FAMILJA NË ISLAM

0
2911

Urtësia dhe vullneti i Allahut i ka paraprirë njerëzve, që lidhja martesore të jetë koncepti i ndërtimit të këtij universi. Allahu i Madhëruar thotë: “Qoftë lavdëruar Ai që i ka krijuar çift të gjitha llojet: çka mbin prej tokës, ata vetë dhe ato që nuk i dinë!”[1]

Kështu u krijua njerëzimi nga ata edhe çiftet, ku nëpërmjet tyre plotësohet ruajtja e kësaj krijese dhe vazhdimësia në këtë jetë. Të jetë mëkëmbës në tokë në pëlqim me ligjin e Allahut.

Allahu i Madhëruar thotë “Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë.” [2] As jeta njerëzore, as shoqëria njerëzore nuk mund të ketë stabilitet përderisa të mos ketë një koncept të qartë në lidhje me çiftin martesor dhe përcaktimin e pozicionit të çdonjërit prej tyre në këtë jetë.

Koncepti islam mbi gruan:

Islami ka treguar një kujdes të veçantë në përmirësimin e gruas dhe lidhjeve mes çifteve mbi baza të natyrshmërisë që Allahu ka futur në këtë krijesë. Si dhe në anën e barazisë në aspektin njerëzor dhe të ndershmërinë njerëzore, që duhet të zotërojë krijesa njeri, qoftë mashkull apo femër.

Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, që ju krijoi juve prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.”[3]

Një kujdes të veçantë të barazisë mes çifteve e kemi edhe në raportet me krijuesin dhe shpërblimet tek Ai. “Dhe Zoti iu përgjigj lutjes së tyre: “Unë nuk do t’ia humb mundin askujt nga ju që ka bërë vepra, qoftë mashkull apo femër.” [4]

Allahu i Madhëruar e ka krijuar çiftin njerëzor në përputhje me punët, që ata janë të ngarkuar në këtë jetë, që të anojnë dhe të tërheqin njëri-tjetrin. Islami këtë lidhje, apo bashkim e rregulloi duke mos e lënë që të jetë rrëmujë apo të ushtrohet dhunë,  as nën mëshirën e nepsit që shpije çdo herë tek e keqja, as të emocioneve të pakontrolluara, e as të jenë pre’ e epshit të egër. Islami e legjitimoi martesën për plotësimin e nevojave trupore, shpirtërore tek të dy pjesëtarët e çiftit, ku çdonjëri ka nevojë për tjetrin. Kjo është natyrshmëria e krijimit, ashtu si ka nevojë njeriu për veshje që të mbulohet dhe të ruhet nga ndikimet e motit, ose nevoja për të gjetur strehim diku. Allahu i Madhëruar thotë: “Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato.”[5]

Islami kujdeset për t’i sqaruar të drejtat dhe detyrimet mes anëtarëve të familjes, rregullat e lidhjeve dhe komunikimit mes anëtarëve të saj për realizimin e drejtësisë dhe të vërtetës. Allahu i Madhëruar urdhëron e thotë: “Edhe atyre (grave) u takon e drejta sikurse edhe përgjegjësia në bashkëshortësi…” [6]

Të gjithë këtë e ka lidhur me besimin dhe ka bërë që devotshmëria të jetë siguri në përmbajtjen e këtyre detyrimeve, të punohet me to dhe mos të thyhet ky rregull, dhe secili prej tyre duhet të zbatojë këtë për veten e vet para se të kërkojë të drejtë prej tjetrit, duke qëndruar kështu larg nga padrejtësia dhe mizoria. Allahu i Madhëruar thotë: “Kini frikë Allahun dhe ta dini se Allahu është i Dijshëm për çdo gjë!” [7]

Familja është e patjetërsueshme në bazë të natyrshmërisë psikologjike dhe sociale:

Rregulli familjar është diçka e patjetërsueshme, që e kërkon natyrshmëria dhe nevoja shpirtërore e thellë e njeriut, gjë të cilën nuk e gjejmë tek gjallesat të tjera. Për këtë Islami e ka lartësuar pozitën e familjes dhe ka treguar një interes shumë të madh: në themelimin e saj, në përkujdesjen dhe mbikëqyrjen pasi të krijohet ajo. Për këtë ka legjitimuar dispozita të forta, të sakta për ruajtjen e unitetit dhe mos-shembjen e saj. Pastaj u përkujdes për vendosjen e masave të ndryshme, që parandalojnë çarjen e saj.

Në rastet kur ndodhin stuhi dhe goditet ajo, atëherë premtimi duhet të çohet në vend që kësaj shtylle të shoqërisë t’i gjendet ilaçi i suksesshëm pas një diagnoze të saktë të sëmundjes, e cila e ka çuar atë deri në atë gjendje, dhe njohjes së shkaqeve të devijimit, që e largon nga stabiliteti dhe serioziteti drejt lëkundjes së shtyllave të saj.

Realiteti dhe idealizimi në sistemin e familjes:

Feja islame edhe pse vazhdimisht i thërret njerëzit drejt ideales dhe përkryerjes në një shkallë të lartë, ai po ashtu nuk e anashkalon anën e dobësisë dhe të devijimit, që mund të ndodhë në çdo aspekt të jetës, por edhe në atë të sistemit familjar. Nga ky realitet, që Islami nuk e anashkalon është edhe ajo që mund të ndodhë, si mospajtimi apo sjelljet e këqija mes dy çifteve. Natyra e jetës është që mund të çojë drejt mospajtimit dhe grindjeve. Por kjo nuk do të thotë që burri të përdorë dhunën në zgjidhjen e këtij problemi, apo të shkëpusë lidhjen martesore për gjënë më të vogël dhe për shkaqe nga më të lehtat. Për këtë burrit i ndalohet, që mos të ngutet në prishjen e kësaj lidhje.  Islami e ka bërë divorcin gjënë më të urryer. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Gjëja më  e urryer e lejuar tek Allahu është divorci[8].

Gjithashtu, e ka ndaluar gruan të kërkojë divorc pa arsye. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Çdo grua që kërkon nga burri i saj divorc pa arsye, e ka të ndaluar ta shijojë erën e xhenetit.”[9]

Ka ndaluar prishjen reciproke mes çifteve dhe e ka klasifikuar këtë nga mëkatet më të  mëdha. Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kush i prish lidhjet e gruas me burrin e saj, nuk është nga ne.”[10]

Islami projekton skicën e masave të sigurta në parandalimin e dhunës së mundshme në raste mospajtimi. Çiftet duhen t’i përmbahen kësaj skice për mënjanimin e mospajtimeve dhe marrjen e ilaçit të suksesshëm  për  kthimin në gjendje normale të familjes .

  Autor: Rashit Zylfiu  

 

 

[1] Jasin,  36

[2] Rrum, 21

[3] Nisa, 1

[4] Ali Imran, 195

[5] Bekare, 187

[6] Bekare, 228

[7] Bekare, 231

[8] Shënuar nga: Ebu Davudi, Ibën Maxhe dhe Hakimi në Mustedrekun e tij dhe ka thënë se është i vërtetë sipas kushteve të Muslimit.

[9] Shënuar nga Ebu Davudi, Termidhiu.

[10] Shënon Taberaniu.