Unë jam agjërueshëm!

0
1386

Unë jam agjërueshëm!

Allahu deshi që përmes këtij muaji besimtari të bëjë një ndryshim madhështor, që pas Ramazanit të jetë më i mirë seç ka qenë para Ramazanit. Ky objektiv mund të realizohet vetëm atëherë kur Ramazani depërton në zemrën tonë dhe e çliron atë që të jetë më e butë karshi adhurimit dhe më e devotshme ndaj Allahut xhele ue ala.

Ramazani e ndihmon njeriun të pastrohet nga disa vese, edhe pse ato janë të lindura ose janë pjesë e natyrshmërisë njerëzore.

Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Agjërimi është mbrojtje nga zjarri i xhehenemit. Kushdo që gdhihet agjërueshëm, atë ditë të mos sillet keq, e nëse ndonjëri sillet ndaj tij me keq, mos ta ofendojë e as mos ta fyejë, por le të thotë “unë jam agjërueshëm, unë jam agjërueshëm.”

Në këtë hadith hasim mrekulli shkencore. Kush hidhërohet në Ramazan përveçse hidhëron Allahun, dëmton shëndetin e tij psikik dhe fizik si dhe humb shumë sepse humb sevapin e agjërimit.

Në rast se njeriu hidhërohet, adrenalina e tij rritet dhjetë herë më shumë. Adrenalina në këtë moment shkakton çrregullime në trupin e njeriut, për shembull ai ndien lodhje sepse harxhon shpejt oksigjenin duke u djersitur. Ai urinon më shpejt dhe kështu harxhon lëngjet që ka në trup dhe ndien lodhje të madhe gjatë agjërimit.

Sipas një studimi, është zbuluar se nga 1305 burra të intervistuar për shtatë vite me radhë, të cilët i përkasin tipit emocional dhe hidhërohen shpesh, përqindja më e madhe e tyre kanë dhembje dhe shtrëngim në gjoks. Studiuesit tregojnë se ilaçi më i mirë i hidhërimit është falja, durimi.

Studimet e ndryshme në këtë drejtim tregojnë se trajnimet e vazhdueshme mund të sjellin rezultate që njeriu ta kontrollojë hidhërimin.

Në kulturën tonë islame kemi shumë këshilla fetare të cilat na mësojnë si mund ta kontrollojmë hidhërimin. Përveç kësaj, nëse njeriu arrin ta fshehë mllefin e tij, kjo llogaritet si shkalla më e lartë e imanit.

Allahu thotë:

وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ  وَاللَّـهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ

Të cilët japin lëmoshë, edhe kur kanë edhe kur janë në skamje, të cilët e mposhtin hidhërimin dhe i falin njerëzit. Edhe Allahu i do punëmirët.” [1]

Një ndër qëllimet e agjërimit është ushtrimi praktik se si njeriu ta kontrollojë hidhërimin e tij, sepse nëse nuk arrin, ai shumë shpejt do të jetë nga ata që lodhen fizikisht, psiqikisht e shpirtërisht dhe në të njëjtën kohë ka humbur sevapin e agjërimit.

Kush e ka këtë ves të keq dhe nuk ka arritur të ndryshojë në Ramazan, le të pyesë veten: Pse nuk ndryshova në Ramazan? Pse Ramazani nuk arriti të më ndryshojë? A agjërova unë apo jo? Sepse Ramazani nuk erdhi vetëm për Ramazanin, por edhe për pas Ramazanit.

[1] Kur’an, Al’imran: 134.

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com