Vlera e borxhit në Islam

0
1340

الحمدلله؛ ضرب الآجال، وقسم الأرزاق، يعطي من يشاء، ويمنع من يشاء، وكل شيء عنده بمقدار.

وأشهد أن لا إله إلا الله وحده لا شريك له؛ كل الخلق مفتقرون إليه، ولا فرار لهم منه إلا إليه.

وأشهد أن محمدا عبده ورسوله؛ لا خير إلا دلنا عليه، ولا شر إلا حذرنا منه.

صلى الله وسلم وبارك عليه وعلى آله وأصحابه وأزواجه الطاهرات أمهات المؤمنين، وعلى التابعين ومن تبعهم بإحسان إلى يوم الدين.

 

أما بعد:

Allahu i Madhëruar thotë:

“Ai ju ka bërë pasardhës të njëri-tjetrit në Tokë dhe ka ngritur në shkallë disa nga ju mbi të tjerët, për t’ju provuar në atë që ju ka dhënë. Sigurisht që Zoti yt është i shpejtë në dënim, por, në të vërtetë,  Ai është edhe Falës e Mëshirëplotë.” ( En’am: 165.)

 

Si rezultat i këtij ligji, në mesin e njerëzve ka të pasur dhe të varfër, të ngritur dhe të ulët. Për këtë shkak Allahu solli sheriatin e Tij, që të jetë inkurajues ndaj njerëzve për të ndihmuar njëri-tjetrin, që të jenë të mëshirshëm, bamirës dhe për të hapur shumë dyer të tjera të hajrit, që në shumicën e rasteve nuk kanë kompensim material në këtë botë pos shpërblimit që Zoti ka rezervuar për robërit  e Tij të sinqertë.

Nëse këto vlera nuk merren parasysh, atëherë do të rrezikohet siguria e njerëzve, do të devijojë morali i tyre, do të përhapet frika, ngase kur i urituri sheh se tjetri po ngop barkun, kjo ngjall armiqësi dhe hakmarrje në marrjen e pasurisë së tij apo veprime të tjera për të përfituar pasuri.

Nëse të varfrit shtohen dhe të pasurit uzurpojnë pasurinë përmes rrugëve legjitime apo jolegjitime, shtohet ndenja e hakmarrjes dhe atëherë nuk ka të varfër që ngopet, por as të pasur që është i sigurt. As jetës nuk i mbetet më vlerë nëse njerëzit bëhen të tillë.

Sheriati i Zotit çdo herë i mbyll dyert të cilat mund të rrezikojnë shoqërinë, duke ndaluar kamatën, ryshfetin dhe keqpërdorimet e tjera që dëmtojnë shoqërinë. Duke pasur në fokus individin dhe shoqërinë, që të mos ketë trazira apo dëmtim shpirtëror dhe trupor, sheriati hapi dyert e inkurajimit për bamirësi të ndërsjellë duke dhënë shpërblime pa masë për njeriun në këtë botë dhe në botën tjetër, që këto të mira t’i shohë në veten e tij, familjen dhe pasurinë e tij.

Njëra ndër dyert e hajrit që Islami ka hapur për të ndihmuar njerëzit njëri-tjetrin, por që kohët e fundit ka filluar gradualisht të mbyllet, është dhënia e borxhit, shtyrja e afatit për borxhliun dhe shlyerja e borxhit. Këtë vlerë feja jonë e promovon dhe e ngre aq lart, saqë ajeti më i gjatë në Kur’an i kushtohet kësaj vlere, për të cilën shumica e njerëzve janë në gaflet për shpërblimin që ka, por kjo vjen edhe si rezultat i një pjese njerëzish që nuk e kthejnë borxhin. Për pasojë vjen:

  1. frikësimi i njerëzve për të mos dhënë borxh duke parë se atë që jep, nuk mund ta marrë më;
  2. privimi i njerëzve bamirës për t’i ndihmuar nevojtarët;
  3. privimi i njerëzve të ndërgjegjshëm për të përfituar nga kjo vlerë, që të mbarojnë hallet e tyre;
  4. shfaqja e dukurive negative në shoqëri, si: kamata, vjedhja, ryshfeti etj.;
  5. shndërrimi i vlerës (dhënies borxh) në antivlerë etj.

