Jeta pas Ramazanit

0
728

Falënderimet i takojnë Allahut që na udhëzoi në Islam, se sikur të mos na udhëzonte Allahu, nuk do të ishim nga të udhëzuarit. Atë e falënderojmë dhe e madhërojmë. Jemi krenarë që e njohim Allahun ashtu si duhet, pasi shumica e njerëzve nuk e njohin Atë. Jemi  krenarë që e adhurojmë si të vetëm duke mos i shoqëruar askënd si rival. Jemi krenarë që falemi dhe agjërojmë e të tjerët nuk i njohin këto adhurime.

كُلُّ نَفْسٍ ذَائِقَةُ الْمَوْتِ ۗ وَإِنَّمَا تُوَفَّوْنَ أُجُورَكُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ ۖ فَمَن زُحْزِحَ عَنِ النَّارِ وَأُدْخِلَ الْجَنَّةَ فَقَدْ فَازَ ۗ وَمَا الْحَيَاةُ الدُّنْيَا إِلَّا مَتَاعُ الْغُرُورِ

“Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i xhehenemit dhe hyn në xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese.”[2]

Të nderuar vëllezër!

Ky është ligji i Allahut, që nuk ndryshohet, “çdo shpirt do ta shijojë vdekjen”.[3] Por a duhet të ndalemi këtu apo të mendojmë se cilat janë shpërblimet tona pas vdekjes, se a do të na gëzojnë apo hidhërojnë ato? Ramazani nuk është vetëm se një stacion gjatë rrugëtimit tonë për në botën tjetër, ku ne besimtarët jemi të thirrur të ndalemi për t’u pajisur me vepra të mira dhe për të ndryshuar në jetën tonë, që ky iman dhe vullnet që na jep Ramazani të na ndihmojë në pjesën e mbetur të jetës.

A nuk është muaji i Ramazanit pikërisht ai muaj gjatë të cilit ne kërkuam fitoren e  madhe, shpëtimin nga zjarri dhe hyrjen në xhenet për tridhjetë ditë? Por ne ende jemi gjallë, jeta na pret dhe duhet të punojmë për ta fituar xhenetin dhe për t’i shpëtuar zjarrit dhe që gjatë udhëtimit tonë të jemi sa më të pastër nga njollat e mëkateve, nga të cilat na pastroi Ramazani.

Pikërisht, të nderuar vëllezër, ne duhet ta pyesim veten cilën jetë dëshirojmë pas Ramazanit, atë jetë të mirë e të lumtur që na mësoi Ramazani apo atë jetë plot telashe, siç e kërkon djalli. Në këtë jetë dy janë rrugët. Allahu i Madhëruar thotë:

إِنَّا هَدَيْنَاهُ السَّبِيلَ إِمَّا شَاكِرًا وَإِمَّا كَفُورًا

“Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.”[4]

 

 

Të nderuar besimtarë!

 Jeta pas Ramazanit duhet të jetë ajo që Zoti kërkon prej nesh. Kjo na ndihmon edhe më shumë sepse vetëm sa dolëm nga bankat e shkollës që quhet Ramazan. Për tridhjetë ditë jetuam, mësuam, u edukuam nën hijen e tij e tash duhet patjetër që këto mësime t’i jetësojmë sepse për çfarë agjëruam, për ta privuar veten nga ushqimi dhe pija?! Çfarë përfituam nga Ramazani, nëse nuk shihet jetësimi i tij në jetën tonë?

 

Hapat drejt një jete të lumtur pas Ramazanit

  • Jeta pas Ramazanit duhet të jetë për Allah dhe me Allahun, ngase Ramazani na mësoi kështu. A nuk ishte agjërimi ynë nga 17 orë në ditë për Allahun, Krijuesin Tonë, se Ai e kërkoi nga ne dhe ne u përgjigjëm jetuam me Allahun duke i kryer edhe obligimet ishim më afër Tij këtë duhet ta vazhdojmë edhe pas Ramazanit që jeta jonë të jetë vetëm për Allah dhe me Allahun.

 

  • Në çdo vepër ka vend dyfaqësi, pos në Ramazan jo, ngase ti ke mundësi të hash e pish dhe pa e ditur të tjerët, por nuk e bën nga sinqeriteti yt, i cili është vetëm për Allah, sepse je i bindur se Ai të sheh. Ti ke mundësi të falesh për syefaqe, të japësh, të ndihmosh por jo edhe të agjërosh. Andaj le të jetë jeta jonë pas Ramazanit, veprat dhe punët tona vetëm për hir të Allahut, larg nga dyfaqësia dhe jo për hatër të njerëzve.

