Kush është fituesi në Ramazan?

0
574

Ramazani është një garë në të cilën besimtarët garojnë për të fituar shpërblimin e Allahut. Çdo garë ka sfidat e veta, ashtu si edhe shpërblimin që jepet për fituesin.

Sfida e kësaj gare është se zgjat 30 ditë, gjatë të cilave kërkohet të japësh maksimumin. Është një garë botërore dhe çdo musliman ka të drejtë të marrë pjesë.
Specifikat e garës

  • Është botërore
  • Pjesëmarrja është e hapur
  • Pjesëmarrja në të është e hapur në fillim, në mes, në fund të saj
  • Mbahet në ditë të caktuara
  • Agjërimi është kusht
  • Hapen dyert e xhenetit, mbyllen dyert e xhehenemit, prangosen djajtë.

Kriteret e garës

Çdo njeri që shpreh shehadetin, është në moshën madhore dhe është i shëndetshëm fizikisht dhe psiqikisht mund të marrë pjesë.

Shpërblimi i garës

Nuk ka dyshim se shpërblimi i kësaj gare është i madh, është xheneti. Xheneti për të cilën as mendja nuk të ka shkuar, as veshi s’ka dëgjuar, as syri nuk ka shikuar. Por në xhenet nuk shkohet me gjynahe, kërkohet pastrim gjeneral nga gjynahet. E këtë mundësi ta jep kjo garë që quhet Ramazan.

I Dërguari i Allahut na përgëzon duke thënë: “Ai që agjëron Ramazanin duke i njohur kufijtë e tij dhe duke u ruajtur prej atyre gjërave që duhet të ruhet, arrin faljen e mëkateve që ka bërë më parë.” [1]

Kush është fituesi

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Ai që fal namazin e natës në Natën e Kadrit me besim dhe shpresë për shpërblimin (nga Allahu), i falen të gjitha gjynahet që ka bërë.”[2]

Ibn Mesudi thoshte: “Cili prej nesh është i pranuar, që ta përgëzojmë? E cili prej nesh është i privuar, që ta ngushëllojmë? Urime për ty që je pranuar! Ndërsa ti që je privuar, Allahu të ndihmoftë në fatkeqësinë që të ka rënë!”

Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, i tha të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Çfarë duhet të them nëse e arrij Natën e Kadrit?” Ai tha: “O Allah! Ti je Falës dhe e do faljen, prandaj më fal!” [3]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Çdo natë Allahu liron njerëz nga zjarri i xhehenemit.”

Allahu e bën këtë sepse emri i Tij është Falës.

 

[1] Shënon Imam Ahmedi, 3/55. Shejh Shuajb Arnauti te “Musnedi” (18/84) thotë: “Senedi i këtij hadithi është i dobët, por hadithi është hasen”.

[2] Shënon Buhariu, nr. 1901.

[3] Shënon Termidhiu, 3513.