Vëllezër të nderuar!

Nuk është çudi që feja jonë flet për borxhin duke sjellë një faqe të Kur’anit për të treguar etikën dhe normat, dispozitat e borxhit huadhënësit dhe huamarrësit, ngase Islami shpeshherë flet edhe për gjëra dytësore që janë në dobi të njerëzve .

Islami borxhin e konsideron si një akt solidariteti, akt humanitar. Ajeti i borxhit fillon me “O ju besimtarë” dhe këtu Zoti na thërret dhe na tërheq vëmendjen, duke trokitur në besimin tonë, që huamarrësi ta ketë parasysh këtë thirrje hyjnore dhe pas kësaj të mos luajë me pasurinë dhe ndenjën e huadhënësit, duke vonuar borxhin nga afati i caktuar apo duke mos e kthyer fare. Dhe në anën tjetër inkurajon huadhënësin që të mos e lëshojë mundësinë për të fituar këto shpërblime të mëdha, të cilat na i ka garantuar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem.

Feja islame borxhin e krahason me sadakanë. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: ”Çdo borxh është sadaka (lëmoshë).”  Shënon Taberaniu,

Islami borxhin e llogarit si adhurim përmes të cilit besimtari fiton shpërblim në këtë botë dhe në botën tjetër.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë:“Kush ia lehtëson vëllait të tij një hall në këtë botë, Allahu do t’ia lehtësojë hallet në Ditën e Kiametit.”

Transmetohet nga Ebu Katade se ka thënë: “E kam dëgjuar të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem duke thënë: “Ai që ia lehtëson borxhliut apo ia fal borxhin, në Ditën e Gjykimit do të jetë nën hijen e Arshit.”“Musned Ahmed”, vl. V, f. 308; “Sahih Muslim”, nr.1563. Tirmidhiu thotë se ky hadith është hasenu sahih.

Vëllezër besimtarë!

Ajeti  kur’anor që flet mbi borxhin ashtu siç fillon me “o ju besimtarë”, përfundon me “frikësojuni Allahut!”. O ju huadhënës, frikësojuni Allahut që t’i respektoni marrëveshjet, mos i shfrytëzoni të tjerët në emër të borxhit, duke e ngutur borxhliun për kthim, duke i bërë presion borxhliut apo duke pasur përfitime të tjera që huadhënësi mund t’i përfitojë në emër të borxhit.

O huamarrës, frikësoju Allahut! Nëse ke marrë borxh, ktheje atë sepse dijetarët kanë thënë se: “borxhi është derti i natës dhe turpi i ditës”. Dëgjo dhe merr mësim nga këto hadithe që do të shpalos për ty.

  1. Transmeton Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Vonesa në kthimin e borxhit nga i pasuri është padrejtësi…” “Sahih Buhari”, nr. 2400; “Sahih Muslim”, nr. 1564
  2. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem kur falte namaz, shpeshherë thoshte: “O Zoti ynë, kërkoj mbrojtjen Tënde nga mëkati dhe borxhi!” Kur e pyetën pse kërkon shpesh mbrojtjen e Zotit nga borxhi, ai tha: “Ai që ka borxh, gënjen dhe i thyen premtimet.”“Sahih Buhari”, nr. 2397; “Sahih Muslim, nr. 589.
  3. Gjatë jetës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue selem ndodhi një rast vdekjeje dhe ai nuk e fali namazin e xhenazes së një personi i cili kishte borxh.  Nga Ebu Seleme transmetohet: “I shkova për një të vdekur dhe ai tha: “A ka borxh?”  Njerëzit thanë: “Po, dy dinarë.” Ai tha: “Faleni ju namazin e xhenazes së shokut tuaj!”  Ndërkohë  Ebu Katade el Ensari r.a. i tha:  “I shlyej unë ato, o i Dërguar i Allahut”. E pastaj i Dërguari i Allahut ia fali xhenazen.” “Sahih Buhari”, nr. 2295; “Sahih Muslim”, nr. 1619.
  4. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue selem thotë:“Kush merr borxh prej njerëzve dhe dëshiron t`ua kthejë, Zoti do ta ndihmojë ta kthejë. E kush merr borxh dhe nuk ka për qëllim ta kthejë, Zoti do ta shkatërrojë.”“Sahih Buhari”,  nr. 2387

