AKIKA, SUNET I HARRUAR

0
1340

 

Falënderimet i takojnë Krijuesit te botëve, paqja dhe mëshira qofshin mbi Pejgamberin alejhi salatu ue selam. Po mendoja se cila do të ishte dhurata më e mirë për vëllezërit dhe motrat, që unë do të kisha mundësi t’ia dhuroja atyre. Ndërkaq mendova për këtë thesar që na ka lënë i dashuri ynë alejhi salatu ue selam, e që shumica e njerëzve as që e dinë se për çfarë bëhet fjalë kur përdoret fjala “akika”, e mos të flasim për ta praktikuar në jetën tonë të përditshme. E pashë të arsyeshme që ta marr për barrë ta punoj këtë punim të vogël e modest, që t’ua ofroj vëllezërve dhe motrave, për këtë dispozitë të sheriatit të bazuar nën hijen e Sunetit të Pejgamberit, alejhi salatu ue selam dhe mendimeve të dijetarëve të këtij Umeti .

Kuptimi i akikës në aspektin gjuhësor dhe terminologjik:

Në aspektin gjuhësor: Fjala akikë rrjedhë nga folja arabe “akka – jeikku – akkan” ka therur kurban në ditën e shtatë. “Akika” janë flokët e foshnjës, apo të kafshëve që dalin duke qenë në barkun e nënës. Shumësi i fjalës “akika” është “akaik”.

Në aspektin terminologjik: Imam Bagaviu ka thënë: “Akika është emri i asaj që theret për foshnjën.”[1][1] Edhe pse janë dhënë shumë përkufizime nga dijetarët e ndryshëm me pak ndryshime përkufizimi i përshtatshëm do të ishte, se akika është: “Kurbani që theret për foshnjën në ditën e shtatë si falënderim ndaj Allahut për këtë dhunti, qoftë foshnja djalë apo vajzë.”[2][2]

Historiku i Akikës

Akika para Islamit: Akika ka qenë e njohur edhe në kohën e injorancës. Maverdiu thotë “Akika është delja që prehet pas lindjes së foshnjës që ishte e njohur tek arabët para ardhjes së Islamit”.[3][3] Edhe hadithi që është transmetuar nga Abdullah ibën Burejdeh, nga babai i tij, se ka thënë: Kam dëgjuar babin tim – Burejdeh – duke thënë: “Kur dikujt prej nesh i lindte ndonjë fëmijë mashkull në periudhën paraislamike, atëherë ne thernim një dele dhe me gjakun e saj e lyenim kokën e foshnjës, ndërsa kur erdhi Islami, thernim delen, rruanim kokën e fëmijës dhe e lyenim me shafran.”

Për këtë aludon edhe hadidhi i Aishes radiajllahu anha, për akikan se ka thënë: “Arabët paraislamikë kanë lagur një copë pambuku me gjakun e akikas dhe atë ia vendosnin fëmijës në kokë, por Pejgamberi alejhi salatu ue selam e ndaloi këtë dhe urdhëroi që në vend të gjakut të vendoset parfum”.[4][4] Sujutiu ka përmendur, se Abdul Mutalibi gjyshi i Pejgamberit alejhi salatu ue selam ka bërë akika për te në ditën e shtatë të lindjes së tij.[5][5]

Akika ka qenë e njohur edhe në kohën e Musait alejhi selam. Nga Ebu Hurejra, na përcillet se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: “Kur hebrenjve u lind djalë, atëherë ata përgatisin akika, ndërsa kurë u lind vajzë, nuk e bëjnë. Për këtë shkak, kur t’iu lindi djalë therni dy dele, ndërsa kur t’ju lindi vajzë therni një dele”.[6][6]

Akika në Islam

Një: Akika si Sunet në aspektin teorik :

  1. Ka shënuar imam Buhariu, nga Selman ibni Amir Edhabij se ka thënë: Kam dëgjuar Pejgamberin alejhi salatu ue selam duke thënë: “Therni për foshnjën akika dhe largoni prej saj papastërtinë”.[7][7]
  2. Nga Semureh se ka thënë: Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka thënë: “Çdo foshnje është peng i akikës së saj, e cila përgatitet në ditën e shtatë, i rruhet koka dhe i lihet emri”.[8][8]
  3. Nga Ummu Kurz el-Kabije alejhi salatu ue selam, e cila ka thënë: Kam dëgjuar Pejgamberin alejhi salatu ue selam se ka thënë: “Për fëmijën mashkull të theren dy dele, ndërsa për fëmijën femër, një dele”.[9][9]

Dy:  Akika sunet në aspektin praktik :

