Biri im ka ndryshuar

0
1107

Biri im ka ndryshuar, nuk është ai fëmija që më dëgjonte, ka filluar të jetë kokëfortë me mua dhe kundërshtari më i madh i imi. Tani më kundërshton në shumë çështje, nuk pranon më nga unë as këshilla e as sugjerime; polemizon dhe e zgjat dialogun me mua. Ai tani nuk pranon të marrë pjesë as në shumë aktivitete familjare, si vizitat e disa të afërmve apo gazmendet familjare; refuzon të vijë me ne, por qëndron në shtëpi apo me shokët e tij. Ai tani qëndron tërë natën pa gjumë dhe kalon shumë kohë me shokët e tij, më shumë sesa qëndron me prindërit apo vëllezërit e tij.
Këto fjalë dhe të ngjashme me to i dëgjojmë nga shumë prindër për fëmijët e tyre, pasi këta të fundit arrijnë moshën dymbëdhjetë deri pesëmbëdhjetë-vjeçare. Këto ankesa mund të jenë të ngjashme edhe nga nënat për vajzat e tyre, ankesa që pak ndryshojnë nga ato që u përmendën, si për shembull veshjet e veçanta apo qëndrimi afër telefonit për një kohë të gjatë ose të ngjashme me to.
Ankesa e prindërve ka të bëjë edhe me atë se fëmijët e tyre hidhërohen dhe qajnë shumë shpejt apo vërejtje të tjera, të cilat me të vërtetë flasin për një ndryshim serioz.
Një përshkrim i tillë mund të zmadhohet nga ana e disa prindërve, pasi mund të mos ndodhë që gjithë këto cilësi e tipare të mblidhen tek i biri apo e bija, por është realitet, ngase bijtë e tyre tani nuk janë më fëmijë dhe po kalojnë nga mosha e fëmijërisë në atë të pjekurisë (adoleshencës). Këtë periudhë ndryshimesh, që përmban në vetvete ndryshime trupore dhe psikologjike, disa prindër nuk mund ta pranojnë lehtë ose nuk arrijnë të gjejnë një metodë të përshtatshme komunikimi me fëmijët. Për këtë ekzistojnë shumë shkaqe.

Një: Mosnjohja e natyrshmërisë së kësaj periudhe dhe veçoritë që e dallojnë këtë periudhë nga të tjerat. Edhe pse të gjithë prindërit e kanë kaluar këtë periudhë, shumica e tyre kanë harruar atë që kanë ballafaquar dhe si i shikonin të rriturit dhe jetën në përgjithësi kur e kanë jetuar vetë këtë periudhë.

Dy: Prindërit çdo herë i shikojnë fëmijët e tyre sikur të ishin ende të vegjël, prandaj tani nuk është e lehtë për ta që ta pranojnë se fëmijët e tyre janë rritur dhe kanë mendimet e tyre. Prindërit e pranojnë përbrenda vetes se tani e tutje ata nuk kanë ndikim mbi fëmijët e tyre dhe se janë plakur, edhe pse shpeshherë këto ndjenja përzihen me emocione dhe krenari, se tani djemtë janë bërë burra dhe mund ta ndihmojnë atë në çështje të jetës, ndërsa vajzat janë bërë gra e mund ta ndihmojnë nënën e tyre. Prindërit i dëshirojnë karakteristikat e një ndryshimi të tillë, por ata nuk pranojnë t’u dorëzohen disa gjërave që kërkon kjo periudhë.

Përshkrimi i prindërve për bijtë e tyre, që u përmend në fillim të artikullit, nuk do të thotë se këto tipare duhen të jenë të pashmangshme në periudhën e adoleshencës dhe se çdo adoleshent patjetër duhet të karakterizohet prej tyre. Por shumica e tipareve të përmendura janë si rezultat i mënyrës së komunikimit me të cilën ballafaqohet adoleshenti dhe që vjen jo vetëm nga prindërit e tij, por edhe nga rrethi ku jeton. Periudha e adoleshencës duhet të jetë e natyrshme, të kalojë lehtë dhe shoqëria të komunikojë me mënyrën që i përshtatet kësaj periudhe.
Ndër çështjet me të cilat po përballemi në kohën bashkëkohore është edhe zgjatja kohore e përgatitjes për veprimtari në jetë nga ane e djalit apo vajzës, të cilët e kanë kaluar moshën njëzetvjeçare kur fillojnë punë dhe njihen si anëtarë të plotë në shoqëri. Një vonim i tillë shpie te një vonim i ngopjes së shumë nevojave të adoleshentit, qofshin shpirtërore apo natyrore, çka e shtyn atë të kryejë disa veprime jo të pranuara për t’i treguar vetes dhe të tjerëve se ai tani është burrë ose se ajo është grua. Sa herë që të rinjtë nuk gjejnë përkrahjen e shoqërisë lidhur me atë që kërkon periudha që po kalojnë, sjelljet e tilla shtohen.
Ajo që dallon nga e kaluara është se më herët nuk kishte ndonjë vështirësi për të komunikuar me adoleshentët. Problemin me të cilin përballemi ne nuk e kanë pasur prindërit tanë më herët.
Problemi i ndryshimit nuk qëndron te periudha e adoleshencës sa qëndron te mënyra se si e trajton shoqëria këtë çështje dhe te komunikimi i saj me adoleshentët. Më herët i riu është quajtur burrë kur ka mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë-shtatëmbëdhjetëvjeçare. Në këtë moshë ai ka filluar të punojë dhe është martuar, madje mund të ishte edhe baba në këtë moshë, ndërsa vajza ndoshta edhe më herët.
Nuk ka dyshim se tani prindërit nuk mund të bëjnë që fëmijët e tyre të punojnë apo të martohen në moshën që janë martuar gjyshërit e tyre, ngase çështja ka lidhje me shoqërinë në përgjithësi, por prindërit mund të komunikojnë me fëmijët e tyre ashtu siç i përshtatet kësaj periudhe brenda mundësive të tyre. Kjo kërkon që në fillim prindërit ta kuptojnë natyrën e kësaj periudhe duke lexuar apo dëgjuar ligjërata nga ekspertët e kësaj periudhe që të arrijnë të shpalosin disa nga kujtimet e kohës kur ata vetë kanë përjetuar këtë periudhë, se cilat kanë qenë ndjenjat dhe kërkesat e tyre, dhe të mundohen ta vendosin veten në vend të bijve të tyre. E gjithë kjo duhet bërë pa e tepruar, duke gjykuar brenda kornizave të sheriatit.

Prof. dr: Omer bin Abduhrahman elMagdij
Profesor i psikologjisë dhe përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë në Universitetin Mbreti Saud
Përktheu dhe përshtati: Rashit Zylfiu