Kush jam unë?!

0
2346

Kush jam unë?!

Erdha por askush s’më pyeti pse erdha. A jam unë ai zëri që qaja e të tjerët qeshnin rreth meje, më donin por arsyen nuk e dija? A jam unë ai që fillova të ecja por nuk ecja drejt, fillova të flisja por nuk flisja mirë, fillova të shkruaja me laps sepse mund të gaboja, por vërtet gabimet nuk i lashë? Fillova të njihja shumë njerëz, edhe pse nuk e mësova se kush ishin, sepse edhe për veten vonë e kuptova se kush jam?

A jam unë i përkëdheluri i nënës, nxënësi me plot pesa në ditar, gjimnazisti me plot lëvdata, hasreti i familjes? A jam unë ai që dukem bukur, me veshje, shtëpi, shoqëri, familje, para, vetura, biznes, karrierë, post? A jam unë?!

Kush jam unë?

Qenie logjike që ndryshoj nga të tjerët, sepse unë jam unë. Hije në errësirën e heshtur apo errësirë e heshtur nën hije, vetmi e shoqëruar apo i shoqëruar në vetmi, lot që sjell dhembje apo dhembje që sjell lot, heshtje në zhurmë apo zhurmë në heshtje, mërzi pa arsye apo arsye e mërzitshme, hidhërim pa nevojë apo nevojë të hidhërohem. A jam dritë në errësirë apo i errësuar në dritë?

Njihe veten para se të njohin të tjerët.

Ta njohësh veten do të thotë shumë.

Të hapësh një faqe të re në jetën tënde drejt ndryshimit, drejt rrugës së Zotit me Allahun dhe për Allahun. Të kërkosh të lindësh përsëri larg nga çdo e kaluar e cila ka sjellë vetëm vuajte nuk ka mundësi derisa të pyetesh veten ‘kush jam unë?’. Kur fillova të pyes veten ‘kush jam unë?’, kuptova se unë ekzistoj. Por, nga erdha, pse erdha dhe ku do të shkoj? Të jetoj apo të di pse jetoj?

Nuk ekzistova fare, pastaj isha “asgjë”, pastaj  u bëra unë.

Ekzistoj në këtë jetë që ta madhëroj Zotin tim, e më pas do të kthehem tek Ai, ku do të shpaloset se kush isha në të vërtetë unë!

Unë jam unë! Askush nuk ishte para meje dhe as që do të jetë ndonjëherë unë!

 

Unë jam historia, unë. Kam fillimin por edhe fundin, e mes tyre jam unë.

Por a jam numër në këtë tokë apo jam njeri që më krijoi Zoti në formën më të përsosur?

Zoti thotë: Vërtet, Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.” (Tin: 4)

I dashuri ynë me gjithë prestigjin dhe pozitën e tij, nuk e harronte njerëzoren e tij: “Kush jam unë?”- u thoshte. “Unë jam njeri sikur ju.”

Kujdes! Fjala ‘unë’ mallkoi djallin, fundosi Faraonin dhe përmbyti Hamanin e Karunin.

Zot, mos më lejo të harroj se kush jam unë!

Rashit Zylfiu