DISPOZITAT E MYSAFIRLLËKUT

0
1663

Allahu i Madhëruar thotë: “A ke arritur të dëgjosh ti për rrëfimin e mysafirëve të ndershëm të Ibrahimit? Kur patën hyrë tek Ai dhe thanë: “Të përshëndesim me paqe!” Ai tha: “Qofshi gjithnjë të përshëndetur me paqe!” (E me vete tha): “Njerëz të panjohur!” Dhe ai pa u vërejtur shkoi te familja e vet dhe solli një viç të majmë të pjekur. Atë ua afroi atyre e tha: “Përse nuk po hani?”

Pejgamberi sal-lAllahu alehi ue selem thotë: “Kush beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit mos t’i bëjë keq komshiut të vet. Kush beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit le ta respektojë mysafirin e vet. Kush beson në Allahun dhe Ditën e Gjykimit le të flasë të vërtetën apo le të heshtë.”

Islami e vetmja fe e përzgjedhur dhe e pranuar nga Allahu i Madhëruar është i përsosur në të gjitha sferat e jetës. Njeriu si një qenie sociale dhe nevoja e tij e natyrshme për shoqërinë ka qenë qysh nga krijimi i tij. Islami për këtë nevojë që ndien njeriu solli dispozita dhe etika, duke vendosur baza dhe dispozita, që të ruhet kjo nevojë njerëzore. Dijetarët e hershëm por edhe ata bashkëkohorë në librat e tyre i kanë dhënë një hapësirë të veçantë dispozitave të gostisë dhe promovimit të kësaj etike tek muslimanët në veçanti, por edhe tek jomuslimanët për të shpalosur dhuntitë e  Islamit. Duke u nisur nga natyra e rubrikës së fikhut ne do të fokusohemi tek dispozitat dhe disa etika, që kanë të bëjnë me gostinë dhe rregullat e mysafirllëkut.

Dispozitë dhe etikë: Kush është mysafir?

Mysafir konsiderohet çdo njeri që troket derën e dikujt, që ka nevojë për konak apo gosti. Mysafiri mund të jetë nga të afërmit, farefisi apo edhe njeri i huaj, që nuk e kemi njohur më parë.

Sa ditë ka të drejtë të qëndrojë mysafiri?

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Mysafirllëku është tre ditë, shpërblimi i tij sa për të kaluar një ditë dhe natë, nuk i lejohet burrit musliman që të qëndrojë tek vëllai i tij deri sa ai të mëkatojë. Të pranishmit i thanë: E si mëkaton? Tha: “Qëndron tek ai, e ai (nikoqiri) nuk ka çfarë t’i ofrojë.”

Hadithi aludon se nuk i lejohet askujt të qëndrojë mysafir më shumë se tre ditë, për shkak se mysafiri mund ta vendosë në pozitë të vështirë nikoqirin, ose duke paragjykuar për mysafirin.

Hatabiu ka thënë: Nuk i lejohet mysafirit të qëndrojë më shumë se tre ditë pa kërkesën e nikoqirit, që mos të bie në pozitë të palakmueshme e ta humbë shpërblimin.

1)    Respektimi i mysafirit është detyrim:

Imam Neveviu Allahu e mëshiroftë, ka përmendur konsensus për gostinë dhe se kjo është nga gjërat e përforcuara që ka sjellë Islami. Imam Neveviu më pas ka sjellë mospajtimin e dijetarëve mes asaj, se a është vaxhib (detyrim) apo sunet respektimi i mysafirit.

Maliku, Shafiu dhe Ebu Hanife e shohin sunet e jo vaxhib respektimin e mysafirit. Lejthi dhe imam Ahmedi thonë se është detyrim respektimi i mysafirit. Imam Ahmedi e ka lidhur këtë me fshatarët e jo me qytetarët.