  1. Nga Ikrime, nga Ibën Abasi radijallahu anhuma: “Se Pejgamberi alejhi salatu ue selam, ka përgatitur akika për Hasanin dhe Husejnin nga dy desh”.[10][10]
  2. Nga Burejde që ka thënë: se Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka përgatitur akika për Hasanin dhe Husejnin”.[11][11]
  3. Nga Aishja radijallahu anha që ka thënë: “Pejgamberi alejhi salatu ue selam ka përgatitur akika për Hasanin dhe Husejnin në ditën e shtatë dhe ka urdhëruar, që të largohet papastërtia nga koka”. [12][12]

Tre : Nga thëniet e sahabëve dhe të tabiinëve: 

1)     Kumtohet nga Abdullah ibën Omeri Allahu qoftë i kënaqur me te: “Nuk ka ndodhur që dikujt t’i lind foshnje e të kërkojë për akika e mos t’i jap. Dhe kur atij i lindte djalë apo vajzë ai therte nga dy dele ”[13][13]

2)     Kumtohet nga Hisham ibën Urve, se babi i tij Urve ibën Zubejr bënte akika për djem apo vajza nga dy dele.[14][14]

3)     Kumtohet nga Ibën Ebi Mulejke, se kur i kishte lindur nipi është pyetur Aishja radijallahu anha që të prehen dy buallica. Aishja i kishte thënë: Kërkoj mbrojte tek  Allahu nga kjo gjë, për atë që ka thënë Pejgamberi alejhi salatu ue selam dy desh mjaftojnë “.[15][15]

4)     Përcillet nga Ibën Sirini: Vepro me mishin e akikës si të duash, iu është thënë ta hani krejt, ka thënë: “Ha dhe ushqeji të tjerët”.[16][16]

5)     Transmetohet nga Hasani, se Enes ibën Maliku bëri akika për djalin e vet duke therur buallicë.[17][17]

6)     Transmetohet nga Muhamed ibën Sirini, se ka thënë: “Sikur ta dija se nuk kanë bërë për mua akika do ta bëja një gjë të tillë vetë për veten time”.[18][18]

7)     Kumtohet nga Katadeja se ka thënë: “Për akikën thuhet ashtu si për kurbanin: Bismilah, akika e filanit.”[19][19]

8)     Përcillet nga Hasen el-Basriu, se ka thënë: “Akika është një dele, theret në ditën e shtatë, foshnjës i rruhet koka dhe i lihet emri ”[20][20]

Urtia e akikës

Nuk ka dyshim se akika ka urti dhe dobi të shumta, nga ato veçojmë:

–   Falenderimi ndaj Allahut për ardhjen e foshnjës, ngase fëmija është dhuntia më e madhe, që Allahu ua dhuron njerëzve. Fëmijët janë bukuri e jetës së kësaj bote.

–   Dobia e shpërndarjes së lajmit për ardhjen e foshnjës në jetë dhe kjo bëhet më së miri kur njeriu ther kurban dhe tubon njerëzit për këtë qëllim që të hanë nga mishi i saj.

–  Kundërshtimi i të krishterëve që kur u lindte foshnja ua lyenin kokën me gjakun e akikës, që e quanin “mabudije” dhe me këtë gjest fëmija bëhej i krishterë sipas tyre.

–  Pasimi i babait të pejgamberëve, kur ai në shenjë falënderimi ndaj Allahut për të birin e tij që deshi ta theri kurban.

–  Është shenjë që nga fillimi i lindjes së foshnjës të fillojë me sakrificë, duke shpresuar që kjo foshnje në të ardhmen do të sakrifikojë përherë në rrugën e Allahut.

– Është shkak për tubimin e besimtarëve si familjarë, vëllezër, farefis etj.

–  Solidariteti me ata që kanë nevojë, ngase njeriu kur ther kurban një pjesë ua shpërndan të varfërve, apo i fton në sofrën e akikas, që feja jonë përherë e promovon këtë vlerë.

–  Ibën Haxhi përmend se akika ka dobi të shumta, po leë të mjaftojë se kjo është një ngjallje e sunetit dhe me të bëhet vdekja e bidatit. Dhe do të mjaftojë bereqeti i praktikimit të Sunetit, që të jetë shkaktar për ruajtjen e fëmijës nga fatkeqësitë e jetës, sepse praktikimi i Sunetit është shkaktar i bereqetit dhe të mirave që sjell.

Kushtet e akikës:

A kushtëzohet për akika ajo që kushtëzohet për Kurbanin?

Xhumhuri i dijetarëve ndan mendimin se: Kushtëzohet për akika ajo që kushtëzohet për kurbanin nga aspekti si: të bëhet akika nga  kafshët shtëpiake, mosha e duhur, të jetë e shëndoshë dhe pa të meta.

