Ilaçet për shërimin e zemrës së ngurtë

0
973

 

Ka disa rrugë që e bëjnë zemrën të butë e të frikësuar karshi Krijuesit të saj, që të kthehet tek Allahu kur largohet prej Tij, që të ndalet tek kufijtë e Tij kur i ka shkelur më parë.

Nuk ka mirësi më të mirë sesa ta ketë njeriu zemrën e butë, pasi çdo zemër që privohet nga kjo mirësi është afër dënimit të Allahut.Në çdo zemër që është e butë, kur përmendet emri i Allahut do ta gjesh pronarin e saj të gatshëm për të bërë vepra të mira, të gatshëm për të bërë adhurim dhe larg mëkatit.

Ja hapat që e zbutin zemrën:

  1. Njohja e Allahut

Kush e njeh Krijuesin e vet, i zbutet zemra. Kush nuk e njeh Atë, i forcohet zemra si guri. Çdoherë personat që janë larg Allahut janë ata që i shkelin kufijtë, janë ata zemërfortë. E kundërta ndodh me ata persona që janë afër Allahut, që i respektojnë kufijtë dhe rrinë larg harame, ata janë njerëz zemërbutë.

 

  1. Përkujtimi i vdekjes dhe stacioneve pas saj

Agonia e vdekjes, pyetjet dhe errësira në varr, shkuarja në varrime bëjnë që nefsi të zgjohet nga gjumi i dynjasë dhe nga gafleti e kështu zbutet dhe kthehet tek Zoti pasi ishte larguar.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i këshillonte shokët e tij duke u thënë: “Kujtoni atë që ua prish kënaqësitë e kësaj dynjaje (vdekja).”[1]

 

  1. Vizita e varrezave dhe përkujtimi i gjendjes së banorëve të tyre

Si janë shndërruar trupat e tyre nën dhè? Si jetonin dje, hanin e pinin dhe argëtoheshin, kurse sot janë bërë dhè në varret e tyre dhe lanë pas pasurinë, fëmijët dhe familjen e tyre. Përkujtoni se një ditë do të jeni prej banorëve të tyre. Vizita e varreve është këshillë dhe përkujtim për të pakujdesshmit.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel -lem thotë: “Ua pata ndaluar vizitën e varrezave. A nuk po i vizitoni ato? Sepse ato zbutin zemrën, lotojnë syrin, përkujtojnë ahiretin.”[2]

 

  1. Meditimi i ajeteve kur’anore

Meditoni për shpërblimin dhe ndëshkimin, urdhëresat dhe ndalesat. Nuk ndodh që njeriu ta lexojë fjalën e Zotit duke qenë e pranishme edhe zemra e tij, pra duke medituar, e të mos gjejë se syri do të lotojë, zemra do të ndiejë frikërespekt ndaj Allahut dhe imani do të lëvizë sepse dëshiron të ecë drejt Krijuesit.

Allahu thotë:

“Allahu e ka shpallur fjalën më të bukur – librin (Kur’anin), pjesët e të cilit i ngjasojnë njëra-tjetrës dhe përsëriten. Prej tij u rrëqethet lëkura atyre që frikohen prej Zotit të tyre, e mandej qetësohen dhe kënaqen lëkurat dhe zemrat e tyre, kur përmendet Allahu (dhe premtimi i Tij). Ky libër është udhëzim i Allahut , me të Allahu e udhëzon kë të dojë, e kë Allahu e shpie në humbje, s’ka kush që mund ta udhëzojë.”[3]

  1. Përkujtimi i botës tjetër

 

Përkujtimi i xhenetit dhe asaj që ka përgatitur Allahu prej të mirave të Tij për besimtarët, por edhe përkujtimi i xhehenemit dhe zjarrit të tij i bën mirë zemrës së pakujdesshme, së cilës i kanë vdekur ambiciet për të punuar vepra të mira dhe bën që njeriu të kthehet në rrugën e Zotit.

 

  1. Shpeshtimi i dhikrit dhe istigfarit

 

Zemra bëhet e ngurtë dhe nuk e largon atë pos përmendja e Allahut. Besimtari patjetër duhet ta mjekojë zemrën me përmendjen e Allahut.

Një person i kishte thënë Hasen el Basriut: “Po ankohem se zemra ime është bërë e ngurtë.” I tha: “Largoje me përmendje të Allahut.”

Përmendja e Allahut e shkrin ngurtësinë e zemrës ashtu siç shkrihet plumbi në zjarr. Ibn Kajimi thotë: “Zemra ndryshket me dy gjëra: mëkati dhe pakujdesia. Atë e largon vetëm istigfari dhe dhikri.”

 

  1. Vizita e njerëzve të devotshëm, shoqërimi me ta dhe qëndrimi afër tyre

 

Njerëzit e devotshëm të marrin për dore kur dobësohesh, të përkujtojnë kur harron, të udhëzojnë kur nuk di dhe të ndihmojnë në adhurim.

Allahu thotë:

 

“Dhe bëhu i durueshëm me ata që i luten Zotit të vet, në mëngjes dhe mbrëmje, duke dëshiruar kënaqësinë e Tij dhe mos i shmang sytë e tu nga ata (në të tjerë), duke dëshiruar stolitë e kësaj jete. Mos dëgjo atë – zemrën e të cilit ia kemi lënë të zbrazët nga të përmendurit Neve dhe që i ndjek qejfet (epshet) e veta dhe punët e të cilit janë të shfrenuara.”[4]

 

Xhafer bin Sulejmani thotë: “Sa herë që gjeja në zemrën time ngurtësi, shpejtoja për të shikuar fytyrën e Muhamed bin Vasit”.

 

  1. Vetëllogaritja dhe qortimi i vetvetes

 

Njeriu nëse nuk e merr në pyetje veten dhe nuk e qorton për shkak të mangësive që ka, nëse nuk e akuzon për përtaci dhe neglizhim karshi obligimeve të Allahut, nuk mund ta kuptojë realitetin e sëmundjes. Nëse nuk e di sëmundjen, si ta kërkojë pastaj ilaçin? Patjetër që duhet ta përkujtojë nefsin në momentet kur dobësohet dhe ta zgjojë nga pakujdesia, ta njoftojë me të mirat që Allahu i ka dhuruar, ta kontrollojë në çdo hap të vogël apo të madh sepse vetëm kështu mund ta menaxhojë nefisn dhe ta udhëheqë nga e mbara.

 

Zot, na dhuro zemra të frikësuara dhe gjuhë që të përmendin Ty. Dërgojmë përshëndetjet më të mira ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

[1] Shënon Bejhakiu. Albani hadithin e ka bërë të mirë (hasen).

[2] Shënon Hakimi. Albani e ka saktësuar .

[3] Zumer: 23.

[4] Kehf: 28.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Seria: Pse pendimi?