Dobitë e dhikrit, përmendjes së Allahut të Madhëruar

0
1134

Dobitë e dhikrit, përmendjes së Allahut të Madhëruar

Gjëja më madhështore që e mbron zemrën e njeriut është dhikri, përmendja e Allahut të Madhëruar. Kush e ushtron gjuhën e tij me dhikër, e ruan atë nga e pavërteta dhe e kota. E, kush e lag gjuhën e tij me të pavërtetën, të kotën dhe të turpshmen, i thahet gjuha nga dhikri.

Prej dobive të dhikrit të Allahut të Madhëruar janë:

Allahu i Madhëruar thotë: “Me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.”[1]

  1. Mexhliset e dhikrit janë mexhlise melaikesh, ndërsa mexhliset e kota dhe të pakujdesisë janë mexhlise të Iblisit.
  2. Dhikri i jep fytyrës shkëlqim në këtë botë dhe dritë në botën tjetër.
  3. Është siguri nga dyfaqësia, ngase hipokritët e përmendin shumë pak Allahun.
  4. Është ushqim për zemrën dhe shpirtin.
  5. Dhikri i shpeshtë largon nga përgojimi, mbartja e fjalëve, gënjeshtra, gjërat e fëlliqura dhe ato të kota.
  6. E bën njeriun të lumtur.
  7. Është fidani i xhenetit.
  8. Bën pjesë në ibadetet më të lehta, por më madhështore dhe nga më të mirat.
  9. Ka një kënaqësi të veçantë në mesin e të gjitha veprave të tjera, që nuk i përngjan asgjë.
  10. Largon Iblisin dhe e shpërfill atë.

Thotë i dashuri ynë sal-lallahu alejhi ue selem: “Kush thotë ‘subhanallah ue bihamdihi’ 100 herë në ditë, i fshihen gabimet (mëkatet), edhe në qoftë se janë sa shkuma e detit.”

  1. Dhikri shlyen gabimet (mëkatet) ngase është nga veprat më të mira e të mirat i shlyejnë të këqijat.
  2. Sjell riskun (furnizimin).
  3. Ndriçon fytyrën dhe zemrën.
  4. Forcon zemrën dhe trupin.
  5. Kënaq Mëshiruesin, Allahun.
  6. Mbjell afërsinë me Allahun e Madhëruar.
  7. Hap derën madhështore prej dyerve të njohjes së Allahut. Kur njeriu e shton dhikrin, i shtohet kjo njohje.
  8. Mundëson kthimin tek Allahu i Madhëruar.
  9. I jep jetë zemrës.
  10. Po që se Allahu i Madhëruar përmendet nga robi i Tij kur është në gjendje të rehatshme, Allahu do ta përmendë atë kur është në gjendje të vështirë.
  11. Dhikri është shpëtues nga dënimi i Allahut.
  12. Është shkaktar për sjelljen e qetësisë, të mëshirës dhe afron melaiket.
  13. Është dritë për njeriun në këtë botë, në varr, në botën tjetër, me të e kalon rrugën e Siratit. Nuk ka diçka që i ndriçon zemrat dhe varret më mirë sesa dhikri.
  14. E zgjon zemrën nga gjumi.
  15. Është i barabartë me lirimin e robit, shpenzimin e parave për hir të Allahut dhe xhihadin.
  16. Është maja e falënderimit.
  17. Është shërim i zemrës dhe ilaç i saj.
  18. Melaiket kërkojnë falje për atë që bën dhikër ashtu si bëjnë për të penduarin.
  19. Dhikri është më i mirë sesa duaja.
  20. Zemra forcohet dhe vetëm dhikri mund ta zbusë.

Muhamedi sal-lallahu alejhi ue selem thotë: “Kur të falni namazin, filloni me falënderim të Allahut e pastaj lartësojeni Atë, dërgoni salavate mbi Pejgamberin e më pas bëni dua çfarë të doni.”[2]

  1. Dhikri e lehtëson të vështirën dhe realizon të mundimshmen.
  2. I sjell robit besnikëri në raport me Krijuesin e tij.
  3. Katet e xhenetit ndërtohen me dhikër, kur robi e ndërpret dhikrin, melaiket e ndërpresin ndërtimin.
  4. Dhikri është mur (pengesë) mes njeriut dhe xhehenemit.

 

Nga libri “Elvabilu esajb”

Përshtati: Rashit Zylfiu

 

[1] Err’R’ad, 28

[2] Shënon Ahmedi, Termidhiu. Hadithi është i mirë.