Falënderimet i takojnë Allahut të Madhëruar. Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuranin Famëlartë: “Pa dyshim që Kurani është përkujtues për ty dhe popullin tënd, e ju do të pyeteni!”[2]
Dhikri, fjala ‘ përkujtues”, në këtë ajet ka kuptimin krenari, nder, siç kanë pohuar komentatorët. Ne do të pyetemi për disa çështje, në mesin e të cilave për leximin e këtij libri, për meditimin mbi kuptimin e tij, për të mësuarit përmendësh, për të mësuarit e këtij libri të tjerëve dhe për thirrjen në Islam me të.
Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Shembulli i besimtarit që lexon Kuran është sikurse qitroja, era dhe fryti i së cilës janë të këndshme.”
Të parët tanë kishin ambicie të larta në raport me librin e shenjtë. Siç ka transmetuar Bejhakiu, Ibn Mesudi e ka lexuar tërë Kuranin në Ramazan çdo tri ditë, ndërsa jashtë Ramazanit prej xhumasë deri në xhumanë tjetër .
Ky është libri madhështor, libri i Allahut të Madhëruar, i mbushur plot mirësi. Kjo ka qenë gjendja e të parëve tanë, Allahu i mëshiroftë, dhe raportet e tyre me librin e Allahut në mësimin përmendësh dhe në përkushtimin ndaj tij. Po ne, a po ecim sipas rrugës së tyre? A mos vallë do të jemi prej atij grupi që e shpërfillin Kuranin, kur Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Ditën e Gjykimit do t’i drejtohet Allahut të Madhëruar. Siç e përshkruan Kurani. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe i Dërguari do të thotë: “O Zoti im! Populli im e shpërfilli Kuranin, si (diçka) të urryer.[3]”
* Si ta lexojmë Kuranin në çdo muaj?
Kurani Fisnik përbëhet prej tridhjetë xhuzash, ndërsa xhuzi ka dhjetë fletë. Dihet se viti ka dymbëdhjetë muaj dhe shpeshherë gjashtë muaj kanë nga tridhjetë ditë, ndërsa gjashtë të tjerët kanë nga njëzet e nëntë ditë[4].
Gjatë ditës janë pesë namaze, kështu që duhen lexuar dy faqe në ditë në çdo kohë namazi. Sikur të jesh i vendosur që të shkosh në xhami vetëm dhjetë minuta para kohës së fillimit të namazit, do ta plotësosh këtë qëllim. Në rast vonimi, duhet ta kompensosh pas namazit pjesën e asaj dite .
Dhe kështu do të lexonim një xhuz në ditë (dhjetë fletë) dhe gjatë tridhjetë ditëve do të lexonim tridhjetë xhuza, duke e bërë Kuranin hatme. Në rast se muaji i ka njëzet e nëntë ditë, duhet kompensuar ditën e tridhjetë të këtij muaji duke lexuar për çdo kohë të namazit të ditëve të xhumasë nga dy fletë e gjysmë dhe në këtë mënyrë do të kemi mundësi ta lexojmë Kuranin çdo muaj me lehtësi, pasi e lexojmë çdo ditë.
5 namaze x 2 fletë për çdo kohë namazi = 10 fletë ose një xhuz në ditë.
30 ditë = 30 xhuza. |
Faktorët që ndihmojnë në meditimin mbi Kuranin
- Madhërimi i Allahut dhe dashuria për Të: Ibn Mesudi ka thënë: “Kush dëshiron ta dijë se a e do Allahun e Madhëruar, le ta shikojë gjendjen e tij me Kuranin. Nëse ai e do Kuranin, me të vërtetë ai e do Allahun dhe të Dërguarin e Tij.”
- Të penduarit dhe largimi nga mëkatet: Mëkatet e largojnë dritën e zemrës dhe të fytyrës, e pengojnë kërkimin e diturisë dhe e vdesin zemrën, derisa të mos kemi prej saj asnjë dobi.
