Virusi corona këshilla dhe mësime: Këshilla #13: BËHUNI SYÇELË

0
822

Këshilla 13: BËHUNI SYÇELË

Allahu ﷻ thotë në Kur’an: 

﴿خُذُوا حِذْرَكُمْ

“Bëhuni syçelë.” [Nisa: 71]

Veprimi i shkaqeve materiale legjitime të mundshme është prej ligjeve kozmologjike. Kjo gjithashtu ishte veçori e të Dërguarve, e të devotshmëve dhe bazë e realizimit të adhurimit, e plotësimit të bindjes në Zot. 

Allahu i Lartësuar na është drejtuar në shumë ajete kur’anore që t’i veprojmë shkaqet si në rastin e Merjemes, nënës së Isait alejhi selam, kur Zoti e urdhëroi që ta shkundte trupin e palmës që të binin hurmat, edhe pse gjendja e saj ia pamundësonte një gjë të tillë për shkak se ishte në momentet e lindjes së Isait, e dobët për ta bërë një gjë të tillë, megjithatë ky hap ishte veprim i shkaqeve të duhura për momentin e duhur (që të binin frutat e hurmave, të cilat ishin ushqim forcues për të).

Realiteti i mbështetjes te Zoti (tevekul) është mbështetja e zemrës tek Allahu me kryerjen e shkaqeve. Mbështetja tek Allahu dhe kundërshtimi i veprimit të shkaqeve është diskreditim në sheriatin islam dhe mangësi logjike, ndërsa e kundrat e saj, veprimi i shkaqeve dhe anashkalimi i mbështetjes së zemrës tek Allahu është mangësi e teuhidit (të adhuruarit vetëm Allahun) dhe shirk (rivalitet) në shkaqe.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, në “Medarixh Salikin”, 2/120, ka thënë: “Mbështetja te Zoti është nga shkaqet madhore që përmes saj realizohen kërkesat e mira dhe largohen të këqijat. Ai që mohon shkaqet nuk e ka kuptuar mbështetjen në Zot (nuk është në rrugën e duhur), pasi prej plotësimit të mbështetjes (tevekulit) është mospërulja totale ndaj shkaqeve dhe ndërprerja e zemrës me mbështetje në Zotin”.

Këtë kuptim preciz e ka konfirmuar edhe dijetari islam Ibën Tejmije, Allahu e mëshiroftë, dhe e ka përcjellë prej shumë dijetarëve në “Tufetu El-Irakije”, faqe 52, ku thotë: “Të kapesh për shkaqe është shirk në teuhid, anulimi i tyre do të ishte mangësi në logjikë dhe kundërshtimi total i tyre është diskreditim i sheriatit. Por, mbështetja është e besueshme kur plotëson tre komponentë; teuhidin, logjikën dhe sheriatin”.

 

Autor: Ejmen Shaban, solli për ju në gjuhën shqipe Rashit ZYLFIU

Fjalë kyçe - seria Virusi corona këshilla dhe mësime