 

  • A nuk ishte objektiva kryesore që Ramazani sjell dhe boshti rreth të cilit sillet ky muaj që të mbjellë tek ne devotshmërinë duke marrë hapat e duhur që edhe pas Ramazanit ashtu si në Ramazan, kur e privuam veten nga gjërat që në esencë janë të lejuara, t’u themi jo harameve, pasi për to në barkun tonë nuk ka vend. Prej fjalëve të të parëve tanë të mirë ishte: “Sikur të falësh namaz, sa qëndrojnë shtyllat, nuk do të të bëjë dobi derisa të shikosh se çfarë po fut në barkun tënd.”
  • A nuk na mësoi Ramazani se si duhet të jenë raportet tona me të tjerët nëse ata na pengojnë apo zihemi me dikë që ne t’i themi “unë jam agjërueshëm”? Sa e bukur do të ishte jeta jonë që ne të jetojmë me këtë moto edhe jashtë Ramazanit, që t’u themi të tjerëve “unë jam agjërueshëm, nuk ke punë me mua”. I suksesshëm te Zoti është ai i cili merret me gabimet veta dhe i lë gabimet e të tjerëve.
  • Sofra e iftarit ishte simbolika e unitetit familjar dhe vëllazëror se si duhet të jetojmë me të afërmit tanë edhe pas Ramazanit, andaj dije se të afërmit e tu kanë nevojë për ty dhe e meritojnë dhe e presin mbikëqyrjen tënde edhe pas Ramazanit. Mos mendo se me sadakanë e fitrit e ke kryer obligimin ndaj tyre nëse kanë nevojë. Mbajtja e lidhjeve farefisnore të çon drejt krenarisë, sjell riskun, suksesin në jetë dhe i mbush zemrat plot hare. I Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: Kush dëshiron që t’i shtohet risku dhe t’i zgjatet jeta, le të mbajë lidhjet me farefisin e tij. [5]

I afërmi yt është pjesë e jotja. Nëse investon për të, ke investuar për personalitetin tënd dhe nëse nuk ke me çfarë ta ndihmosh, atëherë thuaji fjalë të mira. Urrejtja dhe konflikti mes farefisit është sherr dhe bela e madhe. Ai që mendon se ka fituar në konfliktet farefisnore është i humbur në dynja dhe ahiret. Çdo i afërm do të vijë në Ditën e Kiametit dhe do të dëshmojë për të afërmin e tij nëse i ka mbajtur lidhjet apo jo.

  • Vazhdimësia në vepra të mira. Nëse Ramazani ka përfunduar, veprat e mira nuk përfundojnë. Menjëherë pas Ramazanit vijnë gjashtë ditë e muajit sheval. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e ka agjëruar Ramazanin e më pas e pason me gjashtë ditë nga shevali, është sikur të agjërojë tërë vitin.” [6]

E më pas mbetet namazi, duaja, leximi i Kuranit, sadakaja edhe shumë vepra të mira, se Zoti është i gjallë dhe i përjetshëm. Le të jetë motoja jote “veprat le të jenë të vazhdueshme edhe nëse janë të pakta”.

Frika nga mospranimi

Allahu i Madhëruar thotë:

وَالَّذِينَ يُؤْتُونَ مَا آتَوا وَّقُلُوبُهُمْ وَجِلَةٌ أَنَّهُمْ إِلَىٰ رَبِّهِمْ رَاجِعُونَ

 “… dhe ata të cilët japin (sadaka-zekat) nga ajo që u është dhënë, pse dinë se do të kthehen te Zoti i tyre, andaj zemrat e tyre i kanë të frikësuara.” [7] Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë për këta njerëz: “Agjërojnë, falen, japin lëmoshë dhe kanë frikë se nuk u pranohen veprat.” [8]

Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: “Çdo ditë që nuk i bëhet mëkat Allahut për ne është festë.”

 

 

[1] Data:24/08/2012

[2] Al’imran: 185.

[3] Al, Imran, 185

[4] Insan: 3.

[5] Shënon Buhariu.

[6] Shënon Muslimi

[7] Muminun: 60.

[8] Shënon Termidhiu, Bejhakiu. Shih tefsirin e ibn Kethirit komentimi i sures Muminun, 60

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: rashitzylfiu.com