Vëllazëria në Islam

0
2065

Allahu i Madhëruar thotë: Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi.”[1]

Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton nga Pejgamberi alejhi selam, i cili thotë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, le të shikojë çdonjëri nga ju se kë po bën mik.”

 

Katër faktorë për ruajtjen e lidhjeve vëllazërore

  1. Zgjedhja e shoqërisë

 Në hadithin e lartpërmendur,Njeriu është në fenë e shokut të tij, le të shikojë çdonjëri nga ju se kë po bën mik”, kuptimi se njeriu posedon traditën e atij që shoqëron, pason rrugën e tij dhe ecën sipas ecjes së tij. Pra, le të shikojë dhe le të meditojë se “kë po bën mik”.

Në “Auvni elmabud” është përmendur: “Transmeton Ebu Sejd el Hudrij se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Mos shoqëro përveçse besimtarë dhe mos lejo që ta hajë ushqimin tënd vetëm se njeriu i devotshëm.”

Ndalesa e shoqërimit përfshin mosshoqërimin e atyre që veprojnë mëkate të mëdha dhe njerëzve të prishur, ngase ata veprojnë atë që e ka ndaluar Allahu i Madhëruar dhe shoqërimi i tyre të bën dëm në fe. Ndalesa e tillë përfshin mosshoqërimin e jobesimtarëve dhe munafikëve. Për thënien “… dhe mos lejo që ta hajë ushqimin tënd vetëm se njeriu i devotshëm”, Hatabij ka thënë: “Qëllimi është që t’i bëhet ftesa vetëm atij që është i devotshëm, por kur është nevoja i jepet edhe atij që nuk është i devotshëm. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe robërve.”[2]

Është e ditur se robërit kanë qenë jobesimtarë dhe nuk kanë qenë të devotshëm, por Muhamedi sal-lallahu alejhi ue sel-lem na ka tërhequr vërejtjen për mosshoqërimin e atyre që nuk janë të devotshëm, mospërzierjen me ta dhe që të mos ulemi për të ngrënë me ta ngase dhënia e ushqimit zbut zemrat dhe mbjell dashuri mes njerëzve.

Transmeton Ebu Musa Esharij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Shembulli i shoqërimit të njerëzve të mirë dhe të këqij është sikurse shitësi i miskut (parfumit) dhe farkëtari, ngase shitësi i miskut ose të parfumon, ose të shet miskun ose merr nga ai erë. Ndërsa farkëtari ose t’i djeg rrobat ose të lë erë të keqe.”

 

  1. Dashuria për Allahun

Pozita më e madhe e vëllazërisë në Islam është ajo për hir të Allahut dhe jo ajo që është për të arritur ndonjë gradë, as për të përfituar diçka e as për të fituar në aspektin financiar.

E, kush duhet për Allahun dhe vëllazëria është për Allahun, e ka arritur qëllimin e duhur, por duhet të ketë kujdes që të mos lejojë diçka nga kjo botë që ta rrezikojë apo ta rinojë një vëllazërim të tillë.

Përgëzim për ata që duhen për Allahun, për premtimin që u është dhënë nga Allahu i Lartësuar se do të shpëtojnë në Ditën e Kiametit dhe do të futen nën hijen e Arshit atë ditë që nuk ka hije përveç saj. Transmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë “se Allahu i Lartësuar thotë Ditën e Kiametit: “Ku janë ata që janë dashur për hir të madhërisë Sime? Sot do t’i fus nën hijen e Arshit Tim, kur nuk do të ketë hije përveç hijes Sime.

Transmetohet nga Muadh bin Xhebeli, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka dëgjuar Pejgamberin sal-lallahu alejhi ue sel-lem duke thënë: “Ka thënë Allahu i Lartësuar: “Më është obliguar dashuria ndaj atyre që duhen për hir të Madhërisë Sime dhe atyre që qëndrojnë (së bashku në një vend) për hir të Madhërisë Sime dhe atyre që vizitohen për hir të Madhërisë Sime dhe...”

Transmetohet nga Ebu Hurejra se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Një njeri kishte vizituar njëherë një shok të tij. Allahu i Lartësuar kishte dërguar pas tij një melek. Kur iu afrua njeriut, i tha: -Ku do të shkosh?
-Dua të takoj një vëlla në këtë fshat. Ia ktheu: -Ke diçka që kërkon prej tij (ke ndonjë interes)? I tha (vizitori): -Jo, vetëm se unë e dua për hir të Allahut. I tha: -Unë jam i dërguar i Allahut, të lajmëroj se Allahu të do ashtu siç e deshe ti atë për hir të Madhërisë së Tij.”

