1 – KUSH JE TI ? (Who Are You ?) Rashit Zylfiu

0
1208

Kush je ti?

Të gjithë jemi nga Ademi dhe Ademi është nga dheu. Ky është fillimi dhe fundi.

Materia e krijimit tonë është dheu, i cili simbolizon qetësinë, dëlirësinë, modestinë, sinqeritetin dhe gjallërinë.

Kur njeriu arrin ta kuptojë realitetin e dheut, e njeh më mirë vetveten. Kur njeh vetveten, e adhuron Zotin, është modest, i sjellshëm me të gjithë, e kupton se është si të tjerët, nga dheu. Tani e di se kush është.

Ose do të jesh produktiv e paqeruajtës sikurse nëna jote tokë ose si gjyshi yt dhè, ose do të jesh i palulëzuar, nuk do të banohet tek ti dhe do të jesh çdoherë i thatë. Do të mbetesh vetëm ai që të tjerët do ta shkelin e do t’i hedhin ujë që të mos ngrihet pluhur.

Dheu i kujton njeriut që të mos bëhet mendjemadh, të jetë produktiv, aktiv dhe i gjallë në jetë. Ndoshta ai mundohet që me këmbën e tij të shkelë materien e vet, por të ketë kujdes dhe të shikojë se ku po shkel. Dheu ia kujton atij që të mos nënçmojë askënd sepse dheu nuk mund ta nënçmojë dheun.

Pasuria, pozita, prejardhja familjare, fisi shpeshherë bëjnë që të harrosh se kush je.

Të largohesh nga toka e t’i shikosh të tjerët sikur janë më të vegjël, më të dobët, më të varfër e më të prapambetur nuk është tjetër vetëm se të largohesh nga vetvetja.

T’u bësh të tjerëve padrejtësi, t’i shtypësh, mashtrosh, tradhtosh, gënjesh, përqeshësh e nënçmosh mos harro se është të shkelësh mbi veten tënde. Edhe ata janë prej dheu si ti.

Në rrugë, shkollë e administratë ti dëshiron të jesh i pari, por harron se me këtë shkel të tjerët, kurse në realitet po shkel veten tënde.

Ndërtimi i urave të komunikimit, largimit apo afrimit me të tjerët në bazë të lokalizmave është shenjë primitivizmi dhe e së kaluarës. Shembulli yt është sikurse dheu, me të cilin mund të krijosh art por edhe një gur balte për ta lënduar dikë.

Fillimi, të gjithë jemi nga dheu. Fundi, “dhe të gjithë në Ditën e Kiametit do t’i vijnë një nga një.” Merjem: 95.