8. SFIDA E MËRZISË

0
1329

“O Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe mërzia!”[1]

Mërzia është pjesë e jetës sonë dhe e natyrës njerëzores, asaj nuk mund t’i shmanget askush. Sikur të kishte shpëtuar dikush prej saj, do të ishin Pejgamberët e Allahut. Edhe pse ishin njerëz të përzgjedhur të Zotit, ata mërziteshin. Shpeshherë nga goja e të Dërguarit tonë dëgjohej edhe kjo dua:“O Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe mërzia!”[2]

Allahu në disa vende iu drejtua atij duke e këshilluar që të rrijë larg mërzisë nëse e godet.

“Dhe mos të pikëllojnë fjalët e tyre.” (Jasin: 76)

Dhe mos u pikëllo ti për shkak të tyre dhe mos u ngushto ti për pështjellimet e tyre.” (Neml: 70)

Edukimi hyjnor ishte burimi i fjalëve që më së shumti e luftoi mërzinë në jetën e tij dhe i mësoi të tjerët që mos ta lënë mërzinë t’ua ngulfasë jetën.

Ai në shpellën Theur i tha shoqëruesit të tij Ebu Bekrit:

“Ai (Muhamedi a.s.) i tha shokut të vet (Ebu Bekrit r.a.): “Mos u brengos, vërtet Allahu është me ne!” (Teube: 40)

Kemi shumë raste nga jeta e Profetit Muhamed alejhi selam kur ai mërzitej për familjen, shokët dhe vendlindjen, por kurrë nuk lejoi që mërzia të dominonte në jetën e tij.

  • Çfarë është mërzia?

Mërzia është errësirë e fshehur në brendësinë e njeriut, ajo ngadalëson frymëmarrjen, shtrëngon gjoksin, copëton zemrën. Ajo shkaktohet kur dashuron diçka çmendurisht dhe në moment zbulon se gjithçka ka qenë një iluzion, kur përzgjedh gjëra dhe kupton se ke përzgjedhur gabim.

Mërzia na godet më tepër kur ndiejmë se errësira na ka kapluar nga çdo anë, kur syve tanë u fshihen gjërat e bukura, kur humbim një shok pa të cilin mendojmë se nuk mund të jetojmë, kur për një çast humbim gjërat që zotëronim.

 

  • Pasojat dhe dëmet e mërzisë

Nuk ka dyshim se mërzia lë pasoja në jetën tonë, por ne çdo herë duhet të gjejmë energji për ta luftuar atë.

 

  • Nganjëherë mërzia zë aq vend te ne, saqë bëhemi vetë ne mërzia.
  • Mërzia shpeshherë na ngulfat duke na bërë të harrojmë se në jetë ka shumë gjëra të bukura dhe njerëz që na ndriçojnë errësirën që na sjell mërzia.
  • Mërzia mbjell urrejtje. Personin e mërzitur nuk e do askënd.
  • Ajo sjell depresion.
  • Shkakton dëme shëndetësore.
  • Mërzia e bën individin apo shoqërinë pasive duke mos sjellë produktivitet në jetë.
  • Mërzia sjell verbim, a thua se me këtë sfidë të jetës erdhi fundi i botës.

 

  • Momenti i mërzisë

Çdonjëri prej nesh ka momente në jetë, qofshin të kaluara apo të tanishme, kur përjeton mërzi në jetën e tij, por e rëndësishme për ne është se si do të reagojmë në këto momente. A do ta kalojmë testin e kësaj sfide apo do të ngelim në të dhe vështirë do të dalim nga ajo?

Momenti i mërzisë na tregon realitetin e kësaj jete.

Çdonjëri prej nesh në momentin e mërzisë kalon nëpër këta hapa:

  1. Refuzimi
  2. Hidhërimi
  3. Çorientimi

Ose do të jesh nga ata që do të dinë t’i kalojnë këta hapa ose do të ngelesh në ta. Më e mira është kur i kalon me nxitim këto momente dhe vazhdon jetën.

  • Ilaçi i mërzisë

Pejgamberi alejhi selam, kur i vdiq djali i tij, na dha një ilaç kur tha: “Syri le të lotojë, zemra le të mërzitet, por gjuha të thotë vetëm atë që Zoti ynë është i kënaqur.” [3]

Sa herë që mërzitesh në këtë dynja, sepse nuk mundet askush t’i ikë asaj, përkujto ditën kur nuk do të ketë më mërzi.

Fjala e parë që do të thonë banorët e xhenetit kur të hyjnë në xhenet është:

“E ata thonë: “Falënderuar qoftë Allahu që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që fal shumë dhe është bamirës.” (Fatir:34)

Kujto fjalët e Allahut kur do të na thërrasë në Ditën e Gjykimit:
“O robërit e Mi, për ju sot nuk ka frikë, as që do të pikëlloheni.” (Zuhruf: 68)

 

Lutja përmbyllëse

Zoti im, kërkoj mbrojtjen Tënde nga brengat dhe mërzia, nga paaftësia dhe dembelia, nga koprracia dhe frika, si dhe nga zhytja në borxhe dhe mposhtja prej njerëzve![4]

[1] Transmeton Buhariu, 7/158: “Pejgamberi a.s. e përsëriste shpesh këtë lutje.”

[2] Transmeton Buhariu, 7/158: “Pejgamberi a.s. e përsëriste shpesh këtë lutje.”

[3]Shënon Buhariu, Muslimi.

[4]Shënon Buhariu, 7/158: “Pejgamberi a.s. e përsëriste shpesh këtë lutje.”

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”