Agjenda e Islamit në edukimin e fëmijëve

0
1165
  • Islami dhe edukimi i fëmijëve

Edukimi i fëmijëve gjithmonë ka paraqitur fushën në të cilën çdo individ ka dëshiruar të spikatet e të dëshmohet. Kështu që nga njeriu i parë e gjer më sot, për të gjithë baballarët dhe nënat, pa marrë parasysh nivelin e arsimimit, karakteristikë është përpjekja që pasardhësve të tyre të dashur t’u mësojnë të gjithë gjërat që konsiderojnë se do t’u duhen në jetë.

Ndonëse kjo dëshirë e kjo përpjekje është jashtëzakonisht e fuqishme, pa përjashtime, te çdo prind, vërejmë një dallim drastik në edukimin, kulturën dhe sjelljen e fëmijëve të familjeve të ndryshme.

Edukimi i fëmijëve është objektivi parësor në jetën tonë ngase ka një lidhje të madhe me interesin tonë, që kthehet tek prindi, fëmija dhe e tërë shoqëria, ngase e ardhmja e një shoqërie shikohet nga prizmi se si janë duke u edukuar gjeneratat e reja.

Islami e ka vendosur edukimin e fëmijëve në agjendën e vet si primare dhe i jep rëndësi shumë të madhe. Në krye të këtij projekti ishte vetë Pejgamberi Muhamed alejhi selam, edhe pse ishte Profet dhe burrë shteti. Atë nuk e pengoi kjo që të jetë një baba dhe edukator i gjeneratave për të cilat shkroi edhe historia.

Për këtë arsye, ne hasim në Kur’an, aty ku gjendet lumturia e kësaj bote dhe e botës tjetër, që Krijuesi përmend rrëfime edukative të dobishme, sikurse porosia e të urtit Lukman për të birin e tij[1]. Këto porosi Zoti ia zbriti Pejgamberit Muhamed sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që të mbetet mësim për njerëzimin, se si dhe me çfarë duhet t’i edukojmë fëmijët.

 

  • Agjenda e Islamit në edukimin e fëmijëve

Një ndër mekanizmat më të fortë që Islami përdor në edukimin e fëmijëve është ngarkimi i prindërve me përgjegjësinë që kanë karshi fëmijëve të tyre.

Këtë mekanizëm e përdor duke instaluar tek besimtari në shumicën e rasteve edhe kërcënimin, tërheqjen e vërejtjes me dënim, që shpeshherë e hasim në Islam. Kjo ndodh në rast se njeriu është i pakujdesshëm duke shprehur mosinteresim apo duke e anashkaluar detyrën e shenjtë karshi fëmijëve të tij.

Këtë mund ta vërejmë në citatin kur’anor, ku Krijuesi në të vetmin vend në Kur’an na urdhëron që ta ruajmë familjen dhe fëmijët. Metoda kryesore e ruajtjes së fëmijëve është edukimi.

 

“O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej zjarrit, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.”[2]

 

I Dërguari i Zoti thotë: “Njeriu është bari në shtëpinë e vet dhe është përgjegjës për anëtarët e familjes së vet…”[3]

Pas instalimit të përgjegjësisë duke shpalosur edhe rëndësinë e saj, në edukimin e fëmijëve ndërmerren edhe hapat e nevojshëm praktikë gjatë rrugëtimit tonë edukues.

Disa hapa praktikë se si fillon edukimi i fëmijëve:

  • Kujdesi gjatë zgjedhjes së bashkëshortes.
  • Lutjet e vazhdueshme për të pasur fëmijë bujarë.
  • Shmangia nga mallkimi i tyre.
  • Emërtimi i fëmijëve me emra të bukur.
  • Skalitja e besimit të drejtë në zemrat e tyre.
  • Mbjellja e virtyteve të mira tek fëmijët.
  • Mbjellja e urrejtjes ndaj veseve të këqija.
  • Përdorimi i shprehjeve të mira me fëmijët.
  • Formimi i shembujve e modeleve te fëmijët.
  • Ndihma për të krijuar një personalitet qysh në fëmijëri.
  • Shmangja nga sjelljet kontradiktore.
  • Përmbushja e premtimeve.
  • Mbajtja e fëmijëve larg pamjeve pornografike dhe erotike.
  • Pastrimi i shtëpisë nga gjërat e ndyra dhe të rrezikshme.
  • Ngritja e vetëdijes në mirëmbajtjen e pastërtisë në veten dhe ambientin ku jeton.
  • Dhënia e mësimeve fetare e edukative qysh në fëmijëri.
  • Edukimi për të qenë serioz dhe preciz në punët që u jepen.
  • Motivimi për lexim.
  • Stimulimi për të qenë të suksesshëm në shkollim.
  • Zhvillimi i vetëbesimit te fëmija.
  • Këshillimi me fëmijët.
  • Bërja shprehi e përgjegjësisë.
  • Bërja shprehi e angazhimit shoqëror.
  • Mësimi i fëmijëve për të marrë vendime.
  • Respektimi i fazave të zhvillimit të fëmijës.
  • Përmirësimi momental i mangësive.
  • Drejtësia ndaj fëmijëve.
  • Ndarja e kohës për fëmijët.
  • Dëgjimi kur ata flasin dhe nxitja për të folur.
  • Mbikëqyrja e fëmijës “nga distanca”.
  • Pritja dhe gostitja e shokëve apo shoqeve të fëmijëve.
  • Moszmadhimi i gabimeve që bëjnë fëmijët.
  • Bashkëpunimi i prindërve në edukimin e fëmijëve.
  • Baza e edukimit është mirëkuptimi mes bashkëshortëve.
  • Përzgjedhja e shkollës së përshtatshme.
  • Zbulimi i talentit tek fëmija.
  • Organizimi i shëtitjeve, kuizeve, garave me fëmijë.
  • Prania e fëmijëve në takime serioze, takime familjare, universitet, xhami etj.
  • Marrja parasysh e fazës së pubertetit dhe trajtimi i kësaj faze me kujdes të veçantë.
  • Ndihma ndaj fëmijëve për t’i orientuar në studimet e tyre.
  • Krijimi i një lidhshmërie shoqërore mes prindit dhe fëmijës.
  • Këshillimi me ekspertë të edukimit të fëmijëve.
  • Leximi i literaturës së dobishme për edukimin e fëmijëve.

 

Këta janë disa nga hapat që Islami na këshillon gjatë udhëtimit tonë në edukimin e fëmijëve, edhe pse ky udhëtim vazhdon dhe ne mbetemi gjithmonë prindër, me ndjenjën se fëmijët sado që të rriten, kanë nevojë për këshilla prindërore.

 

Islami i jep çdo prindi edhe një udhëzim dhe fanar tjetër që do t’i ndihmojë gjatë këtij udhëtimi të lodhshëm por në të njëjtën kohë të këndshëm. Ai është vetëdija për vlerën e edukimit dhe shpërblimin në të dyja botët. Kjo vetëdije i ndihmon prindërit që të jenë më të durueshëm e të qëndrueshëm në punën e tyre edukative. Kështu, çdo mund dhe përpjekje e prindërve sigurisht që do shpërblehet me shpërblimin e duhur.

 

  • Fjalët e fundit për edukimin e fëmijëve

Thuhet se gjërat më të bukura janë më të thjeshtat. Kështu që detyra e të gjithëve ne që jemi të angazhuar në edukimin e fëmijëve është jashtëzakonisht e thjeshtë, nëse dimë ta bëjmë.

Jemi të detyruar të bëjmë atë që duhet bërë dhe t’i ruhemi asaj që nuk duhet bërë në edukimin e fëmijëve.

Islami është dhe do të jetë njëri ndër faktorët kryesorë që ndihmon në edukimin e fëmijëve, nëse ne dimë të përfitojmë nga agjenda që na ofron.

 

Rashit Zylfiu

 

Referencat e konsultuara

  • Gabimet e rrezikshme në edukimin e fëmijëve, Muhamed Ibrahim Elhamed.
  • Përgjegjësia në edukim, Muhamed Elhamed.
  • Edukimi i fëmijëve në Islam, Nasir Ulvan.
  • Si t’i edukojmë fëmijët, punim.
  • islamgjakova.net
  • femijetislam.com

 

[1] Shih Kur’anin Fisnik, sure Lukman.

[2] Kur’an, Tahrim: 6.

[3] Pjesë e hadithit profetik. Shënon Imam Buhariu, nr. 585.