Muhamedi alejhi selam dhe shtimi i veprave të mira në Ramazan

0
1717

Muhamedi alejhi selam dhe shtimi i veprave të mira në Ramazan

Falënderimet i takojnë Krijuesit të botëve. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Njëri prej sezoneve vjetore që lidhet me adhurimin është edhe muaji Ramazan, të cilin Allahu e ka madhështuar dhe nderuar, kurse ata që e respektojnë i ka privilegjuar me shpërblime të panumërta në Ditën e Kiametit. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: Allahu thotë:“Çdo vepër e birit të Ademit shpërblehet me dhjetë sevape deri në shtatëqind. Përveç agjërimit, ai është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” [1]

Duke u nisur nga madhështia e muajit Ramazan, besimtari arrin në përfundimin se Ramazani është rasti më i favorshëm për të garuar për vepra të mira sepse infrastrukturën që Ramazani u jep besimtarëve për të vepruar, ndryshuar dhe fituar shpërblime nuk mund ta gjejnë në muajt e tjerë.

Sa herë që del hëna e Ramazanit, ngjall tek ne përkujtimet e jetës së të Dërguarit Muhamed, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për të kujtuar se si ishte gjendja e tij me veprat e mira, shtimi i tyre dhe të garuarit për to. Për këtë arsye, ky muaj duhet shfrytëzuar në vepra të mira, që të shtojmë në llogarinë tonë sa më shumë shpërblime. Ne kemi shëmbëlltyrën tonë, Muhamedin alejhi selam, se si ai vepronte, garonte dhe i inkurajonte të tjerët në vepra të mira.

Le të ndalemi pak dhe të shpalosim pjesë nga jeta e Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan. Për këtë më së miri na tregon shoqëruesi i tij, i biri i xhaxhait të tij, Ibn Abasi, i cili thotë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Ramazan, kur takonte Xhibrilin, tregonte një bujari që nuk e kishte në muajt e tjerë. Ai, Xhibrili, e takonte atë për çdo natë të Ramazanit dhe e përsërisnin së bashku Kur’anin. Kështu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në këtë muaj ka qenë për njerëzit më i dobishëm se era pas së cilës vjen shiu.[2]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e dallonte këtë muaj me adhurime të shumta, me të cilat nuk i dallonte muajt e tjerë, saqë ai agjëronte nganjëherë edhe pa ndërprerë, por i ndalonte nga kjo shokët e tij. Ata i thoshin “por ti po e vepron një gjë të tillë”, kurse ai sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ua kthente përgjigjen duke u thënë: “Unë dalloj prej jush sepse Zoti im më furnizon me ushqim”.

Pejgamberi Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është shëmbëlltyrë e çdo besimtari që mundohet ta kënaqë Zotin e tij, prandaj kushdo që dëshiron të bëjë vepra të mira, kur ta dëgjojë këtë përshkrim të jetës së tij, duhet të shpejtojë në vepra të mira dhe të largohet nga veprat e këqija dhe ta shfrytëzojë kohën e tij në çdo gjë që i bën dobi për këtë botë dhe botën tjetër.

Kjo shihej në jetën e muslimanëve të parë, kur garonin për vepra të mira si individë apo edhe si shoqëri.

Ja një shembull praktik i garimit individual në vepra të mira i një besimtari ambicioz me zemër të sinqertë. “Përcillet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:
-Kush nga ju sot është agjërues?
Ebu Bekri tha: -Unë.
-Kush nga ju ka përcjellë një xhenaze?
Ebu Bekri tha: -Unë.
-Kush nga ju ka ushqyer një të varfër?
Ebu Bekri tha: -Unë.
Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: -Nuk bashkohen këto te ndonjë person veçse do të hyjë në xhenet.”

Nuk ka dyshim se çdo garues ëndërron vendin e parë. Në të njëjtën kohë, frytet e garës për vepra të mira kanë rezultate të frytshme e të kënaqshme në dynja dhe ahiret. Allahu i Madhëruar thotë:

 “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe xhenetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.”[3]

Fryti më madhor i garimit në vepra të mira është afrimi te Zoti i gjithësisë.

Allahu thotë:

“…dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu).”[4]

Imam Shafiu ka thënë: “Dua që njeriu të jetë bujar në Ramazan duke pasuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për shkak të nevojës së njerëzve dhe preokupimit të tyre me agjërimin dhe namazin në raport me furnizimin e tyre.”

Të nderuar vëllezër!

Dyert e hairit janë të hapura në çdo vend dhe në çdo kohë. Musliman i mençur është ai që shpejton në vepra të mira dhe i vjel të mirat e tyre, posaçërisht në Ramazan, si muaji i të mirave dhe i bereqetit, në të cilin shumëfishohen shpërblimet.

 

[1] Shënon Imam Buhariu, 1894.

[2] Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.

[3] Kur’an, Al’imran: 133-134.

[4] Kur’an, Vakia: 10-11.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com