Imam Maliku thotë: “Akika është në pozitën e kurbanit, nuk lejohet të jetë qorre, e çalë, të ketë të thyer bririn e as e sëmurë”. [21][21]

Imam Tirmidhiu thotë: “Konsiderohet akika, ajo që plotëson kushtet për kurban.”[22][22]

Ibën Kudame thotë: “Dispozitat e akikas janë të njëjta me  dispozitat e Kurbanit në moshë.” [23][23]

Nga mendimet e dijetarëve vijmë në përfundim se kushtet e akikës janë:

  1. Kurbani duhet të jetë nga bagëtitë, si: dele, dash, dhi, lopë, deve, nuk bën pjesë lepuri, pula apo ndonjë shpend. Ky është mendimi i xhumhurit të dijetarëve nga fukahatë apo dijetarët e hadithit.[24][24]
  2. Të jetë e shëndoshë e pa të meta: ky është medhhebi i xhumhurit të dijetarëve. Qëllimi që të jetë e shëndoshë nga të metat është siç thotë Imam Maliku: “Akika është në pozitën e kurbanit, nuk lejohet të jetë qorre, e çalë, të ketë të thyer bririn e as të jetë e sëmurë”. [25][25]
  3. Mosha: për akika kushtëzohet ajo që kushtëzohet edhe për kurbanin mosha, nuk lejohet të theret përveç se kur e ka plotësuar moshën e duhur, si p.sh., lopa duhet t’i plotësoj dy vjeç, deveja pesë vite, delja gashtë muaj.

 

Autor: Rashit Zylfiu

 

 

[1][1] Tehdhib esmau ue sifat 2/31-32.

[2][2] Mugnij, 9/458 , Muhedheb mea mexhmu 8/426 , Nejl evtar 5/149, Subulu selam 4/179.

3 (El-havil kebir 15/126) [3][3]

[3][4] E ka shënuar Bejhakiu, dhe ka thënë Neueviu zinxhiri është i saktë.

El-Havij lil fetavij 1/196 [5][5]

[6][6] Transmeton Bejhakiju, Ibn Ebi Dunja. Në këtë zinxhir është Ebi Hafsa poet dhe babai i tij, që të dy të panjohur. Transmeton gjithashtu Bezari, e ka përmendur Ibën Haxheri dhe nuk ka fol për te. Shuabul iman 6/391, Sunenul kubra 9/302, Mexhmeul zevaid 4/58, Fethul barij 9/12). Albani e ka saktësuar këtë hadith  tek Ibën Hibani (Irvaul galil 389/4). Ka shënuar Ibën Hibani, dhe ka thënë Shuajb Arnauti: se zinxhirin e ka të saktë. El-Ihsan 124/12.

[7][7] Sahihul Buharij mea sherh fethul barij 9/12.

[8][8] Sunen Ebi Daud 8/28, Sunen en-Nesaij 7/166, Sunen Termidhi 4/82, imam Albani e saktëson këtë hadith.

[9][9] Sunen Ebi Daud mea sherh Aun mabud 8/27

[10][10] Sunen Ebi Daud ma sherh Avn mabud 8/30  ). Shuajb Arnauti ka thënë se zinxhiri është i saktë

[11][11]Sahih Sunen en-Nesaji 3/885, Irvaul galil,4/380). Albani ka thënë, se është i saktë

[12][12] Sahih Sunen enNesaji 3/885, Irvaul galil, 4/380) Shuajb Arnauti ka thënë, se zinxhiri është i mirë.

 [13][13]Shënon imam Bejhakiu , Muvata 2/400 , Sunen kubra 9/302 .

[14][14] Shënon imam Bejhakiu, Sunen Kubra 9/302 .

[15][15]Shënon Ibn ebij Dunja në librin Elajal , 1/201 .

 [16][16]Shënon Ibn ebij Dunja 1/201.

[17][17] Shënohet në Musanefin e Ibn ebij Shejbe 8/245.

 [18][18] Shënohet në Musanef e Ibn ebij Shejbe 8/236 .

 [19][19] Shënohet në Musanefin e Ibn ebij Shejbe 8/244.

 [20][20] Shënohet në Musanefin e Ibn ebij Shejbe 8/241.

[21][21] Muvata, 2/400.

[22][22] Sunen Termidhi me shpjegimin etuhfe 6/96 /h.

[23][23] Mugnij9/369.

 [24][24] Këtë mendim e ka kundërshtuar vetëm Ibn Hazm Dhahiri, i cili ka thënë se për akika duhet të theret vetëm dele dhe dhi, ndërsa lopë apo deve nuk lejohet. Burimi Muhala 6/234.

[25][25] Muvata, 2/400. Këtë kusht nuk e kushtëzon imam Ibn Hazm Dhahiri dhe gjithashtu iu ka bashkangjitur edhe imam Shevkani, ku nuk kushtëzohet të jetë e shëndoshë nga të metat.