THIRJA HYJNORE

0
920

Falënderimet i takojnë Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Sa herë që vjen muaji Ramazan, së bashku me të vijnë edhe ndryshimet. A nuk është hëna e re ndryshim, dyert e xhenetit hapen, të xhehenemit mbyllen e lidhen shejtanët? Për agjëruesin është një dua ekskluzive që i pranohet në kohën e iftarit, krahas shumë ndryshimeve të tjera.

Atë ditë që vjen Ramazani na thërret thirrja hyjnore: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu siç u ishte urdhëruar atyre para jush, që të bëheni të devotshëm.” [1]

 

Nuk ka dyshim se kjo thirrje në vetvete përçon mesazhe e mësime dhe në thellësinë e saj ka plot margaritarë nga të cilët besimtari përjeton kënaqësinë më të madhe.

Allahu na thërret me thirrjen më të çmuar, me thirrjen e dinjitetit “o besimtarë”. Nuk ka thirrje më prestigjioze se kjo. Kjo thirrje na bën të jemi më vigjilentë, të përgjegjshëm, sepse thirrësi është Allahu dhe ftesa po bëhet për një obligim që Ai kërkon nga ne.

Ata të cilët kanë besuar Allahun, zemrat e tyre i kanë të mbushura me dashuri karshi Tij, të lumtura që pasojnë të vërtetën, që shenjtërojnë ligjet e Allahut duke shpresuar shpërblimin dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij, janë ata të cilët i përgjigjen kësaj thirrjeje hyjnore.

Lajmi se me këtë obligim nuk jemi të ngarkuar vetëm ne muslimanët, por edhe popujt para nesh, e bën më të lehtë agjërimin dhe na motivon të ndihemi krenarë që edhe ne jemi pjesë e një karvani të kahershëm.

“Që të bëheni të devotshëm” [2] është mesazhi dhe mësimi final që muslimani merr nga medreseja e Ramazanit në një muaj gjatë të cilit mundohet të arrijë rezultatin maksimal, që të pajiset me diplomën e devotshmërisë, e cila do ta ndihmojë për t’u përballur me sfidat e jetës dhe për të qenë sa më stabil karshi thirrjes hyjnore.

Zot, të lutem na mundëso të jemi nga ata të cilët u përgjigjen thirrjeve të Tua dhe u qëndrojnë besnik ftesave që Ti na bën! Amin!

 

 

 

[1] Kur’an, Bekare: 183.

[2] Kur’an, Bekare: 183.