Ti dhe unë!
“ Atë ditë miqtë do të bëhen armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve.”(Kuran 43:67)
Që ti dhe unë të mos jemi nga kjo kategori, na duhet një fillim i ri, një hartë e përbashkët, një mjet udhëtimi, sepse ne kemi një qëllim, një besim, një destinacion. Ti dhe unë jemi vëllezër, synojmë xhenetin.
Vëllai për vëllanë duhet të jetë dritë e syve, shëndet për trupin, largim i mërzisë, qetësi shpirtërore, ilaç i sëmundjes, fanar në rrugëtim, barkë shpëtimi. Kur jemi larg njëri-tjetrit e kuptojmë se asgjë nuk ka vlerë, pos kujtimet e bukura. Andaj, të jemi ne vetë kujtimi i bukur.
Kur ti troket në derë dhe shtrin dorën për të lypur ndihmën time, unë duhet të ndiej keqardhje e jo ti, sepse të lashë të vije e kurrë s’pyeta për ty.
Nëse ndonjëherë të lëndoj e nuk të kërkoj falje, dije se unë ende kam mbeturina të xhahiljetit. Nëse të urrej, të kam zili, më ndihmo, më drejto e më udhëzo. Më ndihmo të pastroj zemrën, se ajo ende është e sëmurë. Zemra e sëmurë nuk do askënd. E nëse nuk duhemi, nuk do të hyjmë në xhenet.
Ti je dora, unë jam syri. Kur ti loton, unë e fshij lotin tënd. Kur unë sëmurem, ti loton.
Të parët na lanë me gojë: “Vëllai më i mirë është ai që të afrohet kur të tjerët largohen nga ti.”
I dashuri ynë Muhamedi, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Besimtari është pasqyrë për vëllanë e tij.”
Pasqyra më e bukur jemi ti dhe unë. Ajo çdo herë është e sinqertë. Pasqyra nuk përmban ndonjë të keqe, urrejtje e armiqësi, por shkëlqen dashuri të sinqertë. Pasqyra reflekton pamjen tënde reale. Pasqyra nuk të shkakton ndonjë të keqe, në fjalë apo vepra. Pasqyra nuk ruan pamjen tënde të djeshme, por tregon atë të sotmen në formën më të mirë. Pasqyra nuk e përhap fotografinë tënde jo të mirë tek të tjerët.
.
Të lutem! Mos lejo që pasqyra jonë të thyhet një ditë, sepse ti dhe unë jemi vëllezër!