Virusi corona këshilla dhe mësime: Këshilla #12: BINDJA NË ZOT

0
1030

Këshilla 12: BINDJA NË ZOT

Allahu ﷻ thotë në Kur’an: 

﴿وَكَانُوا بِآيَاتِنَا يُوقِنُونَ

“Dhe ndaj argumenteve Tona ishin të bindur.” [Sexhde: 24]

Besimi në Allah, mbështetja dhe autorizimi i çështjeve tona tek Ai janë rrugët më të mira për tejkalimin e fatkeqësive dhe sfidave, ashtu si bindja (jekin) që ndihma e Allahut do të vijë pa dyshim dhe se pas vështirësisë vjen lehtësimi janë nga shkaqet më të qarta të lehtësimit të sprovave. Kur bindja në Zot forcohet, njeriu është më afër durimit, kënaqësisë dhe dorëzimit para Zotit. Profeti Muhamed  sa herë që ngrihej nga mexhlisi, lutej me fjalët:Dhe na jep atë bindje, e cila na i lehtëson fatkeqësitë e kësaj jete.”

Kur sprova u rëndohet besimtarëve, bindja e tyre te Zoti forcohet, nuk dobësohet, sepse kjo kategori nuk e njeh dëshpërimin. Njerëzit më të durueshëm në sprova dhe fatkeqësi kanë bindjen më të madhe, kurse ata që më së shumti janë të indinjuar e të hidhëruar në sprova kanë më pak bindje në Zot. Zemra e besimtarit është e bindur si një kështjellë e fortë që nuk e tronditin furtunat e fatkeqësive, madje veç ia shtojnë fuqinë.

Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të, siç përmendet në librin “El-Jekin” të Ibn Ebi Dunjasë, në faqen 42, ka thënë: “Me të vërtetë freskimi dhe shpëtimi janë në bindje dhe kënaqësi, ndërsa brenga dhe mërzia në dyshim dhe hidhërim”.  Në “Esh-Shukru”, po kështu të Ibn Ebi Dunja, në faqen 24, shënohet se ai ka thënë: “Bindja në Zot (jekini) dhe imani janë së bashku”.

Sufjan eth-Thevrij në “Hiljet El-Evlija”, 7/9, ka thënë: “Bindje (jekin) është të mos e akuzosh Zotin tënd për çdo gjë që të godet dhe të sprovon”. 

Ibën Kajimi në “Medarixh Es-Salikin”, 2/374, ka thënë: “Bindja në Zot (jekin) është shpirti i veprave të zemrave, që janë shpirtrat e veprave të gjymtyrëve, ajo është realiteti i sinqeritetit.” 

 

Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU

Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime