedi me sened hasen.

8. Transmeton Tirmidhiu, nr. 2621. Nesaiu, nr. 463. Ibën Maxheh, nr. 1079. Ahmedi në “Musnedin” e tij: 5/346, 355. Ndërsa Tirmidhiu ka thënë se ky hadith është hasenun sahih. E ka saktësuar Hakimi dhe Dhehebiu, ndërsa Albani ka thënë: “Ky hadith është ashtu si kanë thënë.” Shiko librin “El-Mishkat…”, nr. 574, fusnota, 5.

9. Transmeton Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij, nr. 6659. Shiko librin “Sahihut-Tergib vet-Terhib” të shejh Albanit, hadithi nr. 569 (hasen ligajrihi).

10. Këtë hadith e ka saktësuar imam Albani.