Shërimi

Vëllezër të nderuar!

Borxhi nga një mirësi dhe vlerë e Islamit tani është bërë një dukuri sepse ata që kanë mundësi të japin, nuk japin nga frika se të tjerët nuk ua kthejnë dhe në anën tjetër shumë nevojtarë po mbesin viktimë e njerëzve të pandërgjegjshëm, të cilët me sjelljet e tyre vlerën e kanë shndërruar në antivlerë.

Por shërimin e kësaj dukurie e shohim në:

  1. Kulturën e shpenzimeve: Duke u mësuar njeriu se si të shpenzojë ngase sot jeta moderne ka bërë që njeriut ia mundëson të shpenzojë shpeshherë duke mos e kontrolluar bilancin e të hyrave dhe daljeve qofshin ato vjetore apo mujore.
  2. Fitimin hallall: Përfitimi jo hallall nuk ka bereqet dhe kjo bën që njeriu të shpenzojë para dhe të mos përfitojë prej tyre.
  3. Dhënien e zekatit: Sikur sot muslimanët të vetëdijesohen në dhënien e zekatit, kjo do t’i mundësonte shumë njerëzve që nuk kanë mundësi ta kthejnë borxhin me këtë para të lahet ky borxh.

          4) Vetëdijesimin e huamarrësit mbi përgjegjësinë e borxhit: Dijetarët kanë  thënë se: “borxhi është derti i natës e turpi i ditës”.

5) Dua: Ebu Seid el-Hudriu transmeton: “Një ditë Pejgamberi alejhi selam hyri në xhami, ku pa Ebu Umamen dhe i tha: -O Ebu Umame, po të shoh se po qëndron në xhami edhe jashtë kohëve të namazit, ç’është me ty?! Ebu Umame i përgjigjet: -Më kanë kapluar gajlet dhe borxhet, ja Resulallah! Atëherë Pejgamberi alejhi selam i tha: -A dëshiron të t’i mësoj disa fjalë, që kur t’i thuash, Allahu të t’i largojë gajlet e të t’i shpaguajë borxhet?! Ai i tha: -Sigurisht, o i Dërguar!’ Atëherë Pejgamberi alejhi selam i tha: -Sa herë kur të ngrihesh në mëngjes e kur të të zërë nata, thuaj: O Zot, më ruaj nga gajlet dhe pikëllimi, më ruaj nga paaftësia dhe dembelia, më ruaj nga ligështia dhe koprracia (dorështrëngimi) dhe më ruaj nga vështirësitë, nga borxhet dhe nga nëpërkëmbja e njerëzve!” Më vonë, Ebu Umamja ka thënë: “Këtë e bëja vazhdimisht dhe Allahu m’i largoi gajlet dhe borxhet.”

Tregohet se Husejn bin Ali kishte parë një njeri të pikëlluar dhe duke qarë. Gjendja e këtij personi e mërziti, iu afrua dhe e pyeti: ”Vëlla, çfarë ju ka shtyrë të qani?” Personi ia ktheu: “Jam fundosur në borxhe dhe nuk kam mundësi t’i kthej.” Husejn bin Ali i tha: “Mos ki merak se i laj unë.” Personi i tha: Si ka mundësi kur ato janë shumë?” Husejn bin Ali i tha: “Vallahi! Një lot në sytë e tu për mua vlen më shumë se gjithçka tjetër”.