 

Vërejtje: Është e pëlqyer që ai i cili e do dikë, ta lajmërojë për këtë , ngase kjo është edhe prej Sunetit. Transmetohet nga Enes bin Maliku se ka thënë: “Një njeri ishte te Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem. Kaloi pranë tyre një njeri dhe ai i tha të Dërguarit të Allahut: “Unë e dua këtë person.” I tha Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “A i ke treguar atij?” Tha: “Jo.” I tha: “Tregoji atij.” I shkoi prapa dhe i tha: “Unë të dua për hir të Allahut.” Ai ia ktheu: “Allahu të dashtë ashtu si më do ti mua për hir të Tij.”

Ndërsa, imam Ahmedi ka shënuar: “Nxito dhe lajmëroje, që të mbillet dashuria mes jush.” Shkoi dhe i tha: “Unë të dua për hir të Allahut”, ose i tha “unë të dua për Allah”. Ia ktheu personi: “Allahu të dashtë ashtu si më do ti mua për hir të Tij.”

 

Vërejtje: Ajo që duhet të bëjnë ata që duhen për hir të Allahut është që kohë pas kohe t’i kontrollojnë zemrat e tyre: a thua vallë mos i ka kapluar ato diçka dhe i largon nga qëllimi final, që është dashuria për hir të Allahut? Dashuria në fillim mund të jetë për hir të Allahut, por ajo nuk qëndron në këtë gjendje nëse njeriu është i pakujdesshëm ndaj saj. Ajo mund të kalojë në interes apo mund ta kalojë kufirin e duhur dhe të arrijë në atë që nuk është i kënaqur Allahu i Lartësuar dhe i Dërguari i Tij.

 

  1. Buzëqeshja, butësia , ngrohtësia me vëllezërit

Më e pakta që mund të bëjë njeri ndaj vëllait të tij është që ta takojë me fytyrë të çelur dhe t’ia përmendë emrin. Është pjesë e edukatës mes vëllezërve që çdoherë kur ta takojë vëllanë besimtar, të jetë i gëzuar. Ebu Dheri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, ka thënë: “Më ka thënë mua Profeti sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Mos e përbuz të mirën, edhe nëse e takon vëllanë tënd me fytyrë të çelur.” Ndërsa në transmetimin e Xhabirit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thuhet: “Çdo e mirë është sadaka dhe prej së mirës është që ta takosh vëllanë tënd me fytyrë të çelur… ”

 

Butësia dhe ngrohtësia e forcon lidhjen vëllazërore dhe e thellon afërsinë mes tyre. “Allahu e do butësinë në çdo gjë dhe Ai është i butë, e do butësinë, mundëson për të butën atë që nuk ia mundëson vrazhdësisë…” E nëse çështja është kështu, atëherë duhet që vëllezërit të sillen me butësi ndaj njëri-tjetrit. Transmeton Ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Ka thënë Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem: “Është ndaluar për zjarrin që ta djegë çdo (njeri) të butë e të afërt me njerëzit.”

Prej gjërave që ndihmojnë vazhdimësinë e dashurisë dhe largimin e urrejtjes nga zemrat është përshëndetja mes vëllezërve. Transmeton Maliku në “Muvetan” e tij, se Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Përshëndetuni mes jush që të largohet urrejtja dhe shkëmbeni dhurata në mes jush, që të largohet prej jush armiqësia.”


Poeti thotë:

Shkëmbimi i dhuratave mes njerëzve

lind në zemrat e tyre afërsinë

Dhe mbjell tek ata dashurinë

dhe i zbukuron kur takohen.

 

 

  1. Sakrifica për të këshilluar vëllezërit është e pëlqyer

Këshilla është nga gjërat e kërkuara në sheriat, e pëlqyer nga Ligjvënësi. Ajo është nga çështjet për të cilat Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem kishte marrë besën nga shokët e tij. Siç thotë Xherir bin Abdullahu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “Ia kam dhënë besën Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue sel-lem që ta fal namazin, ta jap zekatin dhe të këshilloj çdo musliman.”

 

Përzgjodhi: Rashit Zylfiu

  [1] Ez-Zuhruf: 67.

 

[2] El-Insan: 8.