PSE SPROVOHEMI NË JETË!?

0
2005

PSE SPROVOHEMI NË JETË!?

Msc.Rashit Zylfiu

 

Merjemja a.s. para se të lindte Isain alejhi selam tha: “Ku ta kisha atë fat e të kisha vdekur qysh moti dhe të isha harruar krejtësisht!” (Merjem: 2 )

 

Ajo nuk e dinte se në barkun e saj po mbante një mrekulli, një Pejgamber.

Të jetosh është sfidë dhe brenda kësaj sfide ka edhe shumë sfida të tjera me të cilat ne ballafaqohemi. Kjo jetë është e programuar në bazë të vullnetit hyjnor e jo sipas dëshirave tona, prandaj ne kemi ardhur të jetojmë dhe të mësojmë qëllimin tonë e jo t’i dimë detajet e saj.

Sfida të jetës janë edhe sprovat, të cilat janë ligj hyjnor që godet kozmosin dhe gjithçka në të, tërë njerëzimin apo individë të caktuar. Ligji hyjnor është i pakufizuar përballë statusit njerëzor, i fshehur për dijen e njeriut, i autorizuar për ta ndjekur si hija që shkon pas, është ushtri e fshehur e Zotit që nuk pranon kompromis në momentin që zbret.

Ne duhet ta kemi të qartë se sprovat vijnë deshëm apo nuk deshëm ne, por detyra jonë është të dimë si t’i tejkalojmë. Nuk ka dyshim se sprovat vijnë për shumë arsye. Sprova i jep kuptim rregullit në këtë kozmos sepse është sinjali më i mirë për të treguar se në të ka rregull e ligj dhe se kush e thyen, do të ndëshkohet. Sprova vjen për të shpalosur realitetin e njeriut, se a është falënderues apo mohues;është sinjal për të treguar kahun e gabuar të njeriut.

Për besimtarin ajo është sihariq, falje mëkatesh, pastrim, ngritje në shkallë. Sprova është zbuluese e së vërtetës, e cila përkohësisht ishte e fshehur për syrin e njeriut.

Sfidat e jetës janë ato momente të pakëndshme, me shije të hidhur, kur orientimi na humb dhe vdekja ndonjëherë është më e dashur për shumë njerëz. Por ato mund edhe të përcillen lehtë nëse di të kuptosh atë që do Zoti për ty apo atë që do djalli, domethënë dyshime, përulje, dëshpërim e mërzi. Dallimi mes teje dhe të tjerëve është besimi në Zotin e Plotfuqishëm.

 

Sfidës mund t’i vijë fundi kur shikon madhësinë e saj, pra kujtohu se Zoti është më i madh. Pranoje atë me kënaqësi larg hidhërimit, me durim larg rebelimit, me falënderim larg mohimit. Kur e di se “Allahu është i plotfuqishëm për çdo gjë” dhe e shpreh me gjuhë, të jesh i bindur se kanë mbetur vetëm se pak çaste derisa sprova të largohet.

Ti nuk e di se shumë sprova shpeshherë mbajnë brenda mrekulli, siç mbajti Merjemja në barkun e saj Isain alejhi selam.

Ti nuk e di se shumë sprova shpeshherë mbajnë brenda mrekulli, siç mbajti Merjemja në barkun e saj Isain alejhi selam.