6. SFIDA E FRIKËS

0
953

 

“Dhe i siguroi prej çdo frike!’’ (Kurjesh: 4)

Edhe pse njerëzit besojnë se dobia dhe dëmi janë në duart e Allahut, në anën tjetër shumica e njerëzve në jetë përballen me sfidën e frikës. Shejtani çdo herë tenton t’ua mbyllë dyert e dynjasë.

I riu që ka një intervistë shpeshherë ndien frikë se nuk do t’ia dalë dhe në momentet e fundit mendon për t’u tërhequr nga gara. Frika e ka bërë të ndihet në siklet dhe të mos duket mirë as në pamjen e jashtme.

Një pjesë e njerëzve ngurrojnë të futen në debate të rëndësishme vetëm pse kanë frikë se nuk kanë shkathtësi dhe nuk mund t’ia dalin.

Në jetë shpesh mund të ndodhë që shefi të të përzërë prej pune dhe në momentin që ndien se ndoshta nuk do të gjesh punë, të kaplon frika.

Fëmija që kërcënohet nga prindi me fjalët “ku ishe”, “pse u vonove etj”., në momentin që e kaplon frika, do të mundohet të gjejë rrugëdalje të cilat do ta dëmtojnë më vonë në jetë.

Ne shpeshherë shohim se njerëzit e afërt bëjnë gabime dhe nuk gjejmë gatishmëri për t’i këshilluar për shkak të frikës që gjejmë në veten tonë.

Pse gjithë ky frikësim kur Allahu është i gjallë, është me ne me dijen dhe ndihmën e Tij?!

Sfida e frikës është diçka e natyrshme dhe pjesë e jona. Pejgamberët e Allahut ndienin frikë në momente të caktuara.

  • Musai a.s. ndjeu frikë kur u përball me Faraonin.
  • Ibrahimi alejhi selam u frikësua kur i erdhën engjëjt në formë njeriu për ta përgëzuar për lindjen e djalit të tij Is’hakut.
  • Luti a.s. u frikësua kur engjëjt e paralajmëruan të largohej nga vendi i tij sepse mbi atë popull do të zbriste dënimi i Allahut.
  • Frikë ndjeu edhe Merjemja kur i erdhi lajmi se do të lindte fëmijë.
  • Pejgamberi Muhamed u ndje i frikësuar në shpellën Hira kur u gradua me shkallën Pejgamber i Allahut.
  • A nuk ishte burri më i madh i këtij umeti, Ebu Bekri, ai që ndjeu frikë gjersa po qëndronte me të Dërguarin e Allahut në shpellë?

Pra, po flitet për diçka që është pjesë e natyrës njerëzore.

 

  • Çfarë është sfida e frikës?

Sfida e frikës është ndër sprovat që Allahu e ka shënuar për të gjitha krijesat, pra edhe për bijtë e Ademit a.s.. Ajo është momenti kur ndodh çrregullimi i zemrës, kur njeriu goditet me një gjë të urryer dhe i shpërthen energjia për t’u përballur me sfidat e jetës.

Ajo ose do të jetë shoku më i mirë i yti ose armiku më i keq.

Ne duhet të përballemi me sfidën e frikës e jo të ikim nga ajo.

 

  • Pse ekziston kjo sfidë në jetën tonë?

Allahu e ka caktuar për ne frikën si sfidë që duhet të na mësojë se si duhet të ecim përpara në jetë e assesi të mbetemi anash si pasojë e frikës.

Nga pesë sprovat e mëdha që Allahu ka shënuar për ne, e para është frika.

Allahu thotë:
Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, por ti përgëzoji durimtarët.”

(Bekare: 155)

 

  • Dëmet dhe pasojat e frikës

Frika fillon te njeriu qysh nga fëmijëria dhe mund të shkaktojë dëme dhe pasoja që do t’i vuajë tërë jetën. Kjo frikë vjen si pasojë e faktorëve të brendshëm apo të jashtëm, si zërat e lartë, dhuna në familje, abuzimet e ndryshme etj.

Nga një studim i bërë me 50 persona, ka rezultuar se njeriu mund të ndiejë deri në 7.000 lloje të frikës. Ja disa pasoja:

  • Frika e bën njeriun pasiv në jetë.
  • Njeriu ndihet inferior.
  • Ai humb vetëbesimin.
  • Ka personalitet të dobët.

 

Bota sot jeton në ethet e frikës. Libri “Lëre ankthin dhe fillo jetën” ka shitur 5 milionë kopje në Amerikë.

 

  • Dobitë e frikës në jetën tonë:
  • Sukseset më të mëdha në jetën njerëzore kanë dalë në momentet e frikës (rasti i familjes Jashari në kohën e luftës, ose modeli i Gazës në Palestinë, ku ka më shumë hafëzë të Kur’anit dhe ku jetojnë njerëzit më të shkolluar në bazë të përqindjes).
  • Frika nxjerr në pah energjinë e fshehur të njeriut.
  • Njerëzit janë më të bashkuar.
  • Njeriu është më i thjeshtë, më modest.
  • Njeriu bëhet më produktiv.
  • Frika sjell guximin.

 

  • Si të veprojmë në momentet e frikës?
  • Përballje, jo ikje nga frika. Ballafaqim me problemin.
  • Planifikim dhe jo çorientim.
  • Në momentin e frikës duhesh të kesh tri gjëra parasysh:
  1. Kërkimi i ndihmës nga Allahu,që ka një emër të bukur:
    El-Hafidh-Ruajtësi.
  2. Pranimi se frika ekziston.
  3. Mbështetja tek Allahu.

–    Shfletimi i fjalëve të Allahut.
Ata, të cilët i kumtojnë shpalljet e Allahut, i frikësohen vetëm Allahut e askujt tjetër pos Tij, e Allahu është mjaft të jetë llogaritës.”[1]

(Ahzab: 39)

  • Lutjet kur’anore ashtu siç na ka mësuar Zoti ynë:
    Neve na mjafton që kemi Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” (Al’imran: 173 (

Frika më e ëmbël në këtë botë është frikërespekti ndaj Allahut. Llogaritet më e ëmbla në botë sepse është shpëtimtare në dynja dhe ahiret. Kjo frikë bën që të jesh i sigurt në jetë, larg mëkatit, i drejtë, faqebardhë. Frikërespekti është i ëmbël sepse njeriu sa herë që e ndien, afrohet tek Allahu dhe nuk largohet prej Tij, sikurse ndodh me frikën e natyrshme nga njerëzit apo krijesat e tjera.

Lutja përmbyllëse

Zoti im, na ruaj nga frika e cila na bën të tërhiqemi nga sfidat e jetës. Na dhuro vullnet dhe forcë kur ajo na godet. Na bëj nga ata që kthehen e kërkojnë mbështetje tek Ti në momentet që i godet!

O Zot, na bëj nga ata që nuk frikësohen nga njerëzit, po frikësohen nga Ti, Zoti i njerëzve!

[1] Kur’an, Ahzab: 39.

 

Autor: Rashit Zylfiu

Burimi: Libri “10 Sfidat e jetës”