Kuptimi i drejtë i agjërimit

0
1231

Ajo që na e mërzit zemrën sot është se shumica e muslimanëve e kuptojnë agjërimin gabimisht, jo sipas kuptimeve që na ka mësuar Allahu, Krijuesi i gjithësisë, dhe i Dërguari i Tij, por sipas kuptimeve njerëzore të ngushta dhe interpretimeve të gabuara, si për shembull: pse të agjëroj unë e të tjerët nuk agjërojnë; nuk ka dallim agjërova apo nuk agjërova, i njëjtë jam; privojnë veten nga ushqimi dhe pija e nuk respektojnë etikën e Ramazanit; bëjnë ndryshime në ushqim, pije dhe harxhime të tjera e jo në vetvete; qëndrojnë natën zgjuar dhe ditën e kalojnë në gjumë; agjërojnë dhe nuk falin namaz; agjëron barku e jo gjuha e tyre prej rrenës, shpifjeve dhe përgojimit; agjërojnë vetëm ditë të caktuara si dita e parë, e mesme, Natën e Kadrit dhe të fundit; nuk agjërojnë duke menduar se për këtë mund të paguajnë me të holla.

Këto janë vetëm disa nga kuptimet e gabuara në kuptimin e realitetit pse Zoti na ka bërë obligim agjërimin dhe pasojat  janë se këto çojnë në një agjërim jo efektiv apo braktisjen e tij.

Të nderuar vëllezër!

Sot do të mundohemi të sjellim para jush kuptimin e drejtë të agjërimit.

 

  • Agjërimi është shtylla e fesë

 

Agjërimi është shtylla e katërt e fesë. Sa herë që përmendet fjala shtyllë, kuptohet se ajo që qëndron mbi të nuk ka mundësi të qëndrojë pa këtë shtyllë. Si ka mundësi që ti ta llogaritësh veten pjesëtar të fesë islame e nuk agjëron, ndërsa feja jote qëndron mbi këtë shtyllë? A nuk kuptohet vëlla  i nderuar se ti po bëhesh shkaktar dhe pjesëmarrës në prishjen e njërës prej shtyllave të fesë nëse nuk e agjëron?

 

  • Agjërimi është adhurim

 

Agjërimi është adhurim, ibadet, të cilin e vepron për ta pastruar shpirtin, për ta ngjallur atë dhe për ta shtuar imanin dhe për ta përgatitur agjëruesin që të jetë nga besimtarët e devotshëm.

Prandaj agjëruesi është i obliguar t’i largojë atë gjëra të cilat e zbehin apo edhe e prishin agjërimin duke ruajtur gjymtyrët nga ajo që Allahu e ka bërë haram ngase agjërimi është adhurim përmes të cilit njeriu afrohet tek Allahu.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Nuk është agjërimi (vetëm) prej të ngrënit dhe të pirit, por agjërimi është zmbrapsje nga e kota (fjalë dhe punë) dhe e ndyra. E nëse dikush të ngacmon apo sillet ashpër me ty, thuaji: Unë po agjëroj, unë po agjëroj!”

Dhe në hadithin tjetër: “Shumë agjërues nuk kanë dobi nga agjërimi i tyre pos urisë.

 

  • Agjërimi, trajnim për besimtarët

 

Ramazani llogaritet si trajnim hyjnor nga Allahu për robërit e Tij besimtarë për t’u trajnuar që të bëjnë vepra të mira dhe të pendohen nga mëkatet. Muslimani e ushtron veten duke agjëruar, falur, duke dhënë sadaka dhe bamirësi në fusha të tjera. Gjithashtu ushtrohet duke i braktisur mëkatet, duke ruajtur shikimin dhe gjuhën. Roli i këtij trajnimi është që ta kthejë besimtarin në origjinalitetin e tij, që pas Ramazanit të jetojë një jetë me iman të plotë dhe ky është sinjal i pranimit të agjërimit.

Por fatkeqësia e madhe është se një pjesë e besimtarëve nuk përfitojnë nga këto trajnime dhe menjëherë pas Ramazanit kthehet në gjendjen e mëparshme, sikurse Allahu nuk adhurohet në Ramazan. Allahu thotë:

 وَاعْبُدْ رَبَّكَ حَتَّىٰ يَأْتِيَكَ الْيَقِينُ 

“Dhe adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë vdekja!”

 

  • Agjërimi rast për pajtim me Allahun

 

Pendimi është një obligim për besimtarët në çdo kohë dhe vend. Allahu na thërret:

   وَتُوبُوا إِلَى اللَّـهِ جَمِيعًا أَيُّهَ الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ 

“Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin”

 

Allahu e pranon pendimin nga robërit e Tij në çdo vend dhe çdo kohë, po ja që Allahu i Madhëruar ka bërë që në disa kohë pendimi ka më tepër vlerë dhe mundësia që robi të pajtohet me Allahun është agjërimi. I nderuar vëlla, nëse në Ramazan shejtanët janë lidhur, dyert e xhenetit janë hapur, dyert e xhehenemit janë mbyllur, shpirti yt është më afër Allahut, atëherë në këtë muaj je më i gatshëm për të bërë mirë. E, nëse nuk pajtohemi me Allahun kur në njëmbëdhjetë muaj kemi bërë mëkate prej të cilave Zoti është hidhëruar me ne, pra nëse nuk pendohemi në Ramazan, kur do të pendohemi? Nëse nuk pajtohemi me Allahun në Ramazan, nuk e di se kur do të na jepet rasti të pajtohemi! Nëse nuk e fitojmë faljen dhe xhenetin e Allahut, kur do ta fitojmë?

 

  • Kuptimi i selefit (të parëve tanë) mbi agjërimin

 

 

Të ndalemi pak dhe të shpalosim diçka nga jeta e të parëve tanë të mirë, që të shikojmë se si ata e kanë kuptuar realitetin e agjërimit.

Omer bin Hatabi thotë: “Nuk është agjërimi vetëm ta privosh veten nga ushqimi dhe pija, por agjërim është ta pastrosh gjuhën tënde nga rrena, e kota dhe fjalët e ndyra.”

Hafsa bint Sirijn, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kur shokët e Pejgamberit agjëronin, qëndronin në xhami dhe thoshin se agjërimi është mburojë derisa të mos digjet. E djegia e saj është përgojimi.”

  • Agjërimi është një pamje e Ditës së Gjykimit

I Dërguari i Allahut e kishte dërguar Ebu Musain me një grup në një betejë nëpër det. Në një natë të errët, kur ishin në anije, i ngritën velat, kur papritmas një zë u dëgjua nga lart: “O udhëtarë të anijes, ndaluni t’ju lajmëroj lidhur me një caktim që Allahu ia ka caktuar Vetes!”
Ebu Musai tha: “Na trego nëse e di!”
Zëri tha: “Vërtet Zoti i Madhëruar ia ka caktuar Vetes ta ngopë me ujë ditën e etjes atë që është etur në një ditë të nxehtë.”