1. A është ajeti i fundit i zbritur fjala e Allahut?

0
1079

Desha ta di a është ajeti i fundit i zbritur fjala e Allahut:

“Dhe ruajuni asaj dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi” (Bekare, ajeti 281), apo ajeti 3 në suren Maide:

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj”?

 

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Dihet se Kur’ani është shpallur pjesë-pjesë në një interval kohor prej 23 vitesh. Kjo tregon se disa ajete apo sure janë shpallur para të tjerave, duke i dhënë shkas edhe mospajtimit se cili është ajeti i fundit i shpallur nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: ajeti i fundit që recitoi në ditën që vdiq apo ajeti i fundit që është shpallur sipas radhitjes kur’anore?

Varësisht nga këto kuptime kanë ardhur edhe mendimet që do të përmendim.

Mendimi i parë është shënuar nga Buhariu dhe Muslimi prej Omer ibn Hatabit.

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”

Mendimi i dytë është ajeti i kamatës. Këtë e kumton Buhariu nga Ibn Abasi.

“O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”

Mendimi i tretë është ajeti i borxhit, i cili transmetohet nga Seid bin Musejibi.

“O besimtarë! Shkruajeni huan që ia jepni njëri-tjetrit për një afat të caktuar. Le ta shënojë atë me drejtësi një shkrues ndërmjet jush; asnjë shkrues të mos ngurrojë që ta shënojë ashtu siç e ka mësuar Allahu.”

Mendimi i katërt është ai që shënohet nga Buhariu dhe Muslimi prej Bera bin Azibit.

“Ata kërkojnë nga ti (Muhamed) gjykim (për dikë që vdes pa pasur trashëgimtarë). Thuaju: “Allahu ju udhëzon ju për një njeri të tillë.”

Mendimi i pestë transmetohet nga Buhariu dhe të tjerët prej Ibn Abasit.

“Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë.”

Mendimi i gjashtë flet për suren Nasr dhe transmetohet nga Muslimi prej Ibn Abasit.

Mendimi i shtatë përmend suren Maide dhe shënohet nga Termidhiu prej Aishes dhe Abdullah bin Amrit.

Mendimi i tetë transmetohet nga Nesaiu prej Ibn Abasit dhe Seid bin Xhubejrit.

“Dhe ruajuni asaj dite që do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka fituar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.”

 

Rezyme

Për të gjitha këto mendime zinxhiri i transmetimit nuk arrin shkallën e të qenët transmetim nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Të gjitha janë ixhtihade personale, përveç ajetit të fundit, i cili është në suren Bekare dhe të gjithë dijetarët janë të pajtimit se sure Bekare ka zbritur në Medinë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jetoi edhe njëzet e një ditë pas saj, kurse Mukatili thotë se ka jetuar edhe shtatë ditë.

Mund të themi se ajeti i fundit që ka zbritur në Kur’an është ajeti 281 në suren Bekare, duke u bazuar edhe në mendimin e shumicës së komentatorëve që anojnë nga ky mendim.

 

Allahu e di më së miri.