Sëmundjen e AIDS-it , Sindroma e Imuno-Mungesës së Fituar
Subjekti: Sëmundjen e AIDS-it , Sindroma e Imuno-Mungesës së Fituar
Burimi : Përgatiti: Dr. Abdurahman bin Abdullah el Sened
Ligjërues në Institutin e Lartë për Çështje Ligjore të Sheriatit në “Universitetin Imam” në Riad
Vendimi : Studim personal i autorit
Përzgjodhi dhe përshtati :Rashit Zylfiu
I Dërguari Muhamed, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur në një popull përhapet dhe zgjerohet prostitucioni, deri në atë masë saqë ajo bëhet haptazi, në të do të shfaqen murtaja dhe sëmundje të cilat nuk kanë ekzistuar në mesin e paraardhësve që kanë jetuar para tyre.” Transmetojnë Hakimi, Ibn Maxhe dhe Bezari.
Shëndeti dhe sëmundja janë dy gjendjet me të cilat përballet njeriu. Ai mund të jetë në gjendje të mirë nëse është në atë gjendje që e ka krijuar Allahu i Madhëruar, me trupin dhe shpirtin e tij, por nëse njeriu del nga gjendja e natyrshmërisë së krijuar nga Zoti, atëherë trupi dhe shpirti i tij sëmuren dhe kanë nevojë për shërim.
AIDS ose SIDA është një sëmundje bashkëkohore, që nuk ka ekzistuar më parë, e cila është shfaqur si shkak i një virusi që njihet si virusi i Sindromës së Imuno-Mungesës së Fituar.
Fjala AIDS është një term i formuar duke marrë shkronjat e para të çdo fjale, me të cilat emërtohet kjo sëmundje në gjuhën angleze. Acquired Immune Deficiency Syndrom do të thotë Sindromë e Imuno-Mungesës së Fituar, ngaqë njeriu i infektuar nga kjo sëmundje sëmuret për shkak të mungesës së imunitetit, d.m.th. mungesa e madhe në elementet e imunitetit sjell dobësimin në konfrontimin e të gjitha llojeve të mikrobeve.
AIDS-i shfaqet me një numër të caktuar simptomash, të cila tregojnë se i sëmuri vuan nga mungesa e imunitetit. Meqenëse mungesa e imunitetit mund të jetë trashëguese, është shtuar fjala e fituar, me të cilën nënkuptohet dallimi ndërmjet dy llojeve të imunitetit.
Përfundimisht do të dëshironim të theksonim në përkufizimin e kësaj sëmundjeje se të sëmurët nga AIDS-i kanë gëzuar më parë shëndet të plotë dhe se shumica e të sëmurëve kanë qenë meshkuj që janë sëmurë në periudhën e rinisë, në moshën 20-35 vjeçare, dhe që kanë qenë të dhënë pas seksit të shfrenuar” (Dr. Muhamed Ali el Barr).
AIDS-i është tashmë problem botëror, i cili paraqet rrezik për njerëzimin. Kjo sëmundje shkatërron sistemin e imunitetit dhe deri më sot nuk ka barna që e shërojnë këtë sëmundje në tërësi. Kjo sëmundje që përhapet me shpejtësi befasuese është si vërshimi i furishëm që shkatërron vendet dhe gjallesat pa pasur mundësi që të ndalet ose përballohet nga ndonjë pengesë.
Vëmendjen e opinionit botëror e ka tërhequr në vitin 1981, kur numri i të infektuarve ishte me dhjetëra, ndërsa sot janë me dhjetëra miliona.
AIDS-i paraqet frikën e re nga e cila tmerrohet civilizimi bashkëkohor. Termi AIDS është bërë sinonim për murtajën, e cila u shfaq në mesjetë dhe rrëmbente jetën e dhjetëra miliona njerëzve.
Rreziku i sëmundjes shtohet sepse të infektuarit nuk i paraqiten sinptomat në shkallën e parë, por fillimisht ai është i shëndoshë e i fortë, ndonëse ai është bartës i sëmundjes. Kjo gjendje mund të zgjasë shumë vite dhe kjo e bën të lehtë përhapjen e epidemisë dhe mbartjen e saj tek njerëzit e shëndetshëm.
Sipas hulumtimeve shkencore, virusi i AIDS-it gjendet në të gjitha lëngjet e trupit tek i sëmuri; në gjak, spermë, lëng vaginal, në qumështin e nënës, të vjella, urinë, jargë dhe lot.
