10. SFIDA E NDARJES

0
2838

“Të Allahut janë çdo gjë që ka dhuruar dhe ka marrë.”[1]

Allahu thotë:

“Çdo qenie e gjallë do të shijojë vdekjen!” (Al’imran: 185)

Nuk ka krijesë që nuk e përjeton këtë sfidë, sfidën e ndarjes nga kjo jetë. Kjo sfidë është e pakontestueshme, e pashmangshme në jetën tonë. Është ai moment kur njerëzit ndahen nga ne apo ne ndahemi nga ata.

Është sfidë e dhimbshme kur pret të çelë mëngjesi dhe nuk dëgjon zërin e babait në shtëpi apo zërin e ëmbël të nënës, e cila çdo ditë cicëron si zëri i bilbilit, apo bëhet natë dhe vëllai, motra, biri apo bija nuk janë në mesin tonë.

Apo kur provon ta thërrasësh shokun e jetës e pret të të përgjigjet, edhe pse ti je i bindur që ai më nuk do të kthehet sepse është ndarë nga jeta.

Është e vërtetë se në këtë jetë do të na mungojnë shumë njerëz, por edhe ne do t’u mungojmë atyre atë ditë kur do të ndahemi nga jeta. Trupi është krijuar për t’u ndarë nga kjo jetë.

“…kurse njeriu nuk e di se çka do të bëjë nesër dhe askush nuk e di se në çfarë vendi do të vdesë. Allahu me siguri e di dhe është i informuar për gjithçka.”
(Lukman: 31)

  • Çfarë është sfida e ndarjes?

Është momenti kur ti sheh apo dëgjon se filani ka ndërruar jetë. Ai më nuk jeton, ti nuk mund të kontaktosh me të. Është një moment kur ti ndien dhembje për të dashurit e tu që tani më nuk janë në jetën e kësaj bote.

Por shpresa mbetet në mëshirën e Zotit, që ka kapluar çdo gjë.

 

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?

Kjo sfidë, ndarja nga jeta, ekziston për të treguar se Allahu është i Vetmi, i Gjalli, i Përjetshmi, i Pafillim, i Pambarim, i lartësuar qoftë Ai.

Kjo sfidë ekziston për të marrë një mesazh, një mësim nga Krijuesi i gjithësisë, se edhe ti një ditë do të jesh në këtë gjendje.

  • Dëmet dhe pasojat e saj në jetën tonë

Allahu thotë:
“…e kur vjen afati, për asnjë moment nuk munden as ta vonojnë e as ta shpejtojnë.”(Nahl: 61)

 

Por, ndarja:

  • Sjell mërzi.
  • E çorienton njeriun dhe e copëton zemrën e tij.
  • Në moment sjell dëshpërim dhe brenga të mëdha.
  • Mbjell te dikush mendim të keq për Zotin.

 

  • Dobitë e saj në jetën tonë

Allahu rrëfen për sfidën e ndarjes, se asaj nuk mund t’i ikë askush.

“Thuaj: “Vdekjes së cilës po i ikni ju, ajo do t’ju arrijë. Pastaj, ju do të ktheheni tek Ai, që i di gjërat e dukshme dhe të padukshme, dhe Ai do t’u informojë juve për atë që keni punuar.”(Xhuma: 8)

  • Vdekja është mësimi, këshilla më e madhe për njeriun.
  • Kalimi nga jeta e përkohshme në jetën e përhershme.
  • Kalimi nga jeta ku ka pasur një mëshirë në një jetë ku ka njëqind mëshira të Allahut.
  • Vdekja na kujton takimin me Allahun.
  • E inkurajon njeriun të bëjë mirë dhe të largohet nga veprat e liga.

 

  • Si të veprojmë në momentet e ndarjes?

Përballë sprovës së ndarjes ekzistojnë dy kategori njerëzish:

  1. Ai i cili mërzitet për humbjen dhe ndarjen me të dashurin e tij në jetë, por megjithatë jep gjithçka nga vetja e tij për ta përcjellë në formën më të mirë të mundshme sepse është i bindur se kështu duhet t’ia dorëzojmë Allahut të vdekurin tonë.
  2. Ai i cili zhytet në mërzi dhe humb orientimin, humb rrugën dhe nuk pranon se dikush duhet të ndahet nga jeta, nuk mund ta paramendojë jetën pa të.

 

Në këtë rast duhet të kesh parasysh këto gjëra:

  • Mos e kundërshto caktimin e Allahut.
  • Vajtimin dhe dhembjen shndërroje në dua.
  • Kaloje këtë sfidë me mërzi sipërfaqësore.
  • Lidhu me Atë që është i gjallë, i përjetshëm, Krijuesin tënd.
  • Kuptoje se jeta vazhdon dhe pa të dashurit tanë, edhe nëse duket më ndryshe.

Pejgamberi Muhamed, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që e godet veten, gris rrobat dhe thërret me thirrje të injorancës.”[2]

 

Lutja përmbyllëse

Zoti ynë! Bëje vdekjen e të dashurve tanë që të jetë këshillë dhe mësim për ne. Na bëj të jemi të kënaqur me caktimin Tënd. O Zot i madh! Fali ata dhe ne në momentin kur ndahemi nga jeta!

Na bëj që syri ynë të lotojë, zemra të mërzitet e gjuha jonë të mos thotë vetëm se atë që Ti je i kënaqur!

 

[1]Shënon Buhariu.

[2]Shënon Muslimi.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”