Pse zemrat tona janë të ngurta?

0
977

Në trupin e njeriut është një copë mishi, nëse ajo është në rregull, i tërë trupi rregullohet.

Zemra është vendi i ndjenjave, emocioneve, dashurisë dhe urrejtjes. Aty qëndron imani dhe kufri, qetësia, shqetësimi e dëshpërimi. Është afër Allahut nëse pastrohet nga shirku, kufri dhe mëkatet. Është larg Allahut nëse është zhytur në kufër, shirk, mëkate.

Zemra është vendqëndrimi i lumturisë. Ajo është mbreti, ndërsa gjymtyrët e tjera janë ushtria. Sjellja jonë ndikohet në bazë të gjendjes së saj, në është e shëndoshë apo e sëmurë.

Zemra sëmuret ashtu si sëmuret trupi ynë. Ilaçi i saj është pendimi. Ajo ka uri sikurse trupi, ushqimi i saj është përmendja e Allahut, dashuria, mbështetja në Allahun dhe kthimi tek ai. Zbukurimi i saj është devotshmëria.

Sëmundjet e saj janë të shumta, ato varen nga ndikimet me të cilat është prekur ajo. Sa më të forta të jenë ndikimet, aq është edhe zemra derisa ajo kalon në gjendje pas gjendjeje duke u rrotulluar, mbyllet dera e saj për ta pranuar këshillën dhe devijon nga e vërteta. Dhe kjo është gjendja e vdekjes klinike të zemrës, një ndër gjendjet më të këqija që përjeton ajo sepse kalon pronarin e vet nga shkalla e imanit në kufër. Kjo është shkalla e shtazëve.

Sëmundja më e rrezikshme me të cilën goditet zemra është ngurtësia e saj, e cila sjell edhe sëmundje të cilat kanë simptoma prej të cilave do të shpëtojë vetëm ai që e ruan Allahu dhe vepron shkaqet. Rrezikun e sëmundjes e pasqyrojnë ajetet kur’anore:

 “Por, pastaj (mbasi i patë këto argumente), zemrat tuaja u forcuan e u bënë si guri ose edhe më të forta.”[1]

 “Kur u erdh ndëshkimi Ynë! Por, zemrat e tyre ishin gurë, e djalli ua zbukuronte, ato që bënin ata.[2]

“Mjerë për ata që e kanë zemrën të pandjeshme kur përmendet Allahu; të tillët janë në humbje të qartë![3]

Zemra më e largët prej Allahut është zemra e ngurrtë.

  • Simptomat e zemrës së ngurtë

 

  1. Përtacia ndaj adhurimeve, veprave të mira dhe në veçanti ibadete.

 

Shpeshherë këto adhurime i kryen me përtaci, kurse namazi më shumë shndërrohet në simbolikë dhe një adet i përditshëm, rutinë. Disa adhurime i neglizhon fare, shkon deri në atë shkallë sikurse të jetë në burg, dëshiron sa më shpejt t’i kryejë ato dhe ndien një barrë të madhe për t’i kryer sunetet dhe nafilet. Obligimet e Zotit i shikon sikurse barra që po ia shtyp kurrizin, kurse gjuha e tij shpejton që të rehatohet. Allahu i ka përshkruar dyfytyrëshat me fjalët:

 “Kur ata ngrihen për namaz, ngrihen përtueshëm, duke u paraqitur karshi botës (që janë besimtarë), e Perëndinë e përmendin pak herë.[4]

 

  1. Mosndikimi i ajeteve kur’anore dhe këshillave

I dëgjon fjalët e Zotit, premtime e ndëshkime, por nuk ndikojnë fare e as që i frikësohet zemra. Nuk është nga ata që e lexon fjalën e Allahut sepse e gjen veten jo të gatshëm, prandaj e anashkalon një gjë të tillë.

Allahu thotë në suren Kaf, ajeti 45:

 

“Por këshilloje me Kur’an atë që i druan premtimit (dënimit) Tim![5]

 “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur të përmendet Perëndia, fërgëllojnë (nga frika dhe përulja), e kur t’u lexohen argumentet e Tij, iu shtohet thellimi në besim dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten.[6]

 

  1. Mosndikimi i ngjarjeve që e rrethojnë, si vdekja apo fatkeqësitë natyrore.

Çuditërisht si nuk ndikohet kur sheh vdekjen dhe njerëzit që vdesin sikur çdo gjë është në rregull. Vdekja mjafton si këshillë.

 

  1. Shtohet dashuria ndaj lukseve të kësaj dynjaje dhe i jep përparësi ndaj ahiretit.

Ai është i preokupuar me çështjet e kësaj dynjaje. Çdo gjë në jetën e tij është materializëm. Dashuria, urrejtja, komunikimi me njerëz është i ndërtuar në baza interesi. Do ta gjesh një person të mbushur plot urrejtje, zili, koprrac, egoist.

 

  1. Dobësohet madhërimi i Allahut.

Vdes ndjenja e xhelozisë për hir të Allahut, nuk hidhërohet kur shkelen kufijtë e Allahut, shikon dukuri negative dhe nuk lëviz fare, dëgjon për mëkatet e mëdha sikur asgjë nuk po ndodh, nuk e di se çfarë është e mira e as e keqja e as nuk ndien keqardhje për gjynahet që bën.

 

  1. Vetmia që përjeton pronari me zemër të ngurtë

 

Një vetmi që përjeton me shtrëngim në gjoks, ndihet çdo herë i shqetësuar, qëndron çdo herë në depresion. Ndien një shtrëngim kur qëndron me njerëz. Nuk ka mundësi të gjejë rehati në jetë dhe mbetet përherë në ankth.

 

  1. Mëkatet mbjellin mëkate

Mëkatet lindin njëra-tjetrën derisa t’i vështirësohet largimi nga ato, derisa të bëhen adet për të.

Autor: Rashit Zylfiu

Seria: Pse PENDIMI?

 

[1] Bekare, 74.

[2] Enam, 43.

[3] Zumer, 22.

[4] Nisa, 142.

[5] Kaf: 45.

[6] Enfal: 2.