Ndërsa rrugët e mbartjes së infektimit janë:
- Marrëdhëniet seksuale
- Infektimi prej nënës te foshnja
- Fekondimi artificial
- Injeksionet e infektuara
- Transfuzioni i gjakut ose i përbërësve të tij
- Fëmijët e të sëmurëve nga AIDS
- Sekretimi i pështymës dhe i lotëve.
Dispozitat e ligjit islam që kanë lidhje me këtë sëmundje
Një: Ndalohet martesa për të infektuarin me këtë sëmundje.
I infektuari me sëmundjen e AIDS-it ndalohet nga martesa sepse marrëdhëniet seksuale janë shkaku kryesor në përhapjen e kësaj sëmundjeje. Sipas statistikave botërore, marrëdhëniet seksuale janë përgjegjëse për përhapjen e kësaj sëmundjeje në mbi 90% të rasteve.
Nga kjo kuptohet se i infektuari nga kjo sëmundje obligohet të mos mashtrojë askënd, në mënyrë që të mos infektohet askush për shkak të tij.
Dy: Nëse dikush dëshiron të martohet me atë që e ka këtë sëmundje me dijen, dëshirën dhe zgjedhjen e tij, por në të njëjtën kohë edhe ai është i infektuar nga e njëjta sëmundje, këtu nuk qëndron më ndalesa e martesës.
Nuk i lejohet as kryefamiljarit që ta martojë vajzën me një të sëmurë me AIDS edhe në qoftë se ajo pranon.
Tre: Nëse janë martuar një çift e pastaj kanë zbuluar se njëri prej tyre është i sëmurë nga kjo sëmundje, shumica e dijetarëve janë të mendimit se obligohen që të dy që ta prishin aktin e kurorëzimit.
Ibn Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur njëri nga bashkëshortët ka një mangësi të cilën nuk e largon as martesa, qëllimi i së cilës është dashuria dhe mëshira, obligohet zgjedhja e lirë, pra qëndrimi ose ndarja nga njëri-tjetri).”
AIDS është i dëmshëm dhe njeriu duhet të largohet prej saj, prandaj është e detyrueshme prishja e aktit të kurorëzimit.
Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, në koleksionin e tij të saktë ka transmetuar se Muhamedi, paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Ruaju nga lebrosa sikurse ikën nga luani.” Si mund ta zbatojnë bashkëshortët këtë urdhëresë profetike e nga ana tjetër të qëndrojnë me njëri-tjetrin kur zbulojnë se njëri prej tyre është i sëmurë me AIDS?
Katër: I lejohet bashkëshortit që nuk e ka këtë sëmundje, që të mos bëjë marrëdhënie seksuale ngaqë kjo është rruga kryesore për infektimin nga virusi.
Pesë: Gruaja e sëmurë me këtë sëmundje duhet t’i largohet shtatzënisë dhe lindjes e të marrë masa të cilat e ndalojnë shtatëzaninë.
Gjashtë: Nëse foshnja lind e shëndetshme dhe nuk e ka këtë sëmundje, nuk lejohet që nëna ta ushqejë nga gjiri i saj. Gjidhënësja, siç kanë thënë dijetarët e jurisprudencës islame, kushtëzohet që të mos ketë defekte të dëmshme prej të cilave ekziston frika për foshnjën.
Në realitet, shoqëria islame që i detyron bijtë dhe bijat që të jenë të ndershëm nuk ka mundësi të ketë sëmundje të tilla. Me qëllim të krijimit të një shoqërie të shëndetshme e të zhveshur nga këto sëmundje, Islami i ka ndaluar të këqijat e turpshme, qofshin të hapëta ose të fshehta. Zoti i Madhëruar në Kur’an thotë: “Thuaj! Zoti im i ndaloi të këqijat e turpshme, le të jenë të hapëta ose të fshehta.” (Sure Araf, ajeti 33)
O Zot! Na largo të këqijat e turpshme, ato të hapëtat e të fshehtat, na shëro trupat, të dëgjuarit e të shikuarit tanë!
O Zot! Ty të lutem për shëndet, shërim, mbrojtje dhe krenari, o përgjegjës i lutjeve!
Përgatiti: Dr. Abdurahman bin Abdullah el Sened
Ligjërues në Institutin e Lartë për Çështje Ligjore të Sheriatit
në “Universitetin Imam” në Riad
Përktheu: Rashit Zylfiu