“Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa
besimtari i dobët dhe te të dy ka hair.”[1]
Pas besimit në Krijuesin e gjithësisë, si litari më i mirë për t’u ballafaquar me problemet dhe vështirësitë e jetës, forca kryesore ku mbështetet njeriu është vetëbesimi i tij. Sa më i fortë të jetë ky besim në shkathtësitë dhe aftësitë personale, aq më i fortë do të jetë dhe produktiviteti në jetë. Në momentin që zbehet e dobësohet vetëbesimi, njeriu do të fundoset në ujërat e kësaj dynjaje.
Ti ndoshta mund të jesh pjesë e një familjeje e cila i nënvlerëson aftësitë e tua, që ka mbjellë te ti frikën se ti nuk mund t’i bësh gjërat vetë dhe kjo të ka bërë të mendosh se dështimi është i pandashëm dhe prandaj e gjen veten çdo herë të tërhequr.
Njeriu është një zotëri i madh në këtë gjithësi, por në momentet që mbjell dështimin te vetja e tij, ai do të bëhet si penda në erë.
I dashuri ynë, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka ndaluar që njeriu ta përbuzë vetveten.
Halid bin Velidi është një burrë për të cilin shkroi historia. Pejgamberi, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, e lajmëroi duke i thënë se “ti je shpata e Allahut në tokë”.
Bilal bin Rebiah morri guximin për t’u bërë muezini i parë në rruzullin tokësor edhe pse kurrë më parë nuk kishte dëgjuar e as shqiptuar ezanin, por i mjaftoi që Pejgamberi i Zotit e lavdëroi zërin e tij.
Gjëja më e suksesshme që mbjell një shoqëri është vetëbesimi. Sot bota moderne e mbjell këtë vetëbesim te popujt e tyre.
Në Amerikë u thonë “ju jeni të parët në botë”, kurse në Britani u thonë “ju jeni pasardhësit e perandorëve”. Në Turqi u thuhet se “ju jeni pasardhësit e perandorisë që ka sunduar gjysmën e botës”.
Presidenti turk Rexhep Tajib Erdogan i thotë popullit të tij: “Gjyshi ynë Sulltan Fatihu bëri që anijet të lundrojnë pa ujë, kurse ne bëmë që metroja të ecë nën det.”
I gjithë ky investim bëhet për t’i treguar popullit se suksesi dhe progresi në një shoqëri është në duart tuaja.
Ashtu duhet të jesh edhe ti. Mos lejo që të të luhatet besimi në aftësitë e tua. Mundohu që t’i mbash sa më vitale duke u mbështetur te Zoti. Mbështetu te krijuesi yt, Allahu i Madhërishëm.
- Çfarë është mungesa e vetëbesimit?
Sfida e mungesës së vetëbesimit është një ndër sfidat e rrezikshme në jetën e njeriut sepse të gjithë kalojmë përmes saj, nuk ka njeri që i shpëton kësaj sfide.
Mungesa e vetëbesimit është momenti kur njeriu dyshon në aftësitë e veta për t’u ballafaquar me problemet dhe sfidat e jetës.
Ky dyshim bën që njeriu ose të fundoset përballë kësaj vale dhe të jetë i tërhequr përballë problemeve të jetës ose do të mbledhë energji e vetëbesim për të vazhduar jetën.
- Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?
Kjo sfidë është për të na treguar se ne kemi aftësi, energji dhe mund t’i bëjmë gjërat bukur. Pa vetëbesim ne nuk mund të përballemi me stuhitë e jetës.
- Dëmet dhe pasojat e mungesës së vetëbesimit
Nuk ka dyshim se mungesa e vetëbesimit na sjell pasoja dhe dëme në jetë sepse vendimet e saj varen nga kjo energji, se a ekziston te ne apo jo.
Ja pasojat e mungesës së vetëbesimit:
- Lind dyshimi në besimin e Allahut, njeriu madje arrin deri aty sa të pyesë Zotin:-Pse më krijove të tillë?!
- Dyshojmë në aftësitë dhe shkathtësitë tona.
- Nënshkruajmë kapitullimin me dorën tonë.
- Ikim nga marrja e vendimeve në jetë.
- Bëhemi pjesë e problemit, jo ata që e zgjidhim problemin.
- Jemi të paaftë për të shprehur atë që kemi përbrenda.
- Si të mbjellim vetëbesimin te vetja dhe të tjerët?
- Mendimi i mirë për Allahun. Ejubi alejhi selam e duroi shumë sëmundjen, Merjemja pati guximin të dilte me foshnjë në dorë, Ibrahimi (alejhi selam) nuk u tremb nga zjarri, ndërsa Pejgamberi ynë alejhi selamnuk u mërzit në shpellë sepse të gjithë kishin mendim të mirë për Allahun. Vetëbesimi çdo herë duhet të jetë i lidhur me Allahun sepse Ai nuk na braktis kurrë.
- Allahu në Kur’an na tregon se shpeshherë njeriu ka nevojë për vetëbesimin në momente të vështira të jetës së tij. Kur ndodhi lufta e Uhudit dhe u vranë shtatëdhjetë hafëzë të Kur’anit, ishte vërtet një tronditje e madhe për shokët e Pejgamberit Muhamed(paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të). Më pas u shpallën ajetet kur’anore:
“E mos u dobësoni (fizikisht) dhe mos u dëshpëroni (shpirtërisht) derisa ju jeni më të lartit, po qe se jeni besimtarë të sinqertë…” (Al’Imran: 140)
- Pejgamberi (alejhi selam)nuk lejonte që dikush të mbillte te të tjerët frikë dhe gjëra të këqija. Ai ishte shumë i kujdesshëm që çdo herë gjërat e këqija t’i largonte nga jeta e njerëzve.
Ai shkonte deri aty sa nëse dikush kishte emër me kuptim jo të mirë, i propozonte që ta ndryshonte për mirë.
- Përcaktimi i shkaqeve të mungesës së vetëbesimit
Psikologët përmendin se ekzistojnë pesë shkaqe që sjellin mungesën e vetëbesimit.
- Shkaqe trupore (fizionomia e njeriut)
- Sociale
- Financiare
- Morale (sjellja)
- Dështimi paraprak.
Besimtari duhet t’i lutet Allahut me emrin Es-Samed, që ka kuptimin se të gjitha krijesat kanë nevojë për Të dhe kthehen tek Ai. Në momentet që gjendesh përballë sfidës së mungesës së vetëbesimit apo ndien se nuk ke vetëbesim, mbështetju Allahut.
Lutja përmbyllëse
Zoti im, mos lejo që një ditë të na tretet vetëbesimi. Na dhuro forcë e guxim atëherë kur na mungon. Zot, na ruaj imanin, forcën më të shtrenjtë që posedojmë, e prej saj fitojmë vetëbesimin në jetën tonë përballë sfidave të saj!
[1]Shënon Muslimi.
Autor: Rashit Zylfiu
Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”