3. Transformimi i mashkullit në femër dhe anasjelltas

0
2335
  1. Transformimi i mashkullit në femër dhe anasjelltas

 Subjekti: Transformimi i mashkullit në femër dhe anasjelltas 

Burimi : Komisioni i Dijetarëve të Mëdhenj në A. Saudite

Vendimi : ( nr. 176; Data: 17/3/1413h )

Përzgjodhi dhe përshtati: Rashit Zylfiu

 

Bordi i Komisionit të Dijetarëve të Mëdhenj në seancën e 39 të mbajtur në qytetin e Taifit në periudhën kohore 24/2/1413h deri me 18/3/1413h ka studiuar pyetjen e ardhur nga specialisti pediatër Dr. Ibrahim bin Sulejman El-Hafidhi me datën 25/11/1412h, që ka të bëjë me një fëmijë vajzë, që sipas analizave mjekësore që i janë bërë ajo ka disa veçori mashkullore.

Bordi e ka studiuar çështjen e kthimit të mashkullit në femër dhe femrës në mashkull, dhe ka shfletuar punimet që janë përgatitur për këtë gjë, ashtu siç ka shqyrtuar edhe vendimin e Asamblesë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, që nxorri në seancën e saj të 11 për këtë çështje.

Pas hulumtimit, diskutimit dhe studimit bordi mori vendimin si vijon:

Një: Nuk lejohet kthimi i mashkullit, që i janë plotësuar pjesët e gjinisë mashkullore, e as femrës që i janë plotësuar pjesët e gjinisë femërore në llojin tjetër, dhe çdo tentativë për t’u kthyer llogaritet si krim dhe ekzekutuesi i rastit meriton dënim për këtë, sepse kjo është ndryshim i krijesës së Allahut. Allahu e ka ndaluar këtë ndryshim me fjalën e Tij, ku na tregon fjalët e shejtanit: “…do t’i urdhëroj dhe ata do të ndryshojnë krijesat e Allahut.”[1]

Imam Muslimi ka shënuar nga Ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Allahu i mallkoftë ata që bëjnë tatuazh dhe ata që ua bëjnë të tjerëve, ato që i heqin vetullat dhe ato që ua heqin të tjerave, dhe ata që i zbukurojnë dhëmbët[2] e që ndryshojnë krijesën e Allahut”, pastaj ka thënë: “A mos ta mallkoj atë që e ka mallkuar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem e ajo është në librin e Allahut:

“Çfarë t’ju japë Pejgamberi, atë merreni, e çfarë t’ju ndalojë, përmbajuni dhe kini frikë Allahun, se Allahu është ndëshkues i ashpër.”[3]

Dy: Ndërsa në atë njeri, që janë të pranishme shenjat e mashkullit dhe të femrës, shqyrtohet se çfarë dominon më shumë në gjendjen e tij; e nëse dominojnë shenjat mashkullore lejohet trajtimi mjekësor, që mund ta largojë dyshimin e mashkullit. E nëse dominojnë shenjat e feminitetit lejohet trajtimi mjekësor, që mund ta largojë dyshimin e feminitetit, pa marrë parasysh se mjekimi bëhet me operim apo me shërimin e hormoneve, sepse në te ka dobi të madhe dhe parandalimin e së keqes.

Tre: Mjekët detyrohen të sqarojnë rezultatet e analizave mjekësore për prindërit e fëmijës, qoftë mashkull ose femër, kështu që ata të jenë të vetëdijshëm për realitetin.

Allahu është zotëruesi sukseseve.

 

 

[1] Nisa, 119.

[2] Zbukurimi i dhëmbëve këtu është për qëllim zgjerimi i hapësirave midis dhëmbëve me qëllim zbukurimi, por kjo vlen edhe për raste tjera të ngjashme. (o.b)

[3] Hashër, 7.