4. SFIDA E DËSHPËRIMIT

0
1200

 

Mos humbni shpresën në mëshirën e Allahut!”(Jusuf: 87)

Çdo njeri në jetë ka dëshira dhe ëndrra, të cilat dëshiron t’i realizojë,por ekzistenca e dëshirave dhe ëndrrave tona nuk do të thotë se ato duhet të realizohen në kohë dhe vend të caktuar. Ne duhet të kuptojmë një çështje shumë të rëndësishme, se kjo botë ka rregullat e veta dhe ato funksionojnë sipas vullnetit të Allahut e jo sipas dëshirave dhe vullnetit tonë.

Çdonjëri prej nesh ka shumë kujtime në jetë, mes tyre edhe momente kur na ka kapluar dëshpërimi. Po të fillojmë t’i shfletojmë këto kujtime, nuk do të kemi mundësi të ndalemi te të gjitha, por na mbetet këshilla si alternativa më e mirë për t’i ndihmuar njerëzit.

Të këshilloj…

Të themi që jeta është  e lehtë, pa sfida, se jemi të dobët, jo të mirë, nuk kemi fat,është mashtrim djallëzor. Sfidat me të cilat ballafaqohemi janë ato përmes të cilave Allahu dëshiron të nxjerrë forcën e fshehtë te ne, se gjërat mund të bëhen edhe ndryshe. Allahu përmes sfidës në jetë dëshiron që ti një ditë të mos mendosh se sukseset në jetën tënde vijnë nga aftësia dhe shkathtësia jote, por nga suksesi i dhuruar nga Allahu.

Allahu për ty ka thënë:
“Ti bëj durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je nën mbikëqyrjen Tonë.”
(Tur: 48)

Apo do të jesh si ata për të cilët Zoti tha:
E, kur Ne i japim dhunti njeriut, ai shmanget dhe largohet anash, e kur e godet e keqja është i dëshpëruar.”(Isra: 83)

  • Çfarë është dëshpërimi?

Dëshpërimi shkaktohet kur njeriu planifikon gjëra në jetë dhe i vë ëndrrat e tij në një drejtim duke harruar se ato mund të shkojnë edhe në kah tjetër. Ai verbohet pas pasioneve të kësaj jete, por në një moment zbulon se nuk mund t’i realizojë apo nuk është i prirë për to.

Dëshpërimi shkaktohet edhe kur dashuron diçka çmendurisht dhe në një moment zbulon se gjithçka ka qenë një iluzion. Dëshpërimi ndodh gjithashtu kur mendon se problemet e tua janë fundi i botës dhe ndien se je i dobët përballë sfidave, i fundosur thellë, se nuk ka shpresë për shpëtim, kur mendon se je njeri që dështon në jetë kur të tjerët korrin sukses. Këto kuptime janë fillimi i dëshpërimit apo vetë dëshpërimi yt në jetë.

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?

Shpeshherë në jetë gjërat jemi të prirë t’i shohim vetëm nga një këndvështrim duke harruar se ekziston edhe ana tjetër e të lexuarit të mesazhit.

Cilat janë ato dobi që mund të nxjerrim në momentin që ndihemi të dëshpëruar nga ndonjë sfidë në jetë?

  • Dëshpërimi është momenti kur ne kuptojmë se nuk ia dalim dot pa Allahun, pra na rikthen tek Krijuesi.
  • Dëshpërimi që për rezultat ka kthimin tonë tek Allahu na dhuron një jetë të re, sikur kemi rilindur.
  • Dëshpërimi është zbulimi apo identifikim i vetvetes. Kapacitetet njerëzore janë të kufizuara, mundësitë tonë kanë kufij, ne nuk mund të pavarësohemi dot nga Krijuesi.

 

  • Dëmet dhe pasojat e dëshpërimit në jetën tonë

Nuk ka dyshim se gjërat jo të mira në jetë janë ato që na sjellin pasoja dhe dëme, nganjëherë aq të mëdha saqë vështirë është për t’i shëruar. Dëshpërimi është atribut i jobesimtarëve.

Allahu thotë:
“O bijtë e mi, shkoni dhe interesohuni për Jusufin dhe vëllanë e tij dhe mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut. Vetëm jobesimtarët e humbin shpresën në mëshirën e Allahut.”(Jusuf: 87)

  • Njeriu i dëshpëruar fillon të kundërshtojë caktimin e Allahut.
  • Ai mund të ketë mendim të keq për Allahun apo edhe t’i shkëpusë lidhjet me Krijuesin.
  • Dëshpërimi sjell dobësim të mbështetjes tek Allahu, shkëputje të shpresës dhe bindje se Allahu është i pafuqishëm për ta ndryshuar gjendjen e tij.
  • Njeriu goditet nga pesimizmi dhe përtacia.
  • Zhgënjehet, ka ankesa të panevojshme dhe është joproduktiv në jetë.

 

  • Ilaçi i dëshpërimit

Kur’ani, libri i shenjtë,çdo herë mbjell te besimtarët shpirtin e shpresës dhe optimizmit duke mos i lënë vend dëshpërimit apo pesimizmit.

“… mos e këputni shpresën te mëshira e Allahut!” (Zumer: 53)

 

Njeriu derisa ka mundësi të lëvizë në këtë jetë është i gjallë dhe nuk duhet ta kaplojë dëshpërimi sepse kështu na ka udhëzuar e mësuar Krijuesi i gjithësisë dhe pastaj i Dërguari i njerëzisë, Muhamedi (alejhi selam).

Nuk ka dyshim se në jetë shpeshherë dështojmë. Njeriu duhet të mbjellë shpirtin e shpresës duke kërkuar shkaqet e dështimit, që të largohet në të ardhmen prej tyre dhe të kërkojë nga Allahu ndihmë për t’i realizuar qëllimet e tij duke pasur si moto fjalët “jeta ime është pa dëshpërim”.

Kjo është metodë më e mirë sesa të drejtosh gishtin drejt të tjerëve duke ua lënë fajin e më pas të dështosh dhe të të kaplojë dëshpërimi.

Një nga emrat e Allahut është “El Fetah”. Allahu nuk i mbyll dyert e pendimit për shkak të mëkateve tona. Nuk ka dyshim se dëshpërimi është një sëmundje e rëndë në jetën e njeriut, e cila e lë të gjymtë e pasiv përballë ambicieve në jetë. Në fund do të mundohemi të sjellim edhe ilaçin e kësaj sëmundjeje:

  • Imani në caktimin e Allahut, me koncept të qartë dhe të drejtë.
  • Edukimi i vetvetes për t’iu mbështetur Allahut, veprimi i shkaqeve të nevojshme dhe përpjekja për t’i realizuar qëllimet në jetë.
  • Vetëbesimi dhe marrja e përgjegjësive.
  • Bindja drejt ndryshimit për të mirë në çdo sferë të jetës duke mësuar edhe nga përvojat e njerëzve të suksesshëm.
  • Të lexuarit për jetën e Pejgamberëve,sepse ata ndryshuan historinë e njerëzimit, për vështirësitë me të cilat ata u ballafaquan, si i luftuan me vendosmëri e sinqeritet dhe si ia arritën të kishin sukses me ndihmën dhe fuqinë e Allahut.
  • Bindja se t’i dorëzohesh dëshpërimit nuk është më shumë sesa t’i shtosh vetes dhembje, dështim, lodhje e sëmundje. Alternativa e vetme është serioziteti dhe shpresa.

 

Lutja përmbyllëse

Zoti im, të lutem! Mos lejo që jeta e kësaj bote të na dëshpërojë.
Mos na bëj nga ata të cilët për shkak të dëshpërimit e meritojnë hidhërimin Tënd!
Bëje jetën tonë plot kuptime, hare, lumturi e buzëqeshje!

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”