2)    Përgjigjja e ftesës:

Kanë ardhur shumë hadithe për përgjigjen e ftesës. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: Të drejtat e muslimanit ndaj muslimanit janë pesë:… përgjigja e ftesës…”.

Shumica e dijetarëve thonë se përgjigjja e ftesës është mustehab (e pëlqyeshme) përveç ftesa për martesë, përgjigjja e saj është vaxhib (detyrim). Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Ushqimi më i keq është ushqimi i dasmës ku ftohen në te të pasurit e lihen të varfrit e kush nuk i përgjigjet ftesës ka mëkatuar ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij”.

Disa dijetarë kanë përmendur kushte për prezantimin e këtyre ftesave. Dijetari Muhamed Salih Uthejmin Allahu e mëshiroftë ka përmendur këto kushte:

  1. a) Që ftuesi të mos jetë prej atyre që duhet të distancohemi nga ai.
  2. b) Që mos të ketë ndonjë të keqe në vendin e prezantimit. Nëse ka mundësi mënjanimi i kësaj të keqeje detyrohet përgjigjja për dy shkaqe: Përgjigjja e ftesës dhe mënjanimi i së keqes. Nëse nuk ka mundësi mënjanimi i së keqes, atëherë prezantimi është i ndaluar.
  3. c) Që thirrësi të jetë musliman përndryshe nuk detyrohet përgjigjja.
  4. d) Që të fituarit e pasurisë mos të jetë haram, ngase prezantimi të mundëson ngrënien e haramit; këtë e thonë disa dijetarë, ndërsa grupi tjetër thotë: Se mëkati është për atë e jo për mysafirin, përveç nëse në esencë e ka pasurinë haram, si alkooli, mishi i derrit etj.
  5. e) Që përgjigjja mos të jetë shkaktare për të anashkaluar ndonjë detyrim tjetër, apo detyrim më të madh se vetë përgjigjja e ftesës.
  6. f) Që ftesa mos t’i shkaktojë probleme, si p.sh.: nevoja për të udhëtuar apo lënia e familjes që janë nevojtarë.
  7. g) Kur ftesa nuk është e përcaktuar atëherë nuk është detyrueshme përgjigjja si: Të bëhet thirrja nga ana e nikoqirit në mënyra të përgjithshme pa përcaktim.

3)    Pëlqimi e përshëndetjes, ngrohtësisë ndaj mysafirit:

Nga Ibën Abasi Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, na përcillet se ka thënë: “Kur erdhi një delegacion i Abdul Kajsit tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem i tha: “Mirë se vjen!”. Nuk ka dyshim se pritja e mysafirit me ngrohtësi dhe shprehje të mira mbjell tek ai gëzim, i jep rehati dhe komoditet. Realiteti e dëshmon një gjë të tillë.

4)    Të tepruarit në mikpritjen e mysafirit:

Nuk ka nevojë që njeriu ta ngarkojë veten shumë për mysafirin sa t’i kalojë kufijtë, ngase ngarkimi i tepërt në përgjithësi është i ndaluar.

Përcillet nga Enesi Allahu qoftë i kënaqur ndaj tij, se ka thënë: “Ishim tek Omeri, radijallahu anhu dhe tha: “Jemi ndaluar ta teprojmë (të ngarkohemi tepër)”.

Nuk ka ndonjë rregull që e përkufizon, se kur njeriu e tepron apo e ngarkon vetën jashtë mase, por këtë e përcakton tradita e rrethit ku ai jeton. Nëse njeriu përgatit ushqim për mysafirin, që nuk është i njohur në atë vend të përgatitet deri në atë mase ai veçse e ka ngarkuar veten apo i ka tejkaluar kufijtë.

Ndërsa ajo çfarë ndodh sot në gosti të ndryshme, ku ajo më shumë i përngjet një gare se sa lloje ushqimesh po shërbehen, se sa vetë qëllimi për çfarë janë të ftuar mysafirët e shumica e atij ushqimi më pas hidhet, kjo është israfi (shpërdorimi), që jemi të ndaluar ta bëjmë.

5)    Hyrja me leje dhe largimi pas ushqimit me leje:

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që besuat, mos hyni në shtëpitë e Pejgamberit ndryshe vetëm nëse u lejohet për ndonjë ngrënie e duke mos pritur përgatitjen e saj, por kur të thirreni, atëherë hyni, e kur të jeni ushqyer, atëherë shpërndahuni, duke mos hyrë në bisedë me njëri-tjetrin, vërtet këto (pritja, qëndrimi, biseda) e mundojnë Pejgamberin, por ai turpërohet prej jush; Allahu nuk i turpërohet realitetit.”

Allahu i Madhëruar i ndaloi besimtarët të hyjnë në shtëpinë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem, pa lejen e tij. Dhe ky ndalim është për të gjithë besimtarët, që mos të hyjnë në shtëpitë e besimtarëve pa lejen e tyre.

Imam Sheukani thotë: “Allahu i ndaloi besimtarët, që të hynë në shtëpinë e Pejgamberit dhe kjo ndalesë i përfshin të gjithë. Dhe kështu njerëzit e respektuan etikën hyjnore për ta, dhe nuk hynin më pa leje derisa bëhej gati ushqimi e jo para se të përgatitej për ta pritur atë”.

Në kohën e injorancës ishte traditë që të vinin në gosti para se të përgatitej ushqimi shumë herët duke e pritur atë, që të bëhej gati. Këtë ves Allahu e ndaloi. Pastaj Allahu i Madhëruar e sqaroi, se pasi të hahet ushqimi duhet të merret leje për t’u larguar e mos të zgjatet në biseda, se kjo e rëndon nikoqirin, përveç nëse nikoqiri e kërkon një gjë të tillë, apo kjo është traditë tek ai popull.

6)    Dhënia përparësi atij që është më i madh dhe anës së djathtë:

Nikoqiri duhet të ketë parasysh, që t’i japë përparësi mysafirit më të shtyrë në moshë dhe me një përkujdesje më të veçantë, ngase Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem na ka inkurajuar për te . Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem thotë: “Ai që nuk i mëshiron të vegjlit tanë dhe nuk i respekton të rriturit nuk është nga ne”.

 

7)    Lutja e mysafirit pas ushqimit për nikoqirin:

Prej Sunetit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem, kur hante ushqim tek dikush bënte dua për ta. Kumtohet nga Enesi: “Se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem shkoi tek Sad ibën Ubadeh pasi solli bukë dhe vaj Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem hëngri dhe tha: “Bëfshin tek ju iftar agjëruesit. Ushqimin tuaj e hëngërshin  të devotshmit dhe për ju bëfshin dua melaiket.” Disa dijetarë e kanë veçuar vetëm tek ai i cili bëhet iftar e shumica janë të mendimit se është e përgjithshme. Transmeton Abdullah ibën Busër, se babai i tij kishte përgatitur ushqim për Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue selem e thirri atë dhe ai sal-lallahu alejhi ue selem iu përgjigj. Kur e kreu ushqimin tha: “O Zot fali ata, mëshiroji dhe begatoji në atë që i ke furnizuar”.

8)    Të pëlqyerit e përcjelljes së mysafirit deri tek dera:

Ky është plotësimi i mirëpritjes dhe mirësjellja me mysafirin, që të ndihet rehat, deri sa të largohet nga shtëpia. Për këtë nuk kemi ndonjë hadith të prerë, por kemi shumë gjurmë nga të parët tanë. Shabiu ka thënë: “Nga plotësimi i vizitës së mysafirit është që ta përcjellësh deri tek dera dhe ta kapësh për supesh…”.

(Shkëputur nga libri “Kitabul Adab” Fuad ibën Abdulaziz Shelhub)

Përshtati: Rasshit Zylfiu