XHAMITË, ATO VENDE TË DASHURA

0
1088

XHAMITË, ATO VENDE TË DASHURA

Shkruan: Rashid ZYLFIU

Umeti i Muhamedit, sal-lallahu alejhi ue selem, është dalluar me ndërtimin e xhamive, dhënien e kontributit dhe dëshirën për t’i ndërtuar ato.

Kuptimi i termit xhami:

Fjala xhami është e huazuar nga gjuha arabe “el-xhami”, e cila është cilësi e fjalës “mesxhid”, është quajtur kështu për shkak se njerëzit mblidhen në “mesxhid xhami.”[1] I thuhet xhamisë ku falet namazi i xhumasë edhe nëse është e vogël, ngaqë mbledh njerëzit në kohë të caktuar.

      Rëndësia e xhamisë në shoqërinë islame :

  • Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem ndërtoi xhaminë e tij në çastin që mbërriti në Medinë.
  • Lidhja e Sahabëve me xhaminë.
  • Xhamia ka qenë vendi kryesor në marrjen e mësimeve islame.
  • Shkolla e jetës dhe shtëpia e dytë për muslimanin.

Tre xhamitë më të mira në dynja:

  Xhamia e Haremit (Qabja), Xhamia e Pejgamberit sal-lallahu alejhi ue selem dhe Xhamia e Aksasë; këtë e argumenton hadithi i Ebu Dherrit që ka thënë: O i Dërguari i Allahut, cila xhami është ndërtuar e para në tokë?- Ai ka thënë: “Xhamia e Haremit (Qabja )”,- i thashë: “E pastaj, cila?“- tha: “Xhamia e Aksasë”. I thashë: “Sa ka në mes tyre?‘’- tha: “Dyzet vite, aty ku të zë koha e namazit falu, se ajo është xhami”.[2]

Xhamia Kuba është më e mira pas tre xhamive të shenjta:

Përcillet nga Abdullah ibën Omeri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, vinte në xhaminë e Kubasë çdo të shtunë në këmbë apo hipur.”

Të njëjtën gjë vepronte edhe Abdullah ibën Omeri. Sipas Muslimit: “Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, vinte në xhaminë Kuba çdo të shtunë në këmbë apo hipur dhe i falte dy rekate.“[3]

Etika e të shkuarit në xhami[4]

Shkuarja në xhami ka etikën e saj:

  1. Marrja abdes në shtëpi,
  2. Largimi i erërave të këqija,
  3. Veshja e bukur,
  4. Thënia e duasë së daljes nga shtëpia me nijetin për namaz,
  5. Nuk i kërcet gishtërinjtë gjatë rrugës për namaz e as gjatë namazit,
  6. Ecën i qetë dhe ngadalë,
  7. Shiko këpucët e tua para se të hysh në xhami e në qoftë se kanë ndonjë papastërti, atëherë i fshin ato për tokë,
  8. Hyr me këmbën e djathtë në xhami dhe thuaj duanë e hyrjes në xhami,
  9. Jep selam me zë, aq sa dëgjojnë ata që janë afër teje,
  10. Fal dy rekate tehijetul mesxhid,
  11. Zgjidhe vendin në safin e parë nga ana e djathtë e imamit, pa u shtyrë me askënd, dhe pa penguar njeri,
  12. Dil nga xhamia me këmbën e majtë dhe thuaj duanë e daljes nga xhamia.

         Vlera e xhamive dhe mirësitë  e tyre:

Vlera dhe rëndësia e xhamive shihet në atë që Allahu i ka përmendur ato në 18 vende në Kuran dhe Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, në shumë hadithe. Për pozitën e lartë që ka xhamia Allahu i Lartësuar i nderoi duke i lidhur me veten e tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet xhamitë janë posaçërisht për ta adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër me Allahun! [5]”. Edhe pse çdo vend është pronë e Allahut të Lartësuar, por xhamitë kanë specifikat e veta, ngaqë në to kryhen shumë adhurime.

Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, thotë: “Vendet më të dashura për Allahun janë xhamitë dhe vendet më të urryera tek Allahu janë tregjet.” [6]

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Vendet më të dashura për Allahun janë xhamitë”, ngaqë ato janë shtëpi ku kryhen adhurimet dhe themelet e saj janë ndërtuar mbi devotshmërinë ndaj Allahut. “…dhe vendet më të urryera tek Allahu janë tregjet.”, ngaqë ato janë vende të mashtrimit, tradhtisë, kamatës, betimeve të rrejshme, thyerjes së premtimeve, largimit nga përmendja e Allahut, edhe shumë gjërave të tjera, që bëjnë pjesë në këtë kuptim.[7]

  • Vlera e ndërtimit të xhamive dhe përkujdesja ndaj tyre:

Shumë argumente aludojnë për vlerën e ndërtimit të xhamive, siç është ajeti kuranor:

“E drejtë e përkujdesjes së xhamive të Allahut është vetëm e atij që i ka besuar Allahut dhe Ditës së Fundit, që e fal namazin, jep zeqatin e nuk i frikësohet askujt pos Allahut. Të tillët do të jenë të udhëzuarit (në rrugën e drejtë).” [8]

Përkujdesja ndaj xhamive është e shumëllojshme. Ajo mundet të jetë me ndërtimin, pastrimin, ndriçimin, ashtu siç bëhet me namaz, qëndrimi në te, mësimi i diturisë së dobishme e nga më të vlefshmet mësimi i Kuranit Fisnik. Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, i ka nxitur besimtarët në ndërtimin e xhamive. Na përcillet nga Osman ibën Afani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush ndërton një xhami për hir të Allahut, Allahu i ndërton të njëjtën në xhenet.”[9]

Ibën Haxher, Allahu e mëshiroftë, thotë se thënia: “Kush ndërton një xhami ”- “në te bënë pjesë qoftë e madhe apo e vogël”[10].

  • Vlera e pastrimit dhe e parfumimit të xhamive:

Islami e inkurajon pastrimin e xhamive dhe mbikëqyrjen e tyre dhe për këtë ka shpërblim të madh. Nga Enesi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcillet se ka thënë: Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Më janë ekspozuar shpërblimet e umetit tim, deri edhe një grimcë që njeriu e nxjerr nga xhamia, dhe më janë ekspozuar mëkatet e umetit tim, dhe nuk kam parë mëkat më të madh, se një sure nga Kurani apo një ajet që mëson njeriu e pastaj e harron atë.”[11]

Nga Ebu Seidi na përcillet, se ka thënë: “Ka qenë një grua e zezë, që ka mirëmbajtur xhaminë dhe kishte vdekur natën. Kur Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, u gdhi në mëngjes i shkoi lajmi për te dhe tha: “A nuk më treguat për te?”, dhe shkoi me shokët e tij, u ndal tek varri i saj, ia fali namazin e xhenazes dhe të tjerët ishin rreshtuar mbrapa tij, bëri dua dhe u kthye”. [12]

Përcillet nga Aishja, Allahu qoftë i kënaqur ndaj saj, se ka thënë: “Na ka urdhëruar Pejgamberi sal-lallahu alejhi ue selem, për ndërtimin e xhamive në vendbanimet tona, të pastrohen ato dhe të parfumohen.”[13]

  • Vlera e të shkuarit në xhami:

Shkuarja në xhami për të falur namazin me xhemat llogaritet nga ibadetet më të çmuara në Islam dhe për këtë aludojnë shumë argumente ndër to:

  • Ai që ka dashuri të madhe për xhamitë do të jetë nën hijen e arshit Ditën e Kiametit.

Na përcillet nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, e ai nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Shtatë grupe njerëzish në Ditën e Kiametit do të qëndrojnë nën hijen e Allahut, kur nuk ka hije pos saj. Një ndër grupet do të jetë edhe: “Njeriu që zemra e tij është e lidhur me xhaminë.”[14]

  • Ecja për në xhami i ngre shkallët (e të mirave), shuhen mëkatet dhe shkruhen shpërblimet:

Nga Abdulla ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcillet se ka thënë: “Nuk ka njeri që pastrohet, pastrohet mirë e pastaj ka si qëllim shkuarjen në xhami, veçse Allahu do t’ia shkruajë për çdo hap që bën një të mirë, e ngre një shkallë, dhe do t’ia shlyej një mëkat…”[15]

  • Kush pastrohet dhe del për në namaz me xhemat në xhami ai është në namaz derisa të kthehet në shtëpinë e vet:

Na përcjell Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem ka thënë: “Kur dikush nga ju merr abdes në shtëpinë e tij pastaj vjen në xhami është në namaz derisa të kthehet…”.

  • Nderimi nga ana e Allahut të Madhëruar, që i bën vizitorit të xhamisë:

Nga hadithi i Selmanit, që përcjell nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Kush merr abdes në shtëpinë e tij,  pastaj vjen në xhami ai është vizitor i Allahut, e drejta e të Vizituarit[16] është  që ta nderojë vizitorin.”[17]

  • Drita e plotë në Ditën e Gjykimit për atë që ecën nëpër errësirë për në xhami:

Na përcjell Burejdeja, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, nga Pejgamberi, sal-lallahu alejhi ue selem, se ka thënë: “Përgëzoji ata që ecin në errësirë për në xhami me dritë të plotë Ditën e Kiametit.”[18]

Të parët tanë të mirë –selefu salih- dhe përkujdesja ndaj xhamive:

Ibën Xhurejxhi ka thënë: Xhamia ka qenë vendi i Atasë për njëzet vjet dhe ai ka qene që e ka falur namazin më së miri nga njerëzit.

Seijd ibën Musejebi ka thënë: Tridhjetë vite nuk ka ndodhur që të thirret ezani e unë të mos kem qenë në xhami.

O Zot, mundësona të përkujdesemi për xhamitë dhe të jemi prej atyre që e falin namazin në to.

Disa nga referencat e konsultuara :

  1. El-Mesaxhid fi deuv kitab ue suneh, Seid el-Kahtanij.
  2. Fusul ue mesail tetealek bilmesaxhid, Abdullah bin Abdurahman el-Xhibrijn.
  3. c) Tehdhir mesaxhid fij itihadh el-kubur mesaxhid, Muhamed Nasirudin el-Albanij.

 

[1] Në gjuhën arabe bëhet një dallim mes fjalës mesxhid dhe mesxhid xhami. Mesxhid përdoret vetëm për ato vende ku falen pesë kohët e namazit, ndërsa mesxhid xhami është vendi ku falet edhe namazi i Xhumasë.

 

[2] Shënon Buhariu dhe Muslimi.

[3] Shënon Buhariu dhe Muslimi.

[4] Për çdo pikë që përmendim ka argument të posaçëm, por nuk na lejojnë mundësitë e vendit përmendjen e tyre.

[5] Xhin, 18.

[6] Shënon Imam Muslimi.

[7] Shpjegimi i Sahihut Muslimit nga Neveviu 5/177.

[8] Teube, 18.

[9] Shënon Muslimi , Buhariu .

[10] Shpjegimi i Buhariut nga Ibën Haxheri, 1/545.

[11] Shënon Ebu Daudi, Ibën Huzejme.

[12] Shënuar nga Ibn Maxhe , Sahih tergibu terhib.

[13] Shënon Ahmedi, Albani e ka saktësuar në Sahihun e Ebu Davudit.

[14] Shënon Buhari dhe Muslimi.

[15] Shënon Muslimi.

[16] I Vizituari në këtë rast është Allahu i Madhëruar.

[17] Taberani fi Muxhemi kebir, dhe Ahmedi.

[18] Shënon Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.