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne nuk ia kemi mësuar atij (Muhamedit) poezinë e ajo as që është për të. Ky (libër që ka sjellë) është vetëm këshillë dhe një Kuran i qartë*, për të paralajmëruar këdo që është gjallë dhe për t’u përmbushur fjala e Tij ndaj mohuesve.”[5]
Është e domosdoshme që të pastrohen veglat e leximit, pasi si mund të meditosh mbi Kuranin me sy të ndotur nga shikimet e ndaluara, me veshë të fëlliqur nga zërat e urryer, me gjuhë të cilën e ka njollosur gënjeshtra, përgojimi dhe mbartja e fjalëve? Si mundet një zemër ta kuptojë Kuranin kur e kanë shkatërruar fatkeqësitë, dyfaqësia, vetëmashtrimi, ndalesat dhe dyshimet?
- Sinqeriteti: Sinqeriteti është kusht për pranimin e veprave dhe adhurimeve dhe gjëja më e rëndësishme që ndihmon në meditimin mbi Kuranin.
- Të kërkuarit mbrojtje nga Allahu i Madhëruar nga sherri i shejtanit, i cili i përforcon forcat e veta për të penguar që t’i kryesh adhurimet në formën e duhur.
- Leximi i librave të tefsirit (që e komentojnë Kuranin).
- Pjesa që do të lexohet të jetë e përcaktuar dhe duhet ngadalësuar leximin dhe të lexohet me texhvid (me rregullat e leximit).
- Vazhdimësia në leximin e Kuranit: Ajo të ndihmon, të forcon lidhjet me Kuranin dhe të ndihmon të meditosh për të.
Disa nga llojet e shpërfilljes në raport me Kuranin janë:
* Të shkruarit në të.
* Grisja e tij.
* Hedhja ne vendet e mbeturinave.
* Lejimi i fëmijëve që të luajnë me të.
Allahu i Madhëruar thotë: “Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastrit.”[6]
Fetva të sektorit të përhershëm për studime shkencore në Arabinë Saudite
* Nëse fletët e Kuranit lagen dhe grisen e bëhen të papërdorshme, nuk lejohet të hidhen në vende të ndyta e as në koshat e mbeturinave.[7]
*Nëse në mus’haf gjenden gabime ose ndryshime apo lëshime gjatë botimit të tij, nuk lejohet të hidhet në vende të ndyta e as në koshat e mbeturinave.[8]
*Nuk lejohet shkrimi në fletët e mus’hafit, as në mes rreshtave. [9]
Dhe në fund: Nëse dikush ka fletë mus’hafi dhe nuk i përdor, por dëshiron që mos t’i mbajë, ai duhet të veprojë kështu:
– mund t’i fusë nën dhe, në vende të largëta, ku ato nuk mund të keqpërdoren.
– mund t’i djegë, pastaj t’i fusë nën dhe, në vende të largëta, ku ato nuk mund të keqpërdoren. Është transmetuar nga Uthmani, Allahu qoftë i kënaqur me të, se kur u bë përmbledhja e mus’hafit, ai urdhëroi të digjeshin të gjitha fletët, përveç atij që kishin përmbledhur.
Lus Allahun e Madhëruar që ta bëjë Kuranin argument për ne e jo kundër nesh në ditën kur do të takohemi me Të!
Përgatiti: Halef bin Muhamed el Halef
Përshtati: Rashit Zylfiu
[1] [1]Fjala hatme do të thotë ta lexosh Kuranin nga fillimi deri në fund.
[2]Zuhruf , 44.
[3] Furkan ,30
[4] Ky rregull vlen për kalendarin hixhri e jo për atë miladi ose gregorian.
[5] Jasin, 69-70
[6] Vakia, 77-79
[7] Fetvaja numër 176, më datë 18/6/1392h.
[8] Fetvaja numër 176, më datë 18/6/1392h.
[9] Fetvaja numër 176, më datë